Ballina / KRYESORE / Komandantët, zotërues e nëpërkëmbës të “vlerave të luftës”

Komandantët, zotërues e nëpërkëmbës të “vlerave të luftës”

“Vlerat e luftës” janë reduktuar në kultin e luftëtarit, me qëllim që të krijohet edhe kulti i “komandantëve” të shndërruar në politikanë pas lufte, dhe me to manipulojnë më së shumti ata që deklarohen si më përgjegjësit për t’i mbrojtur

Nga Dush Gashi

Në përpjekjet jo aq të suksesshme për krijimin e mitologjisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e dikurshëm të saj “vlerat e luftës” i kanë reduktuar thuaja se vetëm në kultin e luftëtarit. Të shndërruar në politikanë pas lufte, ata sikur kanë dashur që me këtë të sigurojnë paprekshmërinë e tyre, të pushtetit dhe të privilegjeve të tyre.

Ngjashëm me sistemet totalitare, me këtë është synuar krijimi i tipit karizmatik të pushtetit, i cili, sipas Max Weberit “mbështetet në besimin për fuqinë profetike, trimërore dhe shpirtërore të prijësit”. Prandaj “prijësi është mbi ligjin, ai nuk është i kufizuar nga sistemi dhe ndër anëtarët e partisë ekziston mahnitja me prijësin. Prijësit i detyrohemi për dëgjueshmëri, por jo për shkak të pozitës së tij të lartë, por për shkak të vetive të tij të jashtëzakonshme, ndërsa ai i flijon ato veti dhe i shfrytëzon për të mirën e popullit”.

Këtë e kanë dëshmuar pothuaj se të gjitha reagime publike, madje edhe protestat për “mohimin e vlerave të luftës” gjatë tërë këtyre viteve të pasluftës, të cilat janë bërë më së shpeshti në rastet kur ndonjë pjesëmarrës i luftës, kryesisht nga hierarkia e lartë e tyre, është gjetur në situatë të ballafaqohet me drejtësinë.

Në të kundërtën, sikur vërtet të angazhoheshin për “vlerat e luftës”, atëherë do të mbronin më parë frytet kryesore të saj: pavarësinë e lirinë. Pavarësinë e kanë rrezikuar vazhdimisht, duke mos krijuar një shtet funksional. Liria, ndërkaq, nuk ka kuptim pa drejtësi, mirëqenie e zhvillim dhe gjithçka tjetër që ka qenë e mohuar apo e kufizuar në gjendjen e paraluftës. Gjendja e tashme e Kosovës nga të gjitha këto këndvështrime, siç e dimë, vlerësohet me tone të zymta. Luftëtarët tanë kurrë nuk kanë protestuar për këto çështje.

Sikur vlerë e luftës, pra, të konsiderohej edhe drejtësia, atëherë prokurori Elez Blakaj do të duhej të ishte njeri shumë i çmuar në këtë vend. Shfaqja e tij vitin e kaluar ishte femomen i paparë deri atëherë në Kosovë. Sikur të kishte dalë nga ndonjëri prej atyre filmave më të mirë amerikanë a italianë për heronjtë e drejtësisë, ai u tregua i pakompromis për barazinë para ligjit dhe në aktakuzën e tij i përfshiu këdo që mendonte se është përgjegjës për procesin e paligjshëm të verifikimit dhe njohjes së statusit veteran i UÇK-së, duke përfshirë figura të larta nga kjo hierarki dhe madje edhe vetë komandantin e dikurshëm të saj, Agim Çeku.

Aktakuza e Blakajt, e mbështetur në parimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit, e ngarkonte Çekun, tash të mveshur me petk politik, se ka bërë shkelje ligjesh e rregullash gjatë verifikimitë të statusit të veteranëve të luftës dhe se nuk janë respektuar kriteret ligjore, por kryesisht ato të njohjes dhe afërsisë familjare ose politike. Me një fjalë, se fyerje më të madhe luftëtarëve të vërtetë as që do të mund t’u bënte kush sa komandanti i tyre.

Por, e dimë se si u “përcoll” Blakaj në ikjen e tij për në ShBA. Ndaj njeriut, i cili po e mbronte drejtësinë, e me këtë edhe nderin e luftëtarëve të vërtetë, u drejtuan fyrje të pashembullta me shprehjet më të ulëta, madje nga krerët e tri shtyllave të pushtetit të këtij vendi, të bashkuar në një front.

Tash, kur dukej se megjithatë rasti i listave të veteranëve, të fryra me luftëtarë të rrejshëm, i është dorëzua drejtësisë dhe është hapur procesi gjyqësor, ai u rishfaq sërish papritmas, këtë herë me akuza e kundërakuza për manipulime të reja me të. Deri sa vitin e kaluar dyshohej se listat janë fryrë me qëllim të përfitimeve materiale, tash motivi është tjetër – përfitimi i votuesve për zgjedhjet e tetorit. Duke dëshmuar kështu për të kushedisatën herë, se para pushtetit nuk respektohet asnjë vlerë tjetër në këtë vend.

Deri sa atëherë të dy “krahët e luftës” gjendeshin në të njëjtën anë, tash ka përçarje mes tyre. Nga ana e PDK-së dëgjohen akuza për dhënien e certifikatave të reja luftëtarëve të rrejshëm, nga frika se këtë po e bën partia e Ramush Haradinajt dhe se kështu do të fitojë më shumë vota në zgjedhje, gjë që e mohoi pala tjetër. Sido që të jetë, me “vlerat e luftës” e luftës sërish po bëhet tregti.

Edhe premtimi i kreut të PDK-së se, në rast se i fiton zgjedhjet, qeria e tij do t’i pastrojë listat e fryra të veteranëve, pasi që rasti njëherë i është dorëzuar drejtësisë, është vetëm edhe një manipulim i ri. Ai me këtë vetëm sa po e thotë se rasti kur të duan mund t’i jepet apo t’i merret drejtësisë. Duke dëshmuar kështu se komandantët janë zotëruesi kryesorë të i fatit të veteranëve dhe të “vlerave të luftës”, apo edhe i nëpërkëmbjes së tyre.

Dhe, i fatit të të gjithë nesh, nëse në këtë vend me këto zgjedhje nuk ndodh një ndryshim.

Provo po ashtu

VV e LDK takohen sërish të mërkuren, ende nuk dihet se kur certifikohen zgjedhjet

Një takim i ri ndërmjet grupeve punuese të Vetëvendosjes dhe LDK-së për të harmonizuar programet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.