Ballina / KRYESORE / Jovanoviq për dialogun: Harrone Rusinë, ktheni sytë nga institucionet në Prishtinë

Jovanoviq për dialogun: Harrone Rusinë, ktheni sytë nga institucionet në Prishtinë

Kreu i liberalëve të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, politikani i vetëm në shtetin fqinj që e mbështet pavarësinë e Kosovës, thotë se Rusia duhet të mbahet larg dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfshirjen amerikane e sheh si të domosdoshme, por thotë se një marrëveshje finale nuk do të ishte e efektshme, nëse nuk do të kishte përkrahje nga populli. Për frikën e Nenad Rashiqit se mund të ketë fatin e Oliver Ivanoqit, Jovanoviq thotë se çdokush do të ishte ndier i frikësuar, duke marrë parasysh se si kanë rrjedhur gjërat pas vrasjes së politikanit serb. Për linçimin që Serbia po ua bën atyre që garojnë ndaras “Srpska”-s në zgjedhjet e 6 tetorit, ai thotë se është një gjë e trashëguar nga regjimi i Millosheviqit, ndërkohë fton komunitetin serb që jetojnë në Kosovë që t’i kthejnë sytë kah institucionet në Prishtinë

Besnik VELIU

Kryetari i Partisë Liberale në Serbi, Çedomir Jovanoviq, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka thënë se është kundër përfshirjes së Rusisë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Moska zyrtare nuk është e interesuar që të arrihet një marrëveshje mes dy palëve. Madje, ai thotë se Rusia është duke investuar që ta mbajë të destabilizuar rajonin.

“Është e qartë se Rusia është përpjekur ta dëmtojë tërë përparimin në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës deri tash dhe nuk pres që kjo gjë të ndryshojë së shpejti. Është në interesin e Rusisë që gjendja e konfliktit të ngrirë të vazhdojë, sepse në këtë mënyrë rajoni i Ballkanit nuk do të ketë stabilitet. Ata jo vetëm që shpresojnë për një skenar pa marrëveshje, por janë shumë aktivë në promovimin dhe përkrahjen e grupeve nacionaliste, të cilat e kundërshtojnë dialogun”, ka thënë Jovanoviq.

Sipas tij, ndikimi i Rusisë në këtë proces duhet të reduktohet e jo të rritet.

I pyetur rreth deklaratave të ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Cameron Munter, për mosgatishmërinë e Aleksander Vuçiqit për të nënshkruar një marrëveshje finale me Serbinë, lideri i LDP-së thotë se problemi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk zgjidhet vetëm për faktin se do të arrihet një marrëveshje.

Tutje, Jovanoviq thotë se sfida më e madhe e presidentit të Serbisë është që të bindë popullin dhe të marrë përkrahje për nënshkrimin e një marrëveshje me Kosovën, por shton se duke parë situatën në terren, Vuçiq nuk po ofron asgjë, meqenëse ndihet rehat në pozicionet aktuale.

“Është naivitet të mendohet se ekziston një varg i gjatë i liderëve politikë ose liderëve të mundshëm politikë, të cilët presin për t’u ulur në karrigen e Vuçiqit dhe të nënshkruajnë një marrëveshje me Prishtinën. Që nga viti 2012, kur Vuçiqi erdhi në pushtet, ai i ka bërë disa hapa shumë vendimtarë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Është gjithashtu shumë sipërfaqësore të mendohet se ky problem do të largohet posa të nënshkruhet marrëveshja. Sfida më e madhe e Vuçiqit është ta bindë shoqërinë që ta përkrahë marrëveshjen e tij me Kosovën dhe ai nuk po e ofron atë, sepse po ndihet rehat në pozicionin që është tani. Pajtimi dhe normalizimi i marrëdhënieve – këto fjalë të mëdha – nuk kanë asnjë kuptim, nëse ato janë të kufizuara te elitat politike që takohen në Bruksel. Efekti i këtyre proceseve politike duhet të shtrihet te qytetarët dhe është obligim i liderëve tanë që ta shpjegojnë dhe ta zbatojnë këtë”, ka potencuar Jovanoviq për Gazetën Express.

Përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues Special në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Jovanoviq e sheh si diçka të duhur, pasi sipas tij është e nevojshme që të ketë diçka më shumë se ndërmjetësim, megjithatë ai thotë se nënshkrimi i një marrëveshjeje finale nuk do të ketë kurrfarë kuptimi derisa nuk gjen mbështetje në popull.

“Caktimi i tij mund të jetë një rifreskim në fazën e re të dialogut. Modeli i lehtësimit të dialogut nga BE-ja nuk është treguar efikas, kemi nevojë për diçka më shumë sesa lehtësim, kemi nevojë që BE-ja dhe ShBA-ja të marrin një lloj përgjegjësie pasi është e qartë se nuk po mund të arrijmë marrëveshje vetë. Sidoqoftë, marrëveshja nuk do të arrihet pa ekzistuar vullneti i sinqertë në të dy shoqëritë. Një e tillë mund të nënshkruhet nga liderët politikë, por ajo marrëveshje nuk do të ketë vlerë nëse njerëzit nuk janë të përgatitur që ta mbështesin atë”, potencon kreu i liberalëve të Serbisë.

Tutje Jovanoviq në këtë intervistë për Gazetën Express, ka folur edhe për shqetësimet e politikanit serb i cili është edhe kandidat për kryeministër nga koalicioni “Slloboda”, Nenad Rashiq, se mund të ketë fatin e Oliver Ivanoviqit, duke qenë se garon në zgjedhjet e 6 tetorit ndaras nga “Lista Serbe”.

Sipas Jovanoviq përderisa nuk ka hetime dhe derisa askush nuk mbahet përgjegjës për një vrasje të një politikani, atëherë është normale që dikush të ndihet i frikësuar.

“Nëse një politikan vritet, dhe praktikisht nuk ka hetime dhe nuk mbahet askush përgjegjës, askush nuk mund të ndihet i sigurt. Mos harroni që Oliver Ivanoviq nuk ishte politikani i parë serb që ishte vrarë që nga 2008-a”, ka thënë opozitari serb.

I pyetur nëse vërtet ekziston një rrezik i tillë që të vritet përsëri ndonjë politikan për shkak të situatës së trazuar në veri në prag të zgjedhjeve, Jovanoviq thotë se komuniteti serb në Kosovë është duke u ndier sikur po jeton në “Perëndimin e Egër”, dhe sipas tij stabilizimi i situatës duhet të jetë prioritet edhe për Serbinë por edhe për Kosovën, pasi siç potencon ai, nuk do të ketë normalizim të gjendjes derisa nuk arrihet një marrëveshje finale mes dy palëve.

“Nuk është mendimi im ai që ka rëndësi në këtë rast. Komuniteti serb ndihet sikur është duke jetuar në Perëndimin e  Egër dhe kjo duhet të jetë një prioritet për dy qeveritë në Beograd dhe në Prishtinë. Është e qartë që veriu i Kosovës nuk do të jetë i qetë dhe normal derisa të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërprerja e negociatave ka dërguar në një jostabilitet edhe më të madh. Në vend të komunikatave për media dhe retorikës që tregon pronësinë mbi veriun, dy palët duhet të bashkëpunojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit, që u iniciua nga Marrëveshja e Brukselit, por kam frikë që më askush nuk është duke i ndier rezultatet” ka shtuar tutje politikani serb.

I pyetur për akuzat që Qeveria e Serbisë po ua bën atyre që po garojnë ndaraz nga Lista Serbe, duke i quajtur si “njerëz të cilët punojnë për perëndimin”, Jovanoviq thotë se një qasje e tillë është një trashëgimi nga politika e Sllobodan Millosheviqit.

“Akuza më e shpeshtë në politikën serbe është që ta quash dikë si tradhtar duke e akuzuar se punon për interesin e Perëndimit. Është trashëgimi e regjimit të Millosheviqit. Ju kurrë nuk do t’i dëgjoni nacionalistët serbë duke e përshkruar Vuçiqin si tradhtar që punon për interesin e Perëndimit. Por, është e zakonshme që askush nuk i kushton rëndësi një gjëje të tillë”, ka thënë Jovanoviq për Gazetën Express.

Teksa ka folur për mbështetjen që Serbia po ia bënë ‘Srpskas’, Jovanoviq thotë se është një gjë shumë e keqe fakti që partia e drejtuar nga Goran Rakiq nuk përfaqëson interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë, por të Qeverisë së Serbisë.

“Fakti që Lista Serbe është krijuar dhe mbështetet nga Qeveria e Serbisë nuk është një sekret dhe as një befasi e madhe. Serbia nuk ka pasur mënyrë tjetër për të nxitur zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe për të ndihmuar serbët e Kosovës brenda institucioneve të Kosovës. Tani e shfrytëzon për të kontrolluar situatën. Sigurisht, dobësi e kësaj qasjeje është që Lista Serbe nuk e përfaqëson interesin e njerëzve të Kosovës, por të Qeverisë së Serbisë”, është shprehur Jovanoviq.

Gjuhën diferencuese të Qeverisë së Serbisë karshi komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, Jovanoviq e konsideron si diçka që nuk sjellë asnjë përfitim por që shkakton një dëm të madh për të gjithë.

Teksa ka folur për ndasitë mes komunitetit serb, Jovanoviq ka thënë se kësaj problematike i shtohen edhe ndasitë mes serbëve dhe shqiptarëve dhe më pas edhe ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë do të thoja që e gjithë atmosfera është e rrezikshme. Fillimisht është ndarja në mes të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve dhe më tej ka edhe ndarje dhe polarizim brenda komunitetit serb në Kosovë, por edhe në mes të Kosovës dhe Serbisë respektivisht. Është një trend global, një nga të rrallët që e kemi pranuar, ne shohim këtë lloj të polarizimit në mes të SHBA’së dhe Britanisë së Madhe- vendet ku ka lindur demokracia. Sigurisht që ne duhet të shqetësohemi edhe më shumë teksa e kujtojmë historinë e konflikteve, të cilat janë nxitur politikisht dhe etnikisht. Gjuha e urrejtjes, dezinformimi, qëndrimet nacionaliste nuk sjellin asnjë përfitim, por prodhojnë një dëm të madh për të gjithë. Unë do ta konsideroja një burrë shteti serioz dhe një udhëheqës politik një burrë apo një grua që do të thyejë këtë cikël të fjalimeve të dhunshme”, ka shtuar kreu i Partisë Liberale të Serbisë, Çedomir Jovanoviq.

Në fund Jovanoviq ka thënë se komuniteti serb në Kosovë nuk duhet të humbas edhe një dekadë tjetër duke vrapuar pas Beogradit, por që duhet të kthejnë sytë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të kërkojnë të drejtat e tyre aty.

“Asgjë nuk do të përparojë asnjëherë, nëse serbët e Kosovës, e veçanërisht politikanët lokalë, vazhdimisht shikojnë kah Beogradi për gjithçka. Janë humbur dhjetë vjet, mos i humbisni dhjetë të tjerë duke e injoruar Prishtinën dhe institucionet e Kosovës, por shkoni në to dhe kërkojini të drejtat tuaja, kërkoni më shumë përfaqësim dhe më shumë zhvillim. Prisni nga deputetët që do t’i zgjedhin vitin e ardhshëm që t’ju përfaqësojnë ju në kuvend, e jo nga ndonjë lider politik në Beograd, pavarësisht a është ai në pushtet apo në opozitë”, ka potencuar Jovanoviq.

Sipas tij në 30 vjetët e fundit serbët që kanë jetuar në shtete fqinje gjithmonë ia kanë parë sherrin politikës së keqe të Beogradit dhe thotë se për një gjë të tillë edhe kanë paguar çmim shumë të lartë.

“Në tri dekadat e kaluara, serbët që kanë jetuar në shtetet fqinje e kanë paguar çmimin më të lartë për shkak të politikës shkatërrimtare të Beogradit. Serbët nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Kosova, të cilët e vendosën fatin e tyre në duart e Beogradit në vitet e nëntëdhjeta, mbetën pa strehë, të zhvendosur dhe të sakrifikuar. E njëjta gjë do të ndodhë me serbët e Kosovës, të cilët qëndruan në këtë vend pas të gjitha gjërave që ndodhën, nëse ata nuk e vendosin interesin e vet mbi atë që dikush po e quan interes kombëtar”, ka përfunduar Jovanoviq. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.