Ballina / BOTA / Johnson i dërgon letër BE-së pa nënshkrimin e tij

Johnson i dërgon letër BE-së pa nënshkrimin e tij

Kryeministri britanik Boris Johnson ka dërguar një letër pa nënshkrimin e tij tek Bashkimi Evropian duke kërkuar shtyrjen e afatit për largimin e Britanisë nga blloku, duke theksuar se kjo nuk është dëshira e tij.

Johnson më herët kishte deklaruar se më përpara do të preferonte të “vdiste në hendek” sesa të shtyjë afatin pas 31 tetorit.

Por, gjërat ndryshuan pas votimit të një amandamenti të shtunën në Parlament, i cili ndalon miratimin e marrëveshjes për largim nga blloku derisa i tërë legjislacioni të miratohet në Parlament – veprim ky i cili automatikisht e obligon kryeministrin të kërkojë shtyrjen e datës deri më 31 janar.

Në letrat dërguar krerëve të Bashkimit Evropian, shpjegohet se si Johnson “është i detyruar të kërkojë shtyrjen e afatit pa pëlqimin e tij”, por se Qeveria duhet të veprojë sipas rregullave.

“Unë e kam bërë të qartë që kur jam kryeministër si dhe e kam bërë të qartë sërish në Parlament sot, qëndrimin tim, qendrimin e Qeverisë, se një shtyrje tjetër e afatit do të dëmtonte interest e Mbretërisë së Bashkuar dhe të partnerëve tanë të BE-së si dhe marrëdhëniet midis nesh”, thuhet në letrën të cilën e nënshkroi Johnson.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se ka pranuar kërkesën nga Johnson.

“Do të fillojë konsultimet me liderët e BE-së për të parë se si do të veprojmë”, tha Tusk në Twitter.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

Kryeministri i asaj kohe David Cameron, kishte dhënë dorëheqje pas referendumit për dalje nga BE-ja, pozitë të cilën më pas e mori Theresa May.

Por, edhe kryeministrja Theresa May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi pas shumë negociatave, plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian kishte dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.