Koronavirusi nuk e pezulloi politikën, ai e zbuloi natyrën e pushtetit

Gjatë karantinës, ne mund të shohim se thelbi i politikës është ashtu siç e përshkruante Hobbes-i: Disa njerëz e shfrytëzojnë mundësinë për t’iu treguar të tjerëve çfarë të bëjnë.

Shkruan: David Runciman

Vazhdimisht po e dëgjojmë frazën se kjo është një luftë. A është vërtet? Ajo që po ndihmon për t’ia dhënë krizës së tanishme ndjenjën e kohës së luftës është mungesa e dukshme e argumenteve normale politike. Kryeministri del në televizor për ta lëshuar një deklaratë të zymtë para popullit rreth kufizimit të lirive tona dhe udhëheqësi i opozitës nuk ofron asgjë pos përkrahjes. Kuvendi, deri në pikën sa mund të veprojë, duket se thjesht po kalon nëpër këto lëvizje. Njerëzit janë të bllokuar në shtëpi dhe luftrat e tyre janë të kufizuara në sferën shtëpiake. Flitet për një qeveri të unitetit kombëtar. Politika e zakonshme është zhdukur.

Por ky nuk është pezullim i politikës. Është heqje e një mbështjellësi të jetës politike për të zbuluar diçka më të paprekur nën të. Në demokraci, ne kemi prirje ta mendojmë politikën si një garë mes partive të ndryshme për përkrahjen tonë. Përqendrohemi në “kush” dhe “çka” në jetën politike: Kush është pas votave tona, çfarë po na ofrojnë ata, kush do të përfitojë. Ne i shohim zgjedhjet si rrugë për rregullimin e këtyrë çështjeve. Por pyetjet më të mëdha në secilën demokraci fillojnë me “si”: Si do t’i zbatojnë qeveritë kompetencat e jashtëzakonshme që ua japim dhe si do të përgjigjemi ne, kur ato ta bëjmë këtë?

Këto janë pyetjet që gjithmonë i kanë preokupuar teoricientët politikë. Megjithatë, ata tani nuk janë aq teorikë. Siç po dëshmon kriza e tanishme, fakti kryesor që e përforcon ekzistencën politike është që disa njerëz e shfrytëzojnë mundësinë t’iu tregojnë të tjerëve çfarë të bëjnë. Në zemër të të gjitha politikave moderne është një kompromis mes lirisë personale dhe zgjedhjes kolektive. Kjo është ujdia faustiane e identifikuar nga filozofi Thomas Hobbes në mesin e shekullit të shtatëmbëdhjetë, kur vendi po copëtohej nga një luftë civile e vërtetë.

Siç e dinte Hobbes-i, të ushtrosh pushtet politik është ta kesh pushtetin e jetës dhe vdekjes mbi qytetarët. Arsyeja e vetme për të cilën ne do të mund t’ia jepnim dikujt këtë pushtet është sepse ne besojmë se ky është çmimi që e paguajmë për sigurinë tonë kolektive. Por kjo gjithashtu nënkupton se po ua besojmë vendimet e jetës dhe vdekjes njerëzve që përfundimisht nuk mund t’i kontrollojmë.

Rreziku kryesor është që ata që ndodhen në fund të hierarkisë refuzojnë ta bëjnë atë që kërkohet nga ta. në këtë pikë, ekzistojnë vetëm dy zgjedhje. Ose njerëzit detyrohen të jenë të dëgjueshëm, duke i përdorur kompetencat shtrënguese që shteti i ka në dispozicion, ose politika shpërbëhet e tëra, me ç’rast Hobbes-i thotë se ky është rezultat që duhet të na frikësojë më së shumti.

Në demokraci, ne e kemi luksin që t’i presim zgjedhjet e ardhshme për t’i ndëshkuar udhëheqësit politikë për gabimet e tyre. Megjithatë, ky është ngushëllim i pamjaftueshëm, kur bëhet fjalë për çështjet e mbijetesës themelore. Sidoqoftë, nuk ka të bëjë shumë me ndëshkimin, thënë relativisht. Ata mund t’i humbin vendet e punës, ndonëse pak politikanë e gjejnë veten në varfëri. Ne mund t’i humbim jetët tona.

Qartësia e këtyre zgjedhjeve zakonisht errësohet nga domosdoshmëria demokratike për të kërkuar konsensus. Kjo nuk është zhdukur. Qeveria është duke bërë gjithçka që mundet për t’i veshur vendimet e veta me gjuhën e këshillave praktike. Ajo thotë se ende është duke u besuar individëve për të shfaqur gjykime të fuqishme. Por, siç dëshmon përvoja e vendeve të tjera evropiane, me thellimin e krizës realiteti i zymtë bëhet më i qartë. Vetëm shikojini kryetarët e qyteteve italiane duke u bërtitur zgjedhësve të tyre për të qëndruar në shtëpi. “Voto për mua ose futet grupi tjetër”, kjo është rutina e politikës demokratike. “Bëje këtë ose diçka tjetër”, kjo është politika demokratike e papërpunuar. Deri në këtë pikë nuk duket shumë ndryshe nga politikat e llojeve të tjera.

Kjo krizë i ka zbuluar disa të vërteta tjera të vështira. Qeveritë kombëtare vërtet kanë rëndësi dhe vërtet ka rëndësi se nën pushtetin e cilës prej tyre e gjeni veten. Ndonëse pandemia është një fenomen global dhe po përjetohet në mënyrë të ngjashme në shumë vende të ndryshme, ndikimi i sëmundjes formësohet në masë të madhe nga vendimet e marra nga secila qeveri veç e veç. Pikëpamjet e ndryshme për atë se kur duhet të veprohet dhe sa larg të shkohet ende nënkupton që asnjë vend nuk është duke e pasur përvojën e njëjtë me një vend tjetër. Në fund të tërë kësaj, mund të shohim se kush ka pasur të drejtë dhe çfarë ishte e gabuar. Por tash për tash, ne jemi në mëshirën e udhëheqësve tanë kombëtarë. Kjo është diçka tjetër për të cilën ka paralajmëruar: Nuk ka shmangie të elementit të arbitraritetit në zemër të të gjitha politikave. Është arbitraritet i gjykimit individual politik.

Në kohën e karantinës, demokracitë zbulojnë se çfarë kanë të përbashkët me regjimet e tjera politike. Edhe këtu, politika përfundimisht ka të bëjë me pushtetin dhe rendin. Por ne gjithashtu do të kemi mundësi t’i shohim disa nga dallimet themelore. Nuk është që demokracitë janë vende më të mira, më të sjellshme dhe më fisnike. Ato mund të përpiqen që të bëhen të tilla, por në fund kjo nuk zgjat. Megjithatë, demokracitë e kanë më të vështirë të bëjnë zgjedhje vërtet të ashpra. Aftësia për luftimin e një problemi para se të bëhet akut kurrë nuk ka qenë një pikë e fortë e demokracisë. Ne presim derisa nuk kemi zgjedhje tjetër dhe pastaj përshtatemi. Kjo nënkupton që demokracitë gjithmonë do të fillojnë pas frontit të një sëmundjeje si kjo, ndonëse disa vende janë më të mira se të tjerat për ta zënë hapin.

Regjimeve autokratike si Kinës gjithashtu u vjen vështirë të përballen me kriza derisa janë të detyruara ta bëjnë këtë dhe, ndryshe nga demokracitë, ato mund t’i shtypin lajmet e këqija për një kohë më të gjatë, nëse kjo u përshtatet. Por kur veprimi bëhet i pashmangshëm, ato mund të shkojnë më larg. Izolimi kinez pati sukses në kontrollimin e sëmundjes përmes masave të pamëshirshme. Demokracitë kanë mundësi të jenë po aq të pamëshirshme, siç dëshmuan me pjesëmarrjen e vazhdueshme në luftrat e përgjithshme të shekullit XX.

Por në luftë, armiku është mu përballë teje. Gajtë kësaj pandemie, sëmundja zbulon se ku ka shkuar vetëm përmes përsëritjeve të mërzitshme ditore të infektimeve dhe vdekjeve. Politika demokratike bëhet një lloj boksi në hije. Shteti nuk e di cilët trupa janë vërtetë të rrezikshmit.

Disa demokraci kanë arritur të përshtaten më shpejt. Në Korenë Jugore, sëmundja po zbutet përmes hulumtimit të gjerë të rasteve dhe mbikëqyrjes së bartësve të mundshëm. Por në këtë rast, regjimi kishte përvojë të re gjatë trajtimit të përhapjes së Mers-it në vitin 2015, i cili gjithashtu e formësoi kujtesën kolektive të qytetarëve të atij vendi. Izraeli gjithashtu mund të jetë duke e bërë një punë më të mirë se shumë vende evropiane, por është një shoqëri që tashmë ndodhet në një pozitë të përhershme si në luftë. Është më lehtë të adaptohesh kur tanimë je adaptuar. Është shumë më vështirë kur je duke e bërë këtë gjatë kohës që je duke shkuar rrugër.

Viteve të fundit, nganjëherë është dukur që politika globale është thjesht një zgjedhje mes formave rivale të teknologjisë. Në Kinë, është një ekip i inxhinierëve që mbështetet nga një shtet njëpartiak. Në perëndim, është sundimi i ekonomistëve dhe bankierëve qendrorë që operojnë brenda detyrimeve të një sistemi demokratik. Kjo e krijon përshtypjen se zgjedhjet e vërteta janë gjykime teknike për atë se si të udhëhiqen sistemet e mëdha e të ndërlikuara ekonomike dhe sociale.

Megjithatë, në javët e fundit ka dalë një realitet tjetër. Gjykimet përfundimtare kanë të bëjnë me atë se si të përdoret pushteti shtrëngues. Këto nuk janë thjesht pyetje teknike. Një dozë e arbitraritetit është e pashmangshme. Gara në ushtrimin e këtij pushteti mes përshtatshmërisë demokratike dhe mungesës së mëshirës nga sistemet autokratike do t’i japë formë krejt të ardhmes sonë. Ne jemi larg nga bota e frikshme dhe e dhunshme nga e cila Hobbes-i u mundua të arratisej rreth 400 vjet më parë. Por bota jonë politike është ende ajo që Hobbes-i do ta kishte njohur./Përktheu: Nasuf Abdyli

David Runciman është profesor i politikës në Universitetin e Cambridge-it.

LEXO EDHE:

Kongresisti Engel: SHBA-ja i kontribuoi një krize politike në Prishtinë

Intervista e plotë me z. Richard Grenell në T7

Departamenti amerikan i Shtetit: S’ka plan sekret, hiqne taksën

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti – Qeveri gjithëpërfshirëse apo zgjedhje?

Kosovarët të shtangur me rënien e qeverisë në kohë pandemie

Kalon mocioni i mosbesimit, bie Qeveria Kurti

Kurti: Qëllimi i rrëzimit të qeverisë është Marrëveshja ekzistuese për shkëmbim territorial

Seanca për shkarkimin e Qeverisë Kurti; Direkt dhe minut pas minuti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.