fbpx
puna, karakteri
Ilustrim

Karakteret njerëzore dhe rrjetet sociale

Shkruan: Etleva Durmishi/ infoGlobi

Përpjekja për njohjen e natyrës së njeriut është tematikë me interes të veçantë tek grupet e studiuesve, sidomos tani në raport me rrjetet sociale (madje siç kemi parë nga një studim i fundit, edhe vetë ekipi i Facebook-ut ka lejuar dhe ndihmuar në realizimin e një testimi të emocioneve dhe raporteve ndërnjerëzore kur përdoruesve u shfaqeshin postime të ndryshme pa dijeninë e tyre). Personaliteti është gjithmonë i kuptueshëm në aktivitetet më të shpeshta në të cilat angazhohet njeriu. Këtu s’bëjnë përjashtim rrjetet sociale ku shfaqen dëshirat, pasionet, marketingu individual dhe reagimet emocionale që janë lehtësisht të shprehura sidomos për faktin se njeriu nuk e ka ballë për ballë tjetrin së cilit i drejtohet, prandaj edhe prezantimi individual është më i lehtësuar dhe më pak i kontrolluar.

Sikurse në jetën reale edhe në rrjetet sociale është i shprehur dallimi në mes të ekstrovertëve (njerëzit e hapur, interaktivë, dhe me anim më të shprehur për të jashtmen), introvertëve (që siç i përshkruan Jung, janë më të fokusuar në energji mendore sesa fizike) dhe ambivertët (që janë shkrije e karakteristikave të të dyja palëve). Sipas studimeve, të parët janë shumë më aktivë, me numër më të madh të miqëve virtualë, më debatues, me më shumë grupe të shtuara në listë, me më shumë foto etj. Nga kjo kuptohet se edhe karriera dhe puna që bëjnë është e asaj natyre që ka (dhe kërkon) kontakt më të shtuar me të tjerët. Ndërsa në anën tjetër, introvertët janë më pak aktivë, me numër të kufizuar të miqëve në listë, aspak të interesuar në diskutime të zgjatura dhe besojnë se në internet nuk mund të gjejnë atë çfarë vërtetë kërkojnë nga kontakti me të tjerët. Sidoqoftë, megjithëse nuk postojnë shumë ata sërish janë përcjellës të aktiviteteve të të tjerëve. Këto dy grupe dallohen edhe nga postimet. Ekstrovertët priren të postojnë përmbajtje më emocionale (rreth sportit, politikës) e që nxisin të tjerët në diskutim ndërsa introvertët postojnë më shumë përmbajtje që nuk nxisin interaktim të shtuar. Ndërsa ambivertët, si shkrirje tiparesh, mund të jenë shumë aktivë në jetën reale, por aspak në në rrjetet sociale. Tri rrjetet më të përdorura kanë natyra të ndryshme komunikimi, andaj njerëzit varësisht nga tipi i tyre, mund të tregojnë nivel të ndryshëm aktivizimi në secilën prej tyre.

Pra, profilet janë të përafërta me natyrën tonë reale. Ato reflektojnë mënyrën e komunikimit në jetën reale, nevojat, pasionet, vetëbesimin ose mungesën e tij, lidhshmërinë me prezencën e të tjerëve etj. Aq sa reflekton veten tonë reale, rrjetet sociale po në të njejtën masë kanë fuqi të ndryshojë disa elemente të personalitetit në rast të përdorimit të shtuar. Psh. njerëzit të cilët kanë qenë më të turpshëm, mund të bëhen më të lirë (bazuar pra në modelet dhe përvojat që lejon kjo qasje), ata me më pak vetëbesim, të fillojnë të ndihen më mirë me veten nga vlerësimi i të tjerëve; ata që nuk i kushtojnë aq rëndësi dukjes, fillojnë të kujdesen më shumë për veshjen edhe stilin etj. Por mund të ndodhë edhe e kundërta: ato tipare që janë cilesuar si të matura, të marrin kahje tjetër negative (nga të qenit më i rezervuar, të kthehen në postues të pandalur). Me pak fjalë, ndikimi është i fuqishëm varësisht prej nevojës për ndryshim të tipareve dhe bazës së kuptueshmërisë së vetës dhe gjërave të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.