Kongresi zhvillon seanca dëgjimore për raportin e informatorit të bisedës Trump-Zelenskiy

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, Joseph Maguire, do të paraqitet para ligjvënësve amerikanë të enjten, rreth dorëzimit të një ankese të një informatori, që ka rezultuar me nisje të procedurave për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ankesa, përmbajtja e së cilës është ende e klasifikuar, besohet se i referohet thirrjes telefonike të 25 korrikut në mes të Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës, Trump i ka kërkuar Zelenskiyt të kryejë hetime për ish nën-presidentin amerikan, Joe Biden, në koordinim me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, William Barr dhe avokatin personal të Trumpit, Rudy Guiliani.

Biden tani garon për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Maguire do të dëshmojë në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, në një seancë publike pasditen e së enjtes.

Ai më pas do të paraqitet para Komitetit të Senatit për Inteligjencë, në një takim të mbyllur.

Maguire do të paraqitet para ligjvënësve pasi ka refuzuar të ndajë ankesën me Kongresin, pavarësisht pse ligji kërkon që dokumenti të dërgohet në Kongres pasi Inspektori i Përgjithshëm të vërtetojë se ankesa është urgjente.

Anëtarët e Komiteteve për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë pasur qasje në ankesë më 25 shtator, vetëm pasi Maguires i është kërkuar të dëshmojë.

Ai ka qenë në këtë pozitë për më pak se dy muaj.

Nisja e hetimeve për shkarkim të presidentit është bërë publike nga udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi më 24 shtator.

Megjithatë, edhe disa republikanë u janë bashkuar demokratëve në thirrjen ndaj administratës për publikim të raportit në Kongres.

Ndërkohë, të mërkurën Shtëpia e Bardhë ka bërë publike detajet e bisedës në mes të Trumpit dhe Zelenskiyt, vetëm disa orë pas takimit të të dy liderëve në Nju Jork, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas dokumentit, Trump i ka kërkuar Zelenskiyt, gjatë një bisede me 25 korrik, që të koordinohet me Prokurorin e Përgjithëm amerikan, William Barr dhe avokatin e tij personal Rudy Giuliani që të hetojë nëse ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden ka mbyllur hetimet për një kompani që ka punësuar djalin e tij, është thënë në një përmbledhje të bisedës, të publikuar nga administrata e presidentit Trump të mërkurën.

Kjo bisedë është realizuar pasi Trump ka urdhëruar qeverinë amerikane që të pezullojë ndihmën në vlerë të 391 milionë dollarëve për Ukrainën.

Demokratët janë duke thënë se Trump i ka bërë presion Zelenskiyt gjatë bisedës që të kryejë hetime për Bidenin, në mënyrë që t’i ndihmojë në garën për rizgjedhje si president.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Deri më tash, asnjë president nuk është shkarkuar përmes këtij procesi.

Aktualisht demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve derisa republikanët e partisë prej nga është edhe Trump kontrollojnë Senatin.

Përndryshe, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës, prej vendimit të Rusisë për të ankesuar Krimenë më 2014.

Trump ka pranuar të hënën se ka diskutuar me presidentin ukrainas për Bidenin dhe djalin e tij, i cili ka punuar për një kompani për gaz në Ukrainë.

Mirëpo ai ka mohuar se ka tentuar ta detyrojë Zelenskyin për të nisur hetime rreth korrupsionit për Bidenin dhe djalin e tij, në këmbim të ndihmës ushtarake.

Në një konferencë për media të mërkurën, Trump i ka cilësuar sërish procedurat për shkarkimin e tij si “gjueti shtrigash”.

Zelenskiy në anën tjetër ka thënë se nuk mund ta detyrojë askënd që të nisë hetime.

“Ne jemi shtet i pavarur dhe kemi prokuror të pavarur. Nuk mund ta detyrojë askënd. Kjo është përgjigjja. Nuk kam thirrur askënd. Nuk i kam kërkuar asgjë askujt”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.