demarkacioni

Konfirmon Mustafa: Demarkacioni procedohet gjatë këtyre ditëve

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, pritet të procedohet gjatë këtyre ditëve.

Kështu ka bërë të ditur kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Këtë javë do të jetë raporti i Komisionit për Demarkacion”, tha Mustafa.

Ai ka theksuar se është shansi i fundit që kjo Marrëveshje të përfundojë dhe t’i hapë rrugë vendit për heqjen e vizave.

Marrëveshjen aktuale me Malin e Zi po vazhdon ta kundërshtojë opozita e cila nuk ka pranuar as rezultatin e Komisionit Shtetëror për Matjen e Territorit.

Opozita thotë se do ta kundërshtojë fuqimisht kalimin e saj, duke mos kursyer as gazin lotsjellës. Ka zëra opozitarë që kanë paralajmëruar edhe rikthimin e gazit lotsjellës në Kuvend, si formë e manifestimit të kundërshtimit të demarkacionit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka garantuar qytetarët se kjo Marrëveshje nuk do të kalojë. “Të gjithë njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi i garantojmë se kjo marrëveshje nuk do të bëhet”, ka thënë Lekaj.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është vënë si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimi Evropian.

Që nga viti 2012 zyrtarët kishin pohuar vazhdimisht se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e regjimit të vizave, por si u pa, deklaratat e tilla kishin qenë vetëm për konsumimin e brendshëm politik, që ka ndihmuar politikanë të caktuar të kapultohen më lartë në pozicionet e tyre politike të paguara mirë nga taksat e qytetarëve.

Demarkacionin e kanë mbështetur vazhdimisht përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Ai është rezultat i Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Është shumë e rëndësishme që çështja e sovranitetit të Kosovës të përmbyllet. Pjesë e përmbylljes së saj është demarkacioni me Malin e Zi, por edhe me vendet e tjera fqinje, kishte deklaruar kohë më parë kryeparamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.