Ballina / KRYESORE / Kërkohet e pamundura: Një qeveri që nuk vjedh miliona

Kërkohet e pamundura: Një qeveri që nuk vjedh miliona

Këtë edhe do të mund të na e ofronin LDK-ja e Vetëvendosje, por ndasia e vërtetë mes tyre, por edhe brenda tyre është se a duan vërtet ta mundin “krahun e luftës”

Shkruan: Dush Gashi

Lutfi Haziri para disa ditësh tha se në LDK nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni me Vetëvendosjen. Pastaj, si i frikësuar mos kjo po merret tepër seriozisht, siç ka vepruar edhe më parë, e nxori letrën e tij të fshehur në mëngë: kërkesën që Vetëvendosje ta rishikojë qëndrimin e saj të mosrespektimit të presidentit Rugova. Disi kjo tingëllon sikur t’ua kërkojë ta ndërrojnë fenë. Meqë Luta, siç e quajnë me përkdhelje apo me përçmim, si edhe shumica e politikanëve kosovarë, qytetarët e këtij vendi nuk i respekton si të moshës madhore, ai me këtë vetëm sa në mënyrë të pashkathtë përpiqet ta fshehë atë që e do vërtetë: ruajtjen e gjendjes së tanishme. Përndryshe, po ta dëshironte këtë, në vend se për të kaluarën, do të duhej të kërkojë të pajtohen për të ardhmen – për pikat themelore të një programi qeverisës dhe për qëndrimet rreth proceseve politike që priten. Deklaratës së tij se LDK-ja kurrsesi nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, pra, nuk i beson as ai vetë.

Pyetje është se a janë për ndryshimin e gjendjes së tanishme edhe kandidatët tjerë të përmendur si pretendentë të mundshëm të kreut të LDK-së dhe, me automatizëm, edhe për kryetarë qeverie.

Isa Mustafa, i cili është dëshmuar se mund të bëjë një qeveri pa abuzime e pa skandale, megjithatë është zemërbutë ndaj Hashim Thaçit.

Fatmir Sejdiu, një burrë i cili e ndryshon intonacionin e zërit kur flet publikisht, e i cili ka pranuar të jetë kryetar nderi i LDK-së, që në njëfarë mënyre do të thotë edhe pensionimin politik, sa herë rikthehet me pretendimin për të marrë kreun e partisë vetëm sa tregon se LDK-ja nuk ka bërë hapa para. Përndryshe, deri sa në kohën e tij të timonierit nuk dihej se ku përfundonte LDK e ku fillonte PDK-ja – as që do të kishte çfarë të thotë.

Agim Veliu, pretendenti tjetër, i cilësuar tashmë me epitetin regjional “llapjan”, reagoi si i rënë në prush ndaj idesë për koalicion, duke u rreshtuar kështu haptas prapa Lutfi Hazirit në dëshirën që gjithçka të mbetet siç ka qenë.
Dallim prej tyre bën Vjosa Osmani, e cila gjithmonë ka shfaqur qëndrim të ashpër ndaj PDK-së, duke ngjallur kështu simpatinë e shumë qytetarëve si shpresë për ndryshime, si brez e si pikëpamje.

Por, meqë LDK-ja ka kohë që, në vend të debatit të hapur e demokratik, është tërhequr larg syve e veshëve të publikut si një llozhë masonerie e jo si një parti demokratike, si për Vjosën, ashtu edhe për kandidatët e tjerë, megjithatë mbetet veli i misterit, se për çka angazhohen ata me të vërtetë, vel të cilin do t’ua hiqte vetëm filtrimi i tyre në debatin e lirshëm të anëtarësisë dhe, në fund, konfirmimi me votim në Kuvend.

Atë që nuk e ka bërë në një proces të hapur e demokratik, LDK-ja ka lënë hapur mundësinë për ta kompensuar me, siç po flitet, pajtimin për një kryetar konsensual. Me këtë vetëm sa e pranojnë tërthorazi atë që e mohojmë drejtpërdrejt – se ka ndasi brenda partisë.

Si rezultat i tërë kësaj, publiku ende nuk i di kandidatët e vërtetë për kryetar të LDK-së dhe, më e habitshme është se nuk dihet se pse e prej kujt po i mbajnë të fshehur. Prandaj, Kuvendi i së shtunës pritet si një fatalitet. Dhe jo vetëm ai, sepse fundja ne as që e dimë a do të ketë fare zgjedhje dhe sa kohë do të duhet për çfarëdo marrëveshjeje për formimin e institucioneve, duke e bërë të paqartë të ardhmen e këtij vendi.

Nga ana tjetër, Albin Kurti u deklarua me shumë entuziazëm për një koalicion të mundshëm me LDK-në dhe për “një subjekt qe e kthen shpresën në Kosovë”. Por, vetë deklarimi i tij i njëanshëm se për këtë janë në bisedime me LDK-në, më parë duket si një ftesë sfiduese, në stilin “ejani në guxofshi”, e edhe më shumë për të bërë të ditur se cili do të jetë fajtori në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshjeje.

Duket se edhe LDK-ja, edhe Vetëvendosje më shumë energji shpenzojnë për të krijuar përshtypjen se ai tjetri është fajtori për mosmarrëveshje, se sa për marrëveshje. Të dyja palaëve u nevojitet një justifikim para qytetarëve, të cilët kanë pothuajse një ndjenjë mistike se një koalicion mes këtyre dy subjekteve do të ishte vendimtar për ndryshime në vend. Me gjasë, më shumë pavetëdijshëm, se sa që do të mund ta artikulonin qartë, të lodhur me polarizimet përmes shumë linjave, në të cilin i kanë mbajtur liderët e tyre, në një bashkim të tillë qytetarët e shohin shuarjen e ndasive. Por, edhe lënien mënjanë të miteve partiake dhe zbritjen “në tokë” të politikës – ballafaqimin me probleme reale dhe me shfrytëzimin e mundësive reale. Dhe, sidomos, se me këtë më në fund do të bëhej një kthesë për së mbari.

Në zgjedhje do të duhej të kandidohen shembullorët, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk kanë kaq ambicie të mëdha: ata e dinë se as LDK e as Vetëvendosje nuk do të mund të bëjnë mrekulli, nuk do të evitohet krejtësisht as korrupsioni, as epidemia e nepotizmit, as e punësimit partiak, por së paku presin një qeveri e cila nuk vjedh miliona. Dhe, sigurisht, lirimin e drejtësisë nga politika.

Është e qartë se LDK-ja e Vetëvendosje mund ta bëjnë këtë. Por, ndasia e vërtetë ndërmjet tyre, por edhe brenda tyre, se nuk ka parti si tufë ëngjujsh në Kosovë, është se – a duan vërtet ta mundin “krahun e luftës”.

Provo po ashtu

kosnett , shba

SHBA-ja largohet nga bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.