Ja kush u emërua në postet e atyre që i shkarkoi Hoti

Kryeministri Avdullah Hoti ka liruar nga detyra drejtorin e ATK’së Ilir Murtezaj dhe u.d. drejtorin e Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka.

Por, ai ka emëruar zëvendësit e tyre menjëherë pas këtij vendimi.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e Ministres së Financave, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka marrë vendim për t’i liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Si thuhet në vendimin e Hotit ” drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj lirohet nga detyra për shkak të paaftësisë dhe sjelljes së keqe. Vendimi poashtu reshton disa shkelje ligjore nga Murtezaj.

“Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Bajram Rexha, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe z. Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës”.

Siç dihet më heret Kryeministri Hoti kishte shkarkuar edhe të parin e Policisë së Kosovës.

Rashit Qalaj është shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë.

“Posa e mora njoftimin”, ka thënë Qalaj.

Raportohet se arsyeja e shkarkimit është “përformanca e dobët”, por zyrtarisht akoma nuk është bërë e ditur se pse u shkarkua Qalaj.

Rashit Qalaj është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në gusht të vitit 2018, sa ishte kryeministër Ramush Haradinaj.

PDK’ja e Kadri Veselit përmes një komunikate për media e ka quajtur hakmarrës shkarkimin e Drejtorit të Policisë Rashit Qalaj.

Në reagimin e PDK’së thuhet se një veprim i tillë përbën tentativë për kapje të shtetit.

“Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kësaj komunikate për media shpreh indinjatën për shkarkimin arbitrar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj. Ky vendim cënon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit. Policia e Kosovës ka dëshmuar sukses në përmbushjen e detyrave dhe ky shkarkim përbën një tentativë për kapje të shtetit. Një veprim i tillë është gjithashtu inkurajim ndaj krimit të organizuar i cili është goditur me përkushtim dhe efikasitet prej drejtorit Qalaj, duke arritur rezultate shumë të larta në përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në vend”, thuhet në reagim.

Partia opozitare ka deklaruar se shkarkimi i Qalajt lidhet me arrestimin e nënkryetarit të LDK’së Haki Rugova.

Shkarkimet e sotme kanë befasuar shumë kend sepse Kryeministri Hoti perceptohet si njeri i butë, mirëpo veprimet e tij dalin të kundërta me këtë përshtypje./infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.