obsh

Këto janë rekomandimet e OBSH-së në Ditën Botërore kundër Duhanit

Në Ditën Botërore Pa Duhan (DBPD) Organizata B0tërore e Shëndetësisë ka dalur me një numër rekomandimesh konkrete.

InfoGlobi ua sjell ato në tërësi:

1. Çdo vit, produktet e duhanit vrasin më shumë se 8 milionë njerëz, nga të cilët mbi 1 milion vdesin prej ekspozimit ndaj tymosjes pasive.

2. Rajoni evropian i OBSH-së ka prevalencën më të lartë të përdorimit të duhanit në botë, çka sjell një barrë të rëndë shëndetësore dhe ekonomike, si dhe bëhet shtysë për pabarazi më të mëdha shëndetësore. Për vitin 2018, OBSH-ja vlerëson se në këtë Rajon përdorues të duhanit ishin 186 milionë persona, nga të cilat 119 milionë ishin burra dhe 67 milionë gra.
Për sa i përket përdorimit të duhanit nga rinia evropiane, OBSH-ja vlerëson se në grupmoshën 13-15 vjeç, 14% e djemve (ose 2.2 milionë) dhe 12% e vajzave (1.7 milion) janë aktualisht përdorues të duhanit.

3. Përdorimi i cigareve elektronike nga fëmijët dhe adoleshentët më së paku i dyfishon gjasat që ata të tymosin cigare më vonë në jetë. Shkalla e përdorimit të cigareve elektronike mes rinisë të Rajonit është në rritje. Anketat kombëtare tregojnë se kjo shkallë shkon nga 0.9% në Slloveni (2014) në 23.4% në Poloni (2016). Vendet që përmes anketimeve kanë mbledhur të paktën dy herë informacion mbi përdorimin e cigareve elektronike, vëzhgojnë rritje të përdorimit të cigareve elektronike me kalimin e kohës, si tek djemtë ashtu edhe tek vajzat.

4. Përdorimi i duhanit është përgjegjës për 25% të të gjitha vdekjeve nga kanceri në nivel global. Në rajonin evropian pothuajse 9 nga 10 kancerët e mushkërive kanë të bëjnë me përdorimin e duhanit. Përdorimi i produkteve të nikotinës dhe duhanit rrit riskun e kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe pulmonare. Po ashtu, përdorimi i duhanit e rrit në mënyrë të konsiderueshme mundësinë e vdekjes së parakohshme nga disa SJT, siç janë SKV-të,
kanceri dhe sëmundjet respiratore, të cilat tek burrat shkaktojnë 25%, 41% dhe 63% të vdekjeve, dhe tek gratë 6%, 10% dhe 37% të vdekjeve.

5. Përdorimi i cigareve elektronike rrit riskun për sëmundje të zemrës dhe çrregullime të mushkërive. Nikotina në cigaret elektronike është një substancë që krijon varësi të lartë dhe mund të dëmtojë trurin në zhvillim të fëmijëve.

6. Tymosja me shisha është po aq e dëmshme sa format e tjera të përdorimit të duhanit. Tymi i shishas është toksik. Ai përmban substanca që shkaktojnë kancer.

7. Fakti që nuk ka tym nuk do të thotë që është i padëmshëm. Përtypja e duhanit mund të shkaktojë kancer në gojë, humbjen e dhëmbëve, dhëmbë të nxirë, dhe sëmundje të mishrave të dhëmbëve.

INDUSTRIA E DUHANIT DHE TAKTIKAT E SAJ

8. Për të ruajtur fitimet, industrisë së duhanit dhe aktiviteteve të lidhura u duhet të gjejnë vazhdimisht konsumatorë të rinj për të zëvendësuar ata që vriten nga produktet e tyre.
Kompanitë e duhanit shpenzuan mbi 8 miliardë në marketing dhe reklama, kurse bota humbi 8 milionë jetë nga shkaqet që lidhen me përdorimin e duhanit dhe ekspozimin ndaj tymosjes pasive.

9. Taktikat e industrisë së duhanit dhe aktiviteteve të lidhura për marketing mes fëmijëve dhe adoleshentëve përfshijnë:
• Mbi 15,000 shije, shumica e të cilave janë tërheqëse për fëmijë dhe adoleshentë
• Influencues dhe marketing në rrjete sociale
• Evente dhe festa të sponsorizuara
• Bursat shkollore
• Dizajne elegante
• Vendosje të produkteve në media argëtuese
• Mostra falas të produkteve
• Shitja e cigareve një e nga një e bën varësinë më të përballueshme
• Shitja e produkteve në nivelin e syve të fëmijëve
• Vendosja e produkteve dhe reklamave pranë shkollave

SYNIMET E FUSHATËS SË DBPD-SË PËR VITIN 2020

10. Ne duam të krijojmë një brez të lirë nga duhani dhe tymosja pasive, dhe vdekjet e sëmundjet që këto shkaktojnë.
11. Shkëputuni nga manipulimet e industrisë së duhanit dhe aktiviteteve të lidhura duke u edukuar mbi taktikat e tyre dhe dëmet e shkaktuara nga produktet e tyre.
12. Ne duam të theksojmë se duhanpirja është e shtrenjtë, dhe ju e paguani me pamjen dhe shëndetin tuaj. Shkakton frymë të keqe, dhëmbë të verdhë, rrudha në lëkurë, mushkëri të pashëndetshme dhe sistem të dobët imunitar.
13. I inkurajojmë të gjithë që të edukohen, të përhapin vetëdijesimin dhe të krijojnë një brez pa
duhan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.