Kosnett: Demokracia kërkon angazhim e këmbëngulje aktive të qytetarëve

Këtë vit, ambasada e Shteteve të Bashkuara feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit tonë me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqja, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në një komunikatë të Ambasadës Amerikane në Kosovë thuhet se përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja jonë tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale.

Ajo ka bërë thirrje që qytetarët të respektojnë masat për shkak të pandemisë.

“Ndërkohë, vazhdoni të mbani maska ​në publik, lani duart dhe mbani distancën sociale. Siç kemi parë, kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe vetëm ne si individ kemi fuqinë për ta ndaluar përhapjen për familjet dhe komunitetet tona”, thuhet në komunikatë.

Ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett, me këtë rast ka thënë se, “amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit”.

“Dhe lufta për drejtësi të barabartë dhe mundësi të barabarta në Amerikë nuk ka qenë vetëm çështje race. Liderët, si Susan B. Anthony, kampion i shekullit të 19-të për të votuar për të drejtat e gruas, luftuan për propozimin që pohimi i Amerikës që të gjithë burrat janë krijuar të barabartë duhet të vlejë edhe për gratë. Brezat e amerikanëve – disa të famshëm, disa anonimë – kanë luftuar për ta shtrirë konceptin e barazisë për të përfshirë njerëz të të gjitha racave, të të gjitha etnive, feve, gjinive dhe identiteteve seksuale. Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë”, thotë Kosnett.

Ai shton se në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve.

“Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën”, thotë Kosnett.

Sipas tij populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute.

“Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global. Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale”, shprehet ai.

E i ftuar në festimin e 4 korrikut nga Ambasada Amerikane ishte edhe mikrobiologu, Lul Raka.

“Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rruga jonë drejt së ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 korrikut. Le ta ndjekim citatin e presidentit John F. Kennedy, ‘Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!’”, ka thënë Raka.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë e të qëndrueshme që shkon disa breza prapa. Si miq e partnerë, kemi qëndruar së bashku gjatë momenteve më të këqija dhe i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi këtu me ju, sot dhe në të ardhmen. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ambasadës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!