Ballina / KOSOVA / Katër personalitete refuzojnë dekoratën nga Presidenti Thaçi
hashim thaci kuvend

Katër personalitete refuzojnë dekoratën nga Presidenti Thaçi

Qindra personalitete e dhjetëra organizata i ka dekoruar presidenti Hashim Thaçi me Medaljen e 10- vjetorit të Pavarësisë.

Por, Thaçit medaljet ia kanë refuzuar Hidajet Hyseni, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Veton Surroi.

Ja deklarata për refuzim të dekoratës e Veton Surroit: 

Pash emrin tim , dy herë , në listën e të dekoruarve nga Hashim Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë. Që të dyja herët emri im është vënë në proceset vendimtare për arritjen e lirisë dhe pavarësisë, Konferencës së Rambouillet dhe Procesit të Vjenës. Ka qenë nder imi që t’i shërbej vendit.

Konsideroj se Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për kapjen e shtetit, izolimin e tij, vjedhjen e tij, varfërimin e tij material, mendor e shpirtëror, zbrazjen e tij prej një të dhjetës së popullatës për dhjetë vjet pavarësie, humbjen e konsensusit politik e perspektivës së të rinjve brenda tij…Me përjashtim të okupatorëve, nuk ka pasur njeri që i ka bërë kaq dëm vendit.

Me bindjet e mia për këtë njeri refuzoj të marrë çfarëdo dekorate.

I pandershmi nuk mund të me nderojë.as mua e aq me pak këtë vend.
Qytetareve: gëzuar dhe u prifshit ndryshimeve!

Ky është postimi i plotë i Hidajet Hysenit tij në Facebook:

Deklaratë

Lidhur me përfshirjen e emrit tim, në listën e të përzgjedhurve për medalje

Jo medalje politike! Politikë me dalje!

Nga mediat dhe nga urimet e ndonjë dashamiri për Ditën e Pavarësisë, mora vesh përfshirjen edhe të emrit tim, në listën e të përzgjedhurve për t’iu dhënë Medalja Presidenciale e Presidentit të Republikës së Kosovës!

Medaljet e mirënjohjet, siç thonë, janë një gjë e vogël për atë që e jep, por e madhe për atë që e merr. Do të ishte e tillë edhe për mua, aq më tepër kur kjo vjen në shenjë të Përvjetorit jubilar të shpalljes së Kosovës sonë të martirizuar, Republikë, Shtet i Pavarur, Sovran dhe Demokratik…

Do ta pranoja një mirënjohje të tillë dhe do ta përjetoja si një nderim të çmueshëm dhe satisfaksion domethënës, sikur ky përvjetor të ishte karakterizuar me të arriturat dhe realizimet e premtuara, të pritura dhe të zotuara para Republikës sonë të re, të varfëruar, të plaçkitur e të izoluar dhe para qytetarëve të saj të stërvuajtur, të thyer e të zhgënjyer nga gjendja e rëndë e në keqësim të vazhdueshëm dhe me papërspektivën e imponuar dhe të abuzuar…

Ma bëjnë të pamundur pranimin e kësaj mirënjohjeje, pos tjerash, e tjerash e tjerash…, veçanërisht dhe posaçërisht, “dhuratat” dhe “sihariqet” befasuese dhe të papritura, pikërisht në vigjilie të 10 vjetorit të Pavarësisë, – ulja, zhubravitja dhe heqja policore e spektakulare e flamurit kombëtar shqiptar dhe rivulosja, ripaketimi dhe reinkarnimi i (Mos)Marreveshjes mashtruese e vetëmashtruese, për kufirin, që i jep tokën e të parëve, shtetit fqinj të Malit të Zi…

Edhe sikur të realizohej premtimi veresie se prishja e njësisë së gjuhës dhe heqja e simbolit kombëtar, shenjave të shenjta të identitetit shqiptar dhe tëhuajsimi i mijëra kilometrave toke denbabaden shqiptare dhe, me çdo kriter, kosovare, do të funksionojnë si kapar dhe haraç për synimin aktual të kthyer në prioritet strategjik, – liberalizimin e vizave, thënë ndryshe – zhblokimin e blokadës absurde të lëvizjes së lirë të një populli të tërë të martirizuar, kjo nuk do të mund ta justifikonte kurrë Parinë e Kosovës, (dhe askë nga ne) nga përgjegjësia objektive e subjektive historike për pasojat e deritashme dhe ato të priturat, sa a mund të justifikihen, bosët, ustallarët dhe argatët e “visikave” të kohës së tmerrshme të “parabrioneve”.

Dhurata të këtilla dhe mirënjohjet e medaljet nuk shkojnë bashkë.

Jo medalje politike! Politikë me dalje!

Uroj Pavarësi nga vartësia dhe vartësi nga Pavarësia!

Uroj Pavarësi si komb e si shtet; sovranitet, prosperitet, unitet e integritet; me dinjitet, solidaritet dhe me identitet të vërtetë!.

Refuzimi që ia bëri Thaçit Regjep Selimi

NA PASKA DEKORUAR “PRESIDENTI”!

Pashë në media një liste të gjatë të të dekoruarve dalë nga zyra e Presidentit të Kosovës me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë. Aty pashë edhe emrin tim.
Por, unë REFUZOJ të pranojë dekoratë nga një person si Thaçi.
Dekorata e dhënë prej tij nuk më bën nder as mua e as ndonjë luftëtari të UÇK-së.
Refuzoj të pranojë dekoratë nga ai i cili shet tokë të Kosovës sot ashtu sic deri më tani i shiti idealet e luftës se UÇK-së.

Jakup Krasniqi: ARSYET PËRSE E REFUZOJ DEKORIMIN E THAÇIT

1. Veprimtarinë time politike nuk e kam nisur as për pozita, as për pasuri dhe as për dekorime. Kam filluar të merrem me politikë para 45 viteve, thjesht pse e kam dashur lirinë e kombit tim dhe pse Atdheut tim ia kam pasur borxh që t’ia bëj shërbimin pa hile. Kudo ku e kam përfaqësuar vendin dhe kombin tim e kam përfaqësuar pa hile dhe meritueshëm, andaj refuzoj te dekorohem nga Hashimi
2. Hashimi nuk e ka asnjë kriter të vetëm në dhënien e Mirënjohjeve dhe të Dekoratave. Thjesht, ai po bënë pazare politike me mirënjohje e dekorata.
3. Të gjitha vendimet dhe veprimet e politike të Thaçi, që nga viti 2010 e këndej, kanë qenë rrënuese për shtetin e kombin. Marrëveshjet e tij me Serbinë nga ajo e 13 prillit 2013 e këndej kanë qenë e janë antishtetërore dhe antikushtetuese. Ai këtë politikë e vazhdon edhe sot. Prandaj e refuzoj dekoratën e tij. dhe
4. Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën “Pronto”. Fyerjet dhe shpifjet i ka filluar qe nga Konferenca e Rambujesë duke ju thënë anëtarëve tjerë të SHP të UCK-së se gjoja unë e ndonjë tjetër në atë Konferencë jemi bërë me “armiqtë e tij politikë”- LDK-në. Natyrisht, unë asnjëherë të vetme, kur ka qenë puna mes interesit partiak e atij kombëtar, kurrë nuk kam hezituar ta zgjedh ketë te dytin. Ky ishte edukimi im, familjar e kombëtar, andaj Refuzoj te dekorohem nga ky njeri dhe ndihem i fyer te dekorohem nga Hashimi!
Me vije keq që ketë duhet ta bej në Ditën e Pavarësie dhe nga institucioni përfaqësues i shtetit – Presidenti!

Prishtinë, Jakup Krasniqi
më 17 shkurt 2018

@Fluidi

Provo po ashtu

valon murtezaj

Pse ne ndryshojmë?

Apo, pse ne duhet të ndryshojmë, kur dihet që nuk është lehtë të ndryshojmë dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.