fbpx

Keqmenaxhimi i parasë dhe psikologjia e korrupsionit

Shkruan: Etleva Durmishi / InfoGlobi

Psikologët dhe ekonomistët kanë gjetur një pikë të përbashkët diskutimi dhe kjo është e rëndësishme, pavarësisht faktit që ende mbizotërojnë mospajtime mbi shumë hipoteza. Të parët po ndihmojnë ekonomistët që të kuptojnë psikologjinë e funksionimit të mendjes dhe komponentes afektive dhe konfliktin e saj të shpeshtë me racionalen, dhe sot shohim një elaborim të vazhdueshëm të proceseve kognitive, personalitetit, fëmijërisë së hershme, modeleve të mësuara të sjelljes, presionit të situates, tipit të liderit që do shfaqet më vonë dhe raportit të tij me paranë.

Por jo të gjitha raportet me paranë kanë bazë racionale të të menduarit. Sjelljet, në fakt, janë rezultat i nivelit të bashkëveprimit të zonave të ndryshme të trurit. Një ndër studiuesit më në zë, Joseph Le Doux, ka prezantuar rezultatet e lidhjes së mases së vjetër gri në trurin e njeriut me emocionet dhe ka theksuar se grupet neuronale në formë bajamesh brenda lobit temporal luajnë rol kyç në nxitjen e reaksioneve emocionale të frikës. Pra, frika dhe aktiviteti pasiv i asaj pjese të trurit që dirigjon vetëkontrollin, pamundëson çdo veprim racional në raport me paranë. Përveç kësaj, është evidentuar në studimet laboratorike se ekziston edhe një ndeshje e përhershme në mes të anës së ftohtë dhe anës së nxehtë apo emocionale të trurit, e që gjithashtu përcakton raportin me paranë. Mbizotërimi i njërës prej tyre varet fuqishëm nga tiparet e personalitetit dhe situatat, e që përcaktojnë (mos) bashkëveprimin e regjioneve trunore.

Shembulli më i thjeshtë: në rast se njeriu është gjaknxehtë, euforik, i pamësuar me posedimin e parasë, ai do priret drejt shpenzimeve të pakontrolluara dhe pamundësisë së përcaktimit të një raporti të pranueshëm me paranë. Por në anën tjetër, edhe situatat në të cilat ndodhet shoqëria formojnë tiparet e mësipërme të personalitetit. Një fuqi e tillë bën që individët të bien tërësisht ndesh me mënyrën e mëhershme të veprimit dhe të luftojë rrezikun që vjen nga humbja e mundshme e një page të qëndrueshme dhe përpjekjes së njejtë të pjesës tjetër të shoqërisë për të siguruar një pagë të përafërt. Në rrethana të tilla, ajo pjesë e trurit që është përgjegjëse për vetëkontrollin është pasive, gjë që mund të çojë njeriun në keqpërdorimin e parasë, të përfshihet në afera korruptive, të bëjë shpenzime të pamatura dhe të mos arrijë të shkëputet lehtë nga një shprehi e tillë. Dhe sipas hulumtuesve, guximi për t’u përfshirë lehtësisht në afera të tilla vjen kur njeriu ka shumë modele të ngjashme keqveprimi përreth tij.

Nga studimet dhe autorët e ndryshëm që kanë punuar në këtë tematikë, kuptojmë se keqpërdoruesit më të mëdhenj të parasë vijnë nga ambiente edhe komunitete të pavlerësuara, të pazhvilluara e madje edhe me imazh jo të mirë në sytë e të tjerëve. Përveç kësaj, pasurimi i menjëhershëm e bën të pamundur racionalizimin, vetëkontrollin e shpenzimit dhe si pasojë pengohet një ndërlidhjeje në mes të regjioneve trunore që është kyçe për çdo veprim të drejtë e të matur. Logjika e menaxhimit të drejtë të parasë kërkon posedim gradual të shumave të parasë. Kështu, nëse shohim menaxhuesit e mirë të parasë nën dritën e psikologjisë, atëherë kuptojmë se njerëzit e tillë kanë arritur të shtojnë të ardhurat e tyre vetëm gradualisht, pra, duke pasur kohë të mjaftueshme që të vlerësojnë dhe kuptojnë atë që kanë; pastaj janë edukuar në moshë të hershme se si fitohet dhe menaxhohet paraja, dhe nuk e ndjejnë nevojën e teprisë për të krijuar prestigj, epërsi, dhe integritet social.

Menaxhimi jo i drejtë i parasë nuk kufizohet vetëm tek politikanët dhe etja për posedimin e shumave të mëdha nuk i ndryshon vetëm shprehitë e tyre, por një gjë e tillë vjen duke u bërë e shprehur edhe në shoqëri. Mungesa e rregullit shoqëror, mundësitë jashtëzakonisht të pakëta për punësim, shanset jo të barabarta për integrim, do bëjë që rrëmuja sociale dhe darvinizmi social të kapë majat dhe njerëzit do vihen në garë të dëmshme me njëri-tjetrin. Individët do mbështeten vetëm në nevoja urgjente që, në një situatë të tillë, nuk lejojnë kohë për të gjykuar me anën e ftohtë të mendjes dhe të racionalizojnë sepse natyra e njeriut është e programuar në atë mënyrë që të veprojë kështu kur ndihet në rrezik dhe në prag të dështimit.

Në situata të tilla, bazuar në teorinë e krahasimit social, njerëzit do mësojnë të përligjin mënyrën e gabuar të sigurimit të parasë me arsyetimin se ‘kështu po bëjnë të gjithë’, mendim ky me bazë instiktive. Darvinizmi social do vazhdojë sepse në njërën anë nuk punohet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në anën tjetër, dhe në anën tjetër njerëzit e thjeshtë do përdorin çdo mënyrë që të sigurojnë paranë e nevojshme duke nxitur edhe më tutje kaosin social, duke mos i dhënë shumë rëndësi raporteve të shëndosha ndër njerëzore dhe duke vështirësuar përmirësimin e gjendjes shoqërore apo rikthimin e normalitetit e zhvillimit.