fbpx

KMDLNJ: A kemi bërë sa duhet për të pagjeturit?!

Edhe 16 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, 1655 persona janë në listën e të pagjeturve dhe të afërmit e tyre janë në ankth 24 orësh në pritje të një informate për fatin e më të dashurve të tyre, thotë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në këtë listë ka anëtarë të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë , të gjitha gjinive, të gjitha besimeve , të gjitha moshave të atyre që kanë pasur një status social , shoqëror , ekonomik dhe arsimor . Janë persona që kanë familje, të afërm , janë gjyshër, prindër, vëllezër, motra, nipa dhe mbesa dhe të cilët, për fat të keq nuk kanë pasur përkrahje të mjaftueshme institucionale e sidomos ndërkombëtare në përpjekjet për ta realizuar njërën ndër të drejtat elementare të njeriut , të drejtën për ta siguruar një informatë për fatin e më të dashurve të tyre që janë në listën e personave të pagjetur .

Anëtarët e familjarëve të të pagjeturve kështu , ndonëse i ndanë një hapësirë e madhe u bënë njëjtë me nënat që për dhjetra vite protestojnë në Piaca de Maja , Sheshi i Majave në Argjentinë në kërkim të zbardhjes së fatit të të rrëmbyerve nga Junta ushtarake , me nënat e Kilit, Bolivisë , Sierra Leones. Ruandës, Afrikës së Jugut , Sudanit, Eritresë , Kroacisë dhe Bosnjes , si vende ku ka pasur shkelje të rëndë të Zakoneve të Luftës dhe Ligjit për të Drejtën Humanitare , deri në gjenocid. Familjarët e të pagjeturve në Kosovë e bënë të pamundurën , edhe në aspektin fizik , shpirtëror dhe material për të siguruar informata të cilat, në të shumtën e rasteve munguan. Familjarët ranë pre e mashtruesve duke dhënë shuma të mëdha parash për sigurimin e informative të cilat, ose ishin të rreme ose ishin dezinformata. Familjarët , me të drejtë kërkonin ndihmë nga institucionet e Kosovës , qoftë të përkohshme siç ishin apo edhe ato më të konsolidura, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duhet pranuar se institucionet e Kosovës ishin shumë të kufizuara në dhënien e ndihmës ndërsa ato ndërkombëtare çështejen e të pagjeturve e kishin bërë pjesë të agjendës politike dhe ishin shumë të kujdesshëm kur duhet të bëhej trysni te palët përgjegjëse për zhdukjen e këtyre personave .

Ndërkombëtarët e kishin mundësinë por edhe detyrim që pasi përfunduan veprimet ushtarake të kërkojnë nga palët ndërluftuese të tregojnë për vendndodhjen apo fatin e personave të pagjetur e që mbanin përgjegjësi të drejtpërdrejtë apo tjetër për zhdukjen e tyre. Për shkak të mbarvajtjes së proceseve politike dhe ruajtjes së stabilitetit politik dhe situatës së sigurisë, çështjen e personave të pagjetur nuk e trajtuan si çështje të prioritetit të lartë dhe kishin qëndrim të barazpeshuar për këtë! E tejkaluan shumë lehtë rastin e Batajnicës dhe Petrovo Sellos e që ishin përpjekje kriminale të shtetit të Serbisë për mëshehjen e krimit përmes zhdukjes së kufomave apo asgjësimit të mbetjeve mortore. U tejkaluan me një lehtësi të pabesueshme pjesa më e madhe e masakrave në Kosovë që përfunduan me zhdukjen e të ekzekutuarve apo edhe atyre rasteve të pengmarrjes që pastaj rezultuan me listen e të pagjeturve.

Në Kosovë janë dy grupe të të pagjeturve ; atyre që u zhdukën si pasojë e një politike shtetërore dhe kriminale të shtetit të Serbisë e cila u përdor si mjet lufte dhe për të cilën dihet se kush kishte dhënë urdhër ( politika serbe ) ndërsa ekzekutimin e bënë forcat e armatosura të këtij shteti ( ushtria e rregullt , policia dhe njësitë paramilitare ) që ishin nën një komandë dhe grupi i dytë i të pagjeturve ishin ata që u zhdukën në dy vitet e fundit pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në listën e parë të pagjeturve pjesa dërrmuese janë shqiptarë pastaj në numër shumë më të vogël janë serbët dhe romët . Këta janë të pagjeturit si pasojë e luftës. Në grupin e dytë të pagjeturve , pas përfundimit të luftës, pjesa dërrmuese janë serbë, romë dhe pjesëtarë të pakicave tjera si dhe ndonjë shqiptarë që është konsideruar si bashkëpunëtor i Serbisë .

Të gjithë këta janë zhdukur në prani të forcave ndërkombëtare ( policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it ) që është dashur t’i mbrojnë ata ndërsa motivet e zhdukjes së tyre kryesisht janë të natyrës ekonomike ( uzurpimi i banesave , shtëpive , plaçkitje e pronës së tyre etj.) , ndonjë rast të hakmarrjes eventuale dhe motive tjera të ulëta që nuk kanë të bëjnë fare me çështje kombëtare apo politike prapa së cilës janë strehuar kriminelët ordinerë, që në të shumtën e rasteve kanë mbetur të pandëshkuar . Është interesant fakti se më shumë ka pasur vullnet dhe gatishmëri të hetohen zhdukjet e pas luftës se ato që janë bërë gjatë luftës në Kosovë të viteve 1998 – 1999 ndërsa nuk ka pasur fare interes të hetohen zhdukjet në kohën e para luftës përkatësisht në vitet 1996 dhe 1997 e mos të flasim për zhdukjen e qytetarëve të Kosovës ( kryesisht shqiptarë ) në luftën e Kroacisë dhe Bosnjes apo ata shqiptarë që e kanë shfrytëzuar territorin e Serbisë dhe Malit të Zi si transit për të shkuar në vendet perëndimore.

Qasje e gabuar për fatin e të pagjeturve : Mungesa e vullneti politik ishte dhe ka mbetur përcaktues për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur përkatësisht politizimi i kësaj çështjeje që është krejtësisht humane dhe e drejtë njerëzore ka shkaktuar shumë probleme sikur që as tash nuk e kemi një gjendje më të mirë. Arsyetimi i krimeve të kriminelëve tanë të portretizuar si heronj dhe akuzimi i kriminelëve të palës tjetër të cilët mbesin vetëm kriminelë e ka penguar dinamikën e zgjidhjes së fatit për personat e pagjetur. Përpjekjet që kjo çështje të zgjidhet sipas parimit të ekskluzivitetit nacional vetëm sa e ka ngatërruar më shumë këtë problem duke zvogëluar dukshëm mundësitë e tejkalimit të kësaj situate jashtëzakonisht të ndërlikuar . Mosveprimi efikas i organeve të hetuesisë , ndjekjes dhe gjykatave ka penguar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur duke e përligjur parimin e mosndëshkueshmërisë si standard gjë që e ka luhatur besimin e familjarëve të personave të pagjetur në këto institucione duke e vështirësuar bashkëpunimin dhe duke lënduar ndjenjat e këtyre familjarëve. Ndërkombëtarët kanë dështuar shumë për shkakun se nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë informata nga palët ndërluftuese sikur edhe në procesin e identifikimit të lokacioneve të mundshme të varrezave masive dhe mbetjeve mortore.

Çka duhet të bëhet të përshpejtohet i tërë procesi ; Duhet të vendoset si pikë me prioritet çështja e fatit të personave të pagjetur në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës me porosi të çart se bashkëpunimi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur do të jetë kusht për proceset integruese evropiane për vendet që e kanë këtë synim dhe të cilat janë përgjegjëse për zhdukjen e këtyre personave , kanë informata për vendndodhjen e tyre apo mund t’i sigurojnë këto informata .
Çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur duhet të trajtohet si çështje e përgjithshme dhe jo të ndahet në baza etnike apo të shndërrohet në çështje individuale . Të gjithë të pagjeturit janë të barabartë dhe familjarët e tyre kanë të drejta të barabarta në të gjitha fazat e zgjidhjes së kësaj çështjeje.
Ata që janë përgjegjës për fatin e personave të pagjetur duke qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë , nuk ofrojnë të dhëna për viktimat , i mëshehin faktet apo janë jobashkëpunues duhet të sillen para organeve të drejtësisë .
Familjarët e personave të pagjetur të organizuar në shoqata të ndryshme apo organizime tjera duhet të bashkëpunojnë më shumë midis tyre pavarësisht të përkatësisë etnike në mënyrë që të punohet me një dinamikë më të përshpejtuar.

Të gjithë ata që kanë informata e që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur duhet t’i ofrojnë këto informata edhe në kushte të anonimitetit të thellë në rast se u rrezikohet jeta.Procesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, mbështetur në të dhënat e shteteve ku ka pasur luftë , është një proces i cili kurrë nuk përmbyllet deri në fund dhe se plagët mbeten të pashëruara mirëpo KMDLNj mendon se mund dhe duhet të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur se që është bërë deri më tani.

Ballafaqimi me të kaluarën është proces shumë i rëndë , i dhimbshëm por pashmangshëm duhet të përballemi me këtë të kaluar për ta jetuar të sotmën dhe për ta ndërtuar të ardhmën. Vendosja e një përmendoreje në oborrin e Kuvendit të Kosovës , ndonëse është bërë me nguti është një shprehje solidariteti , kujtimi por edhe thirrje për drejtësi për personat e pagjetur dhe familjarët e tyre. Ndërtimi i një Muzeu për të Pagjetur , që është planifikuar dhe që shpresoj se do të ndërtohet në afatin e paraparë do të jetë një vendtakim dhimbjeje, loti, krenarie dhe shprese për familjarët e të pagjeturve dhe një vend ku do të mësohet historia e cila nuk do të duhej të përsëritej.

KMDLNJ/ Behxhet Sh. Shala,  Drejtor Ekzekutiv