Ballina / OP./INTERVISTA / Kosova dhe fshesa amerikane në Ballkan

Kosova dhe fshesa amerikane në Ballkan

Bisedimet me Serbinë, për njohje të ndërsjellë, duhet parë në një kontekst më të gjerë, i cili në Kosovë nuk vërehet çdoherë – në atë të përjashtimit të ndikimit të Rusisë nga Ballkani, por edhe të Kinës e Turqisë. Ç’duhet të bëjë Kosova?

Nga Dush Gashi

Deri sa një vit më parë presidenti i Kosovës, në hovin e tij për të arritur marrëveshje të shpejtë me Serbinë, qoftë edhe duke pranuar edhe “korrigjimin e kufijve” (në të vërtetë një eufemizëm ky për ndarjen e Kosovës) u takua edhe me kryetarin rus Vlladimir Putin, duke rrezikuar kështu që në punët e Kosovës e të Ballkanit ta përfshijë edhe Kremlinin, tash po bëhet e qartë se, në fakt, dialogu i tanishëm Kosovë Serbi ka qëllim krejtësisht të kundërt – dëbimin e ndikimit rus në Ballkan. Madje jo vetëm të atij rus, por edhe të Kinës e të Turqisë. (Meqë ra fjala, Vlladisllav Jovanoviç, një diplomat i vjetër serb, habitej me këtë renditje!).

Analisti boshnjak, Edin Subashiç, para do kohe emërimin e Matthew Palmerit si përfaqësues special i sekretarit të shtetit të SHBA-ve për Ballkanin dhe “ofensivën e papritur” politike amerikane e vlerësonte si “rezultat të njohurisë së vonë të SHBA-ve për seriozitetin e pranisë së Rusisë në këtë rajon vetëm pasi që janë kërcënuar interesat e SHBA-ve”.

Ai përkujtonte se lënia pasdore e Ballkanit dhe lënia në përkujdesin e aleatëve joefektivë evropianë dhe fakti që me Marrëveshjen e Dejtonit dhe krijimin e një Kosove të pavarur këto zona krize nuk u zgjidhën, hapi rrugë për përfshirjen sistematike dhe të plotë ruse në rajon (ekonomike, politike, mediale, të inteligjencës dhe paramilitare). Deri sa gjatë përpjekjeve ruse për ta rrëzuar dhe destabilizuar Malin e Zi dhe Maqedoninë u reagua me kohë dhe ato u tërhoqën nga përqafimi i Rusisë dhe Serbisë, e njëjta gjë nuk ndodhi edhe me BeH-në e Kosovën. E para ka mbetur e mbërthyer në pengesat ruse përmes regjimeve satelitore në Beograd dhe Banjallukë, ndërsa Kosova prej kohësh ngec në rezultatet fillestare të pavarësisë së shtetit. Pra, sipas tij, alarmi u ndez pasi që veprimi rus kërcënoi “projektin e Kosovës” dhe vazhdimin e zgjerimit të NATO-s në BeH.

Kosova – “detyrë e lehtë”

Një shtysë e re për interesimin e ShBA-ve erdhi nga Komiteti për Forcat e Armatosura të Senatit të SHBA-ve, që diskutoi për këto çështje në fund të shtatorit në një seancë për situatën e sigurisë në Evropën Juglindore.

Përfundimi i Komitetit është se “angazhimi më i fortë i SHBA-së në rajon është i nevojshëm, sepse një Ballkan i paqëndrueshëm dhe konfliktual po dëmton sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe tërheqja diplomatike do të ishte një humbje e madhe e SHBA-ve”.

Analistët të politikës së jashtme aktuale amerikane, sipas Subashiçit, thonë se BeH, për shkak të rrezikimit të perspektivës së NATO-s tani është, në të vërtetë, një prioritiet i SHBA-ve në rajon, ndërsa zgjidhja e çështjes së Kosovës është një detyrë tjetër dhe më e lehtë. Kosova konsiderohet të jetë çështje e përfunduar, të cilës i kanë mbetur të zgjidhen vetëm detajet.

Për, për angazhimin e fuqishëm amerikan ka edhe shenja tjera. Në këtë kontekst duhet parë edhe emërimin e ambasadorit të ri të ShBA-ve në Beograd Anthony Godfrey (ka arritur në Beograd këtë të mërkurë), i cili, pos vendeve tjera, ka shërbyer edhe në Moskë.

Para ardhjes në Beograd, duke paraqitur agjendën e tij të shërbimit në Beograd, para Senatit amerikan, ai ka thënë se, si i sapokthyer nga Moska, është “plotësisht i vetëdijshëm për sjelljen agresive të Rusisë, ndikimit të saj malinj dhe fushatës së dezinformatave në një pjesë të madhe të Evropës. Ekipi ynë paraqet segment të rëndësishëm të përpjekjeve amerikane që t’u kundërvihemi këtyre sprovave dhe besoj se një pjesë e kësaj përvoje më ka përgatitur mirë për detyrën e shefit të misionit në Serbi”.

Vërejtje BE-së

Në favor të angazhimit të vendosur e të përqendruar të Amerikës në Ballkan flet edhe reagimi i menjëhershëm i Departamentit të Shetit, duke shprehur zhgënjim për mos hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Reagoi edhe Palmer, duke thënë se ky vendim dërgon sinjal tek vendet e tjera se dera për në BE është mbyllur, rrezikon gërryerjen e besueshmërisë së BE-së dhe krijon një boshllëk udhëheqjeje që Rusia, Kina dhe të tjerë janë më se të gatshëm ta mbushin.

Shoqërimi i Palmerit me një të dërguar të posaçëm të presidentit të SHBA-ve, Richard Grenell, aktualisht ambasador në Gjermani, tregon për rëndësinë e këtij angazhimi të ShBA-ve. Emërimi i Grenellit, u prit me rezervë nga shqiptarët, sepse mendohej se ai mund të jetë zgjedhur me qëllim të zbutjes së qëndrimit të Gjermanisë kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Por, në mediat serbe ai u tha që ai të ketë qenë i prerë në kërkesën e tij që Serbia duhet ta njohë Kosovën. “Me Grenellin nuk ka bisedime të lehta. Në Gjermani nuk ka, e lëre më këtu”, ka komentuar gazetari e analisti politik Boshko Jakshiç, pas takimit të ambasadorit Grenell me kryetarin serb Aleksandar Vuçiq.

Ka shënja – e kjo është thënë në mediat beogradase – se Vuqiçi u ka premtuar (apo që nga fillimi i ka mashtruar) perëndimorët se do ta njohë Kosovën. Me kohë, në vazhdën e revizionizmit të historisë dhe ringjalljes së nacionalizmit serb, në midet serbe është vlerësuar se Beogradi po i kthehet politikës së të 90-tave. Që nga viti i kaluar, kur Thaçi bënte të kuptohej se marrëveshja me Serbinë do të arrihej shpejt me “korrigjimin e kufijve”, disa media beogradase marrëveshjes me Kosovën më as që i referoheshin si marrëveshje “për normalizim të marrëdhënieve”, po si “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Nuk është e habitshme, prandaj, pse fondacioni “Heritage” këto ditë e këshillonte ambasadorin Grenell që “të jetë syçelë” me serbët, sepse një gjë e flasin, ndërsa veprojnë krejtësisht të kundërtën.

Kundërshtimi rus

Ndaj pushtetit të kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, që vlerësohet si diktaturial, se po e kriminalizon dhe po e varfëron shoqërinë, opozita e qytetarët po protestojnë tash e gati një vit. Por, problemi qëndron në atë se opozita është edhe më nacionaliste e, në disa segmente edhe më proruse se ai. Opozita madje e ka akuzuar se “po e shet Kosovën”, ndërsa nga shoqëria civile ka pasur vërejtje edhe se protestat kanë filluar mu me qëllim që të pengohet arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë. Ka mendime edhe se opozita e tanishme mund të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme në Serbi, vetëm e vetëm që të pamundësojë arritjen e marrëveshjes për Kosovën.

Rusët, nga ana tjetër deri sa vitin e kaluar përsërisnin atë që tha edhe Putini në takimin e famshëm me Thaçin – se do të pranojnë marrëveshjen të cilën do ta arrinin Serbia e Kosova – tash, gjatë vizitës së këtij muaji, Medvedev tha se Rusia mbështet “zgjidhjen e çështjes së Kosovës” në kuadër të Rezolutës 1244 , përkatësisht se mbron “integritetin territorial të Serbisë”. Rusët sigurisht e dinë se Rezoluta 1244 tashmë i takon së kaluarës, por qëndrimi në mbrojtje të saj do të thotë se ata nuk e duan pranimin e Kosovës nga Serbia, sepse kështu do të evitohej një burim konflikti dhe Serbia dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor do të merrnin rrugë drejt Evropës, gjë që do të pamundësonte implikimin e tyre të mëtejmë në këtë regjion.

Pas vizitës së Medvedevit, analistë beogradas kanë thënë se rusët janë të bindur se Vuqiç do t’i përmbushë kërkesat e tyre.

Zëra të rrallë realistë

“Pas dy dekoratave kryesore brenda një viti dhënë Vuqiçit – të Aleksandar Nevskit dhe Shën Savës, rusët mund të jenë të sigurtë në atë se kryetari i Serbisë nuk do t’i përmbushë premtimet e dhëna Parendimit dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, e sigrisht se nuk do t’i hyjë as ndarjes”, ka thënë për gazetën beogradase “Danas” politikologu Boris Varga.

“Moskës më së shumti i përgjigjet status quo-ja ekzistuese e bazuar në rezolutën 1244, sepse i garanton prani afatgjatë në Ballkan, si mbrojtës e Serbisë. Shqëria serbe është thellësisht e përçarë, ndërsa opozita më euroskeptike se pushteti; në disa raste edhe më rusofile. Për herë të parë në tranzicionin serb kemi situatën që rusët në Serbi kontrollojnë edhe pushtetin, edhe opozitën – mendon Varga.

Ai ka përfunduar se Medvedev në Beograd nuk ka sjellë asgjë të re, por vetëm ka konfirmuar se Serbisë i ofron alternativën e BE-së në formë të përafrimit më të madh tregtar drejt Aleancës ekonomike euroaziatike (marrëveshja për tregti të lirë me të cilën edhe u nënshkrua këtë të premte).

Zëra realistë dëgjohen edhe nga ndonjë parti opozitare me ndikim të vogël në Serbi.

“Kemi dëgjuar para do kohe në medie nga Boshko Obradoviç [kryetar i lëvizjes së djathtë “Dveri”] se njërin prej qëllimeve kanë të pengojnë arritjen e marrëveshjes me Kosovën. Kjo s’është gjë tjetër pos vazhdim i politikës naconaliste të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar”, ka thënë Aleksandar Olenik, kryetar u Forumit qytetar demokratik.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Sigurisht, Kosova nuk mund të ndikojë gjë në Serbinë, nuk mundi as me taksën, madje tërë kohën iu kërkua heqja e saj e edhe tash po i kërkohet. Se si do t’ia bëjnë me Serbinë është problem i ShBA-ve dhe i vendeve tjera Perëndimore. Por, Kosova nuk ka si të mos jetë bashkëpunuese dhe konstruktive në këtë proces, natyrisht, duke mbrojtur interesat dhe duke mos cenuar shtëtësinë e saj. Nga ajo që tha Matthew Palmer në paraqitjen e fundit para Komisionit për politikë të jashtme të Senatit, nuk mund të thuhet se Kosova do të ndodhet para ndonjë presioni të madh ndërkombëtar për të bërë lëshime.

Ndonëse jo e ndërlidhur drejtpërdrejt me temën e bisedimeve, së pari duhet theksuar se Palmer u shpreh se e njeh realitetin politik në Kosovë, se zgjedhjet e 6 tetorit ishin të rëndësishme për Kosovën, pasi do të sjellin qeverinë e parë që nuk drejtohet nge ish pjesëtarë të UÇK-së dhe se këtë e sheh si impuls nga ana e popullit të Kosovës për ndryshim. Me këtë edhe ai mbylli çdo mundësi atyre që dëshirojnë lojëra politike në Kosovë, mundësisht duke i përshkruar ato si kërkesë të “miqve ndërkombëtarë”. Por ai bëri thirrje që Kosova ta formojë së më shpejt qeverinë.

Në seancë, sipas Zërit të Amerikës, nuk u përmend ndonjë afat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Palmer la mundësinë që kufijtë të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por se “u takon palëve të vendosin nëse kjo është një zgjidhje e pranueshme”.

Se gjërat nuk janë në disfavor të Kosovës mund të gjykohet edhe nga paraqitjet publike të Vjosa Osmanit, e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, pas kthimin nga ShBA-ja, ku u prit në nivele shumë të larta qeveritare. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo u shpreh “shumë e lumtur” se “kurrë nuk ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara që tema e kufijve të jetë në tavolinë, por kësaj radhe është më e theksuar që kjo çështje assesi nuk do të kërkohet nga ana e Amerikës, nga ana e Gjermanisë jo se jo, sepse edhe deri tani janë deklaruar shumë kundër ideve të tilla”.

Se si do të duket krejtësisht në praktikë angazhimi i ri amerikan duhet pritur për të parë. Por, është e rëndësishme që situata në Ballkan përcaktohet si një kërcënim për Amerikën dhe se ka kohë që një “fshesë” amerikane ishte e nevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.