Ballina / KOSOVA / Kosnett: Grenell pret të punojë me Thaçin dhe liderët tjerë për dialogun

Kosnett: Grenell pret të punojë me Thaçin dhe liderët tjerë për dialogun

“I dërguari i posaçëm presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”, shkroi në Twitter, ambasadori Kosnett, pas takimit me presidentin Thaçi

I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, po qëndron në Prishtinë, ku fillimisht është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se Grenell pret bashkëpunim me liderët vendorë, në lidhje me dialogun.

“I dërguari i posaçëm presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”, shkroi në Tëitter, ambasadori Kosnett.

Më herët, ambasada amerikane në Prishtinë e ka cilësuar vizitën si tregues për mbështetjen që SHBA-ja i jep procesit të dialogut. Ndërkohë që analistët politikë në Prishtinë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm interesimin për Ballkanin dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo vizitë, vjen në kohën kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të sjellin ndryshime të mëdha në pushtet, ngaqë dy ish-partitë e bllokut opozitar kanë dalë fituese.

Pas takimit me presidentin e Kosovës, Grenell pritet të zhvillojë një takim edhe me kandidatin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare bazuar në rezultatet preliminare, si dhe takime me liderët tjerë politikë në Prishtinë.

Para pak ditësh, presidenti amerikan Donald Trump emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, lidhur me vizitën e përfaqësuesve të lartë amerikanë në Kosovë, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se mbështetja e SHBA-së, për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore: I dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Ndërkohë që një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “Shtetet e Bashkuara shohin një mundësi historike për Serbinë dhe Kosovën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të normalizuar raportet midis tyre”.

“Vendimi i presidentit për të emëruar të dërguarin presidencial për bisedimet paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënvizon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet dhe prosperitet për popullin e Serbisë dhe të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se emërimi Richard Grenell, tregon përkushtimin e SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se emërimet e zyrtarëve amerikanë për Ballkani dhe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë janë forca të shtuar për ta shtyrë përpara dialogun.

“Ne po e shohim se ka një rikthim të vëmendjes së SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht një investim të shtuar të këtij shteti rreth procesit të dialogut Kosovë- Serbi. Ketë e kemi parë gjatë dy vjetëve të fundit, po veçanërisht me dy emërimet e fundit ajo nga Departamentit i Shteti për zotin Palmer dhe kjo drejtpërdrejt nga presidenti Trump për ambasadorin amerikan në Gjermani, zotin Grenell.”, tha Karasniqi.

Krasniqi thotë se Kosova vazhdimisht ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rolë më aktiv në procesin e dialogut dhe kjo çështje, nënvizon ajo, duket se po realizohet. Ajo thekson se tani spektri politik duhet të arrijë një konsensus rreth procesit të dialogut me Serbinë dhe mos të humbet kohë.

“Tani ka ardhur koha që duke parë një interesim kaq të madh edhe ndërkombëtar përkushtim të tyre, gjithsesi sepse ne e kemi kërkuar, tash ne duhet të dimë të pozicionohemi qartë në interes të shtetit tonë dhe të dimë ta shtyjë atë interes përpara. Nuk do të jetë e lehtë sepse kemi të bëjmë me Serbinë e cila nuk është konstruktive, po duhet të dimë të veprojmë”, tha Krasniqi.

Emërimi i ambasadorit të SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell për të përfaqësuar presidentin Trump në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është mirëpritur nga udhëheqësit e Kosovës, ndërkaq presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur emërimin e tij si lajm befasues.

Bashkimi Evropian, pas këtij emërimi, ka ritheksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në për çështjen e dialogut dhe në përgjithësi Ballkanin Perëndimor.

Kosova sapo ka përfunduar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku nga rezultate paraprake të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e parë fituese.

Shteti serb ka kushtëzuar rifillimin e bisedimeve me heqjen e taksës doganore që Kosova e ka vendosur me 21 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar heqjen e taksës duke thënë se ‘ajo do të hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën shtet’.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për postin e kryeministrit, në paraqitjet e tij në mediat vendore ka paralajmëruar mundësin e largimit të taksës doganore për mallrat nga Serbia, por siç ka thënë ai, ajo mund të zëvendësohet me masa reciprocitetit të plotë me Serbinë./REL

Provo po ashtu

flamuj-shba-kosove

Kostelancik: Marrëveshja Kosovë – Serbi -prioritet strategjik i Amerikës

David Kostelancik, zëvendës i të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, ka thënë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.