KD: Qindra shqiptarë mbërrijnë në Gjakovë e Prizren, disa kërkojnë vullnetarisht të kthehen

Jeta Ruçi thotë të ketë lënë prapa një qytet-fantazmë.

Kështu e përshkruan ajo Durrësin e pas-tërmetit, prej nga mëngjesin e 28 nëntorit mbërriti në Gjakovë.

Ajo dhe burri i saj, Bilbili, jetojnë në Itali dhe ishin në Durrës përkohësisht, por planet e tyre ndërruan.

Burri i saj shprehet falënderues për pritjen që kanë treguar kosovarët.

Çifti Ruçi, ishin dy nga 16 personat që janë vendosur në hotelin “Amsterdam”, në dalje të Gjakovës.

Në këtë qytet, afër 160 persona kanë mbërritur nga Shqipëria dhe është kërkuar ndihmë për ta.

Personat e vendosur në hotele aty kanë qëndruar përkohësisht, e një numër prej tyre, që vinin kryesisht nga komunitetet pakicë, janë udhëzuar për të vazhduar drejt Prizrenit.

Ata janë sistemuar në Kampin e Inovacionit, dikur baza e KFOR-it gjerman, dhe në mesditë janë vizituar nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Haskuka, tha se gjendja e tyre ishte e mirë, por edhe bëri të ditur se dyshojnë të ketë persona që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmetet.

Derisa në kamp nuk është lejuar hyrja e mediave, informatat i ka konfirmuar edhe drejtori i Emergjencave, Faruk Dakaj, por nuk ka bërë të ditur numrin e personave që do të qëndrojnë aty.

Dakaj e ka bërë të ditur një tjetër numër, atë të personave që kanë kërkuar të kthehen në vendet e tyre pas mbërritjes në Prizren.

Prizreni, një prej komunave në kufi me Shqipërinë, që nga e mërkura, ka pritur familje që janë larguar nga vendbanimet e tyre për shkaqe sigurie.
Për atje, me organizim të kësaj komune, janë dërguar një kontingjent ndihmash që në koordinim me autoritetet shqiptare do të shpërndahen në zonat më në nevojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.