Jahjaga: Lufta e terrorit fillon në shtëpi

Në panelin “Adresimi i ekstremizmit të dhunshëm: përgjegjësia e përbashkët” në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajt në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, u diskutua për sfidat globale të sigurisë, ekstremizmin dhe radikalizmin si kërcënim për sigurinë, si dhe angazhimin e përbashkët në luftimin e këtyre dukurive.

“Dua të filloj duke i ritheksuar fjalët e Lartmadhërisë së tij, Mbretit Abdullah, në sesionin hyrës, se mundja e “sulmit global mbi paqen” ose e dhunës dhe terrorit të cilin po e shohim sot në mbarë botën, ka nevojë për një qasje globale të ndërtuar mbi siguri, diplomaci, zhvillim dhe lidership moral”, ka thënë Jahjaga, teksa ka shtruar pyetjen “si do ta arrijmë këtë?”, potencoi gjatë panelit Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Pikësëpari, puna duhet të fillojë në shtëpi. Në vendet tona, ne duhet të zotohemi që ta forcojmë legjitimitetin e shtetit. Dhe legjitimiteti arrihet me performansë. Ne jo që duhet ta dyfishojmë, por edhe ta trefishojmë angazhimin tonë që t’i hapim rrugë inovimit dhe zhvillimit duke larguar pengesat strukturore dhe praktike të cilat i frikësojnë investuesit. Shteti duhet të jetë prezent”, ka thënë më tej Jahjaga.

Sipas saj “shteti po ashtu duhet të jetë llogaridhënës ndaj qytetarëve dhe t’i lejojë ata që të marrin pjesë ne këtë transformim. Qytetarët duhet të jenë pjesë e këtij aksioni”.

“Ne më së miri do ta luftojmë ekstremizmin duke u angazhuar në të gjithë sektorët, bashkë me të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, duke promovuar përfshirjen. Përfshirje në qeverisje dhe përfshirje në zhvillim e me mundësi të barabarta për secilin. Asnjëri nuk duhet të lihet anash, sepse ndarjet dhe përjashtimet janë çerdhe e rritës për ekstremistë. Ata shfrytëzojnë dallimet dhe vuajtjet”, tha mes tjerash e para e Kosovës.

Jahjaga poashtu theksoi se  “nuk duhet t’i lejohet ekstremistëve e forcave të terrorit, që ta marrin peng vizionin e përparimit”

” Ne jemi të rrezikuar nga kërcënimet e njëjta, qofshin ato nga terrorizmi i brendshëm apo luftëtarët e lirisë, të joshur nga ISIS-i me ideologji të ndryshuara apo mjete financiare. Bie mbi vendet sikurse vendet tona, të cilat jetojnë në multikulturalizëm dhe multietnicitet, që t’i kundërshtojnë këto arsye dhe i takon liderëve të moderuar fetarë që t’u heqin interpretimet false të religjionit nëpërmes të cilave ata mundohen ta arsyetojnë dhunën. Ne duhet fuqimisht ta refuzojmë atë”, ka thënë Jahjaga./infoglobi