Ja si reaguan për tenderin e Qeverisë që e fitoi djali i Kryeministrit

Zyra e Prokurimit Publik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, përmes një komunikate për media ka konfirmuar se tenderin për servisimin e një veture (BMW X5, i blinduar) të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e ka fituar djali i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Zyra e Kryeministrit dëshiron që të siguroj opinionin dhe të gjithë taksapaguesit në Republikën e Kosovës se “kjo procedurë është kryer në përputhje të plotë në dispozitat dhe kriteret e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik, duke i kushtuar kujdes maksimal shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe se në përzgjedhjen e fituesit nuk kishte asnjë motiv tjetër”.

Në komunikatë thuhet se mbështetur në këto kritere, në konkurrencë edhe me dy operatorë të tjerë ekonomik konkurrues, në kushte të barabarta, ka rezultuar se operatori i përgjegjshëm, me çmimin më të lirë për shërbimin e kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të jetë kompania ‘Makcar’.

“Për dijeni të opinionit, dy operatorët e tjerë ekonomik konkurrues kishin ofertuar me çmimet 3,480 Euro, përkatësisht 3,207 Euro, ndërsa operatori ‘Makcar’ kishte ofertuar me çmimin 2,946 Euro dhe si rezultat ishte shpallur fitues”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në komunikatë thuhet po ashtu se zyra e Kryeministrit jep garanci për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se përzgjedhja e operatorit fitues në rastin konkret është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe nuk ka të bëjë asgjë me faktin se Besnik Mustafa, si pronar-menaxher i këtij operatori është djali i kryeministrit Isa Mustafa.

Ndaj lajmit për tenderin e fituar nga Kompania Makcar pronar i së cilës është i biri i Kryeministrit, është prnoncuar gjatë ditës edhe i pari i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni .

Sipas Pretenit “Agjencia ka nisur të punojë në këtë lëndë, për të parë nëse ka konflikt interesi”.

Përderisa kryeministri, Isa Mustafa dhënien e një tenderi për rregullimin e veturave të kryeministrisë djalit të tij, Besnikut, e sheh si budallallëk ti jepet hapësirë mediale, kreu i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, nuk mendon njëjtë. Ai thotë se një veprim i tillë nuk tregon situatë të mirë.

Sipas postimit të Kryeministrit në Facebook, se ai nuk shef asgjë të keqe në faktin se i biri i tij fitoi tenderin.

“Po lexoj se nje makine BMW, qenka servisuar nje nje servis qe e menaxhon djali im Besniku, nje vlere rreth 2,900 euro. Nuk e kam ditur per kete, por nuk shoh asgje te keqe qe automjeti te servisohet ne nje servis te autorizuar. Shoh marri e budallallek qe kjo te behet lajm, sepse nuk eshte lajm nese disa mjeshter punojne dhe e rregullojne nje makine. Lajm i keq per neve eshte etja qe te skandalizohen dhe te kriminalizohen ata qe punojne”.

Ndërkaq, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në muret e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës shkruan parullën “Djemve tenderat, Serbisë Zajednicën!”.

Gjatë realizimit të këtij aksioni foli Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjendja në të cilën ka ardhur shteti i Kosovës është bërë e padurueshme. Kjo ngase me vendin tonë po qeverisin ca kusarë të cilët djemve të tyre ua japin tenderat kurse Serbisë territorin e Kosovës. Ata po e marrin buxhetin e popullit të varfër të Kosovës, për t’ia dhënë në formë tenderash djemve dhe vëllezërve të tyre, kurse territorin dhe resurset tona, po ia japin Serbisë përmes Zajednicës”, ka thënë Krasniqi.

“Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë ngase vetëm dy rrugë janë të mundshme: ose shteti i Kosovës do të dështojë plotësisht dhe do të ndahet në vija etnike, ose qytetarët do të mobilizohen për ta mbrojtur Republikën. Normalisht, që kjo e fundit do të ndodh patjetër”, është shprehur Krasniqi.

Kosova e ka Ligjin Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Mirëpo, shumë cështje në këtë Ligj lënë paqartësi të shumta dhe hapësira për interpretime që mund tu shërbejnë interesave të ndryshme. /infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.