Ballina / Kulturë / Konfuci, një filozof për të gjitha kohët

Konfuci, një filozof për të gjitha kohët

Ne dimë shumë pak gjëra me siguri, rreth jetës së filozofit kinez Konfuci (një version perëndimor i emrit të tij, që do të thotë ‘Mësuesi Kong’). Ai thuhet se ka lindur në vitin 551 para Krishtit në Kinë. Ai mund të ketë qenë student i mësuesit Daoist Lao Tzu.

Sipas gojëdhënave, ai filloi shërbimin në qeveri në moshën 32 vjeçare dhe ka shërbyer në shumë role, duke përfshirë Ministrin e Krimit nën sundimin e Dukës Ding në shtetin e Lu. Sidoqoftë, kur Konfuci ishte 56 vjeç, ai dhe duka u përplasën mbi ekseset e ushtrisë, kështu që Konfuci u largua nga gjykata dhe nisi endjet e tij për 12 vjet.

Konfuci paraqitej si një ‘transmetues i cili nuk kish shpikur asgjë’, sepse ai besonte se po mësonte rrugën natyrore drejt sjelljes së mirë, e cila kalonte nga mësuesit më të mëdhenj, hyjnorë. Rreth shekullit të dytë para Krishtit, veprat e Konfucit u mblodhën në Analektet (Lunyu), një koleksion thëniesh të shkruara nga ndjekësit e tij. Këto nuk janë gjithmonë urdhëresa, sepse Konfuci nuk pëlqente të ofronte rregulla strikte. Përkundrazi, ai besonte se nëse thjesht jetonte me virtytin, ai do t’i frymëzonte të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Për shembull, një nga pasazhet e shkurtra në Analektet është:

Ahuri u dogj kur Konfuci ishte në gjykatë. Me t’u kthyer, ai tha: “A ka ndonjë njeri të lënduar?” Ai as nuk pyeti për kuajt.

Në këtë histori të thjeshtë me tre fjali, ne jemi në gjendje të mendojmë për vlerën e nënkuptuar të jetës njerëzore mbi sendet apo kuajt, dhe të pyesim nëse do të kishim bërë të njëjtën gjë.

Disa prej moraleve që mësoi Konfuci janë lehtësisht të dallueshme – më së shumti versioni i tij i ‘Rregullt të Artë’: ‘Mos u bëni të tjerëve, atë që nuk dëshironi t’ua bëjnë ju’. Por disa prej tyre gjithashtu tingëllojnë shumë të çuditshme ose të vjetëruara për veshët moderne (sidomos ato perëndimorë). Na duhet këshilla e tij edhe më shumë për këtë arsye. Ai shërben si një antidot ndaj problemeve me të cilat ballafaqohemi sot. Ja disa shembuj të asaj që Konfuci na ndihmon të kujtojmë:

Ceremonia është e rëndësishme

Analektet janë një libër i shkurtër dhe në dukje i çorganizuar me ngjarje të shkurtra, të mbushura me biseda të çuditshme, midis Konfuçit dhe dishepujve të tij, si kjo:

‘Tsze-kung dëshironte t’ia hidhte me ofrimin e një deleje, të lidhur me inaugurimin e ditës së parë të çdo muaji.

Mësuesi tha: ‘Tsze, ti e do delen; Unë dua ceremoninë’.

Në fillim kjo është e habitshme, nëse mos plot humor. Por Konfuci po i kujton Tsesë – dhe ne – rëndësinë e ceremonisë.

Në botën moderne ne tentojmë të shmangim ceremonitë dhe ta shohim këtë si një gjë të mirë – një shenjë intimiteti, ose mungese pretendimesh. Shumë prej nesh kërkojnë informalitet dhe nuk dëshirojnë asgjë më shumë, sesa t’ju thuhet ‘thjesht ndihuni si në shtëpi’ kur vizitojnë një mik. Por Konfuci këmbëngulte në rëndësinë e ritualeve. Arsyeja që ai i donte ceremonitë më shumë se delja, ishte se ai besonte në vlerën e etikës, traditës dhe ritualit.

Kjo mund të duket shumë e vjetëruar dhe konservatore në shikim të parë. Por në fakt, shumë prej nesh i dëshirojmë ritualet e veçanta – ajo gjellë që na përgatiste nëna sa herë që ishim të sëmurë, për shembull, ose përvjetori i ditëlindjes, ose betimet e dasmës. Ne e kuptojmë se disa gjeste të paramenduara, të qëllimshme dhe të sakta ndezin emocionet tona më të thella. Ritualet i bëjnë qëllimet tona të qarta dhe na ndihmojnë të kuptojmë se si të sillemi. Konfuci mësonte se një person që e kombinon dashurinë (‘ren’) dhe ritualet (‘li’) është një ‘njeri superior’, i virtytshëm dhe moralisht i fuqishëm.

Duhet t’i trajtojmë prindërit tanë me nderim

Konfuci kishte ide shumë strikte se si duhet të sillemi me prindërit. Ai besonte se duhet t’u bindemi kur jemi të rinj, të kujdesemi për ata kur janë të moshuar, të vajtojmë kur vdesin dhe të bëjmë flijime në kujtim të tyre më pas. “Duke u shërbyer prindërve, një djalë mund të kundërvihet, por me butësi”, thoshte ai. ‘Kur sheh se nuk priren ta ndjekin këshillën e tij, ai duhet të tregojë një shkallë më të lartë nderimi, por nuk e braktis qëllimin e tij; Dhe nëse ata e dënojnë, ai nuk duhet t’i lejojë vetes që të murmurisë”. Ai madje thoshte se nuk duhet të udhëtojmë larg, ndërsa prindërit tanë janë gjallë dhe duhet të mbulojmë shkeljet e tyre. Ky qëndrim njihet si devotshmëria filiale (‘xiào’).

Kjo tingëllon e çuditshme në epokën moderne, kur shumë prej nesh lënë shtëpitë e prindërve si adoleshentë dhe rrallë kthehen të vizitojnë. Ne madje mund t’i shohim ata si të huaj, që fati na i ka hedhur në mënyrë arbitrare. Në fund të fundit, prindërit tanë janë kaq jashtë realiteti, kaq humanë në të metat e tyre, kaq të vështirë, kaq gjykues – dhe ata kanë shije kaq të keqe në muzikë! Megjithatë, Konfuci e kuptonte se në shumë drejtime, jeta morale fillon në familje. Ne nuk mund të jemi me të vërtetë të kujdesshëm, të mençur, mirënjohës dhe të ndërgjegjshëm nëse nuk kujtojmë ditëlindjen e mamasë dhe nuk takojmë babanë për drekë.

Duhet të jemi të bindur ndaj njerëzve të nderuar

Shoqëria moderne është shumë egalitare. Ne besojmë se kemi lindur të barabartë, secili unik e i veçantë, dhe në fund duhet të jemi në gjendje të themi dhe të bëjmë atë që na pëlqen. Ne hedhim poshtë shumë role të ngurta hierarkike. Megjithatë, Konfuçi u thoshte ithtarëve të tij: “Lëreni sundimtarin të jetë sundimtar, të sunduarin të sunduar, babain baba dhe birin bir”.

Kjo mund të tingëllojë e tmerrshme, por është e rëndësishme të kuptojmë se ka njerëz që meritojnë nderimin tonë të thellë, madje edhe bindjen tonë të thjeshtë e të përulur. Ne duhet të jemi aq modestë sa për të njohur njerëzit, eksperiencat ose arritjet e të cilëve janë më të mëdha se tonat. Ne gjithashtu duhet të praktikojmë paqësisht, atë që këta njerëz kanë nevojë, kërkojnë ose urdhërojnë. Konfuci shpjegonte: “Marrëdhënia midis eprorëve dhe vartësve është si ajo midis erës dhe barit. Bari duhet të përkulet, kur era fryn mbi të”. Përkulja në fakt nuk është një shenjë dobësie, por një gjest përulësie dhe respekti.

Dija e kultivuar mund të jetë më e rëndësishme se sa kreativiteti

Kultura moderne i kushton shumë rëndësi krijimtarisë – shpërthimeve unike krijuese, që na vijnë papritur. Por Konfuci ishte i palëkundur për rëndësinë e mençurisë universale, që vjen nga vitet e punës së madhe dhe reflektimit. Ai përmendte dhembshurinë e lartpërmendur (‘ren’) dhe ritualet (‘li’) midis tri virtyteve të tjera: drejtësisë (‘yi’), dijes (‘zhi’) dhe integritetit (‘xin’). Këto njiheshin si ‘Pesë virtytet konstante’. Ndërsa Konfuci besonte se njerëzit ishin në thelb të mirë, ai gjithashtu thoshte se virtytet si këto duhet të kultivohen vazhdimisht, ashtu si bimët në një kopsht. Ai u thoshte ithtarëve të tij: ‘Në të pesëmbëdhjetat, kisha prirjen të mësoja. Në të tridhjetat, qëndroja i patundur. Në të dyzetat, nuk kisha dyshime. Në të pesëdhjetat, i njihja urdhëresat e Qiellit. Në të gjashtëdhjetat, veshi im ishte një organ i bindur për të pritur të vërtetën. Në të shtatëdhjetat, mund të ndiqja atë që dëshironte zemra ime, pa shkelur atë që ishte e drejtë”. Ai fliste për karakterin moral dhe mençurinë, si vepra të një jete. (Tani mund të kuptojmë pse ai kishte një nderim të tillë për pleqtë!)

Natyrisht, një shpërthim i frymëzimit mund të jetë ajo që na duhet, për të filluar biznesin ose ta ribëjmë jetën tonë. Por nëse jemi shumë të ndershëm me veten, do të duhet të pranojmë se edhe vetë duhet të kushtojmë më shumë energji për të ndryshuar ngadalë zakonet tona. Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, është ajo që na pengon të bëhemi me të vërtetë inteligjentë, të realizuar dhe të mençur.

***

Pas udhëtimit për shumë vite, Konfuçi u kthye në atdheun e tij në moshën 68 vjeç dhe iu kushtua mësimdhënies. Ai thuhet se ndërroi jetë në vitin 479 para Krishtit, në moshën 72 vjeç – një numër i mbarë dhe magjik. Ai vdiq pa reformuar dukën dhe zyrtarët e tij. Por pas vdekjes së tij, pasuesit e Konfucit krijuan shkolla dhe tempuj në nder të tij në Azinë Lindore, duke përcjellë mësimet e tij për më shumë se 2,000 vjet.

Në fillim, dijetarët konfucianë u persekutuan në disa zona gjatë dinastisë Qin (shek III para Krishtit). Por, në dinastinë Han (shekulli III para Krishtit deri në shekullin III pas Krishtit), konfucianizmi u bë filozofia zyrtare e qeverisë kineze dhe qëndroi në qendër të burokracisë së Kinës, për gati dy mijë vjet. Për një kohë, mësimet e tij lidheshin me ato të Lao Tzu dhe Budës, në mënyrë që taoizmi, konfucianizmi dhe budizmi të mbaheshin si praktika shpirtërore plotësisht të pajtueshme. Ndoshta më e rëndësishmja, mendimi i Konfucit ka patur një ndikim i madh në idetë politike lindore në lidhje me moralin, bindjen dhe udhëheqjen e mirë.

Sot miliona njerëz vazhdojnë të ndjekin mësimet e Konfuci si një disiplinë shpirtërore ose fetare dhe madje edhe të respektojnë ritualet konfuciane në tempuj dhe në shtëpi.

Ne mund t’i konsiderojmë virtytet konfuciane pak të çuditshme ose të vjetëruara, por kjo është ajo që në fund të fundit, i bën ato më të rëndësishme dhe më bindëse. Ne kemi nevojë për to, si një korrektues për ekseset tona. Bota moderne është pothuajse çuditërisht jo-konfuciane – joformale, egalitare dhe plot me risi. Pra, ne jemi në rrezik të bëhemi impulsivë, të parespektueshëm, dhe të rrëmbyer, pa një këshillë të vogël nga Konfuci … / Përgatiti: Bota.al

Provo po ashtu

Netanjahu

Facebook pezullon faqen e Netanjahut, shkak gjuha e urrejtjes

Facebook-u njoftoi se ka pezulluar faqen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për shkak të shkeljes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.