Ballina / KRYESORE / Itali: Sharja e BE-së, zhvendos vëmendjen nga përgjegjësitë tona
MARIO MONTI

Itali: Sharja e BE-së, zhvendos vëmendjen nga përgjegjësitë tona

Nëse më parë janë jo italianët, por ata që, në këtë çast qeverisin italianët, atëherë ndoshta leverdis të mbulojmë me sharje Komisionin dhe Europën, sepse kjo kënaq inatin e italianëve dhe zhvendos vëmendjen nga përgjegjësitë tona.

Shkruan: MARIO MONTI

Iu takon qytetarëve të mos bien në atë grackë, të mos duartrokasin ata që duan të dobësojnë një Europë, për të cilën kanë më shumë nevojë qytetarët e jo politikanët

Një vendim i marrë dje në Bruksel nga Komisioni Europian, edhe se nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me Vendin tonë, meriton një vëmendje të veçantë nga ana e opinionit publik dhe politikanëve italianë. Në një çast kur flitet shumë për Europën, shpesh me një afsh polemik që e kapërcen shumë njohjen e fakteve, vendimi i djeshëm ndihmon për të kuptuar shumë gjëra: ka arsye të sakta nëse në disa fusha BE shkon mbarë e në të tjera jo; “burokratët e Brukselit” janë qeveritarë që ushtrojnë mandatin e dhënë atyre nga Shtetet anëtare; kundër vendimeve të tyre mund të bëhet ankesë në Gjykatën e drejtësisë të BE; nuk është e vërtetë që Komisioni çon në vend dëshirat e “pushteteve të fuqishme” apo i përulet “ligjit të më të fortit”, kritika shpesh të drejtuara nga ai që nuk është në gjendje të mbrojë qëndrimet e tij me prova të qëndrueshme dhe parapëlqen sharjet; madje Komisioni dhe Gjykata, duke vënë në jetë të drejtën e bashkësisë, në fakt mbrojnë të gjithë nga përpjekjet e mundshme të më të fortëve apo të më të mëdhenjve për të përfituar nga pushteti i tyre, siç do të ndodhte sigurisht nëse do të zhdukej BE.

Dje, pra, Komisioni ka ndaluar shkrirjen ndërmjet Siemens dhe Alstom, gjigantit gjerman dhe atij francez në prodhimin e trenave me shpejtësi shumë të lartë e me sistem sinjalizimi hekurudhor. Veprimi i dëshiruar fuqimisht nga qeveritë e Berlinit e të Parisit, është bllokuar sepse, mbas një hulumtimi të thelluar, komisarja Margrethe Vestager ka dalë në përfundimin se ai do të kishte pakësuar në mënyrë të ndjeshme konkurrencën. Shoqëritë hekurudhore do të kishin vuajtur për shkak të çmimeve më të lartë të trenave e të sistemeve të sinjalizimit, duke përcjellë shtesat mbi milionë udhëtarë që çdo ditë lëvizin në të gjithë Europën. Nuk kam ndërmend të shprehem këtu mbi thelbin e vendimit që i ka hapur shtegun rrahjeve të gjalla të mendimeve. Do të desha ta përdorja si një letër turnësoli mbi temat më të gjëra të cekura më sipër. Përse shkon mbarë. Nuk ka dyshim se politika e garimeve është njëra nga ato pak fusha në të cilat BE shkon mbarë. Mund të jemi në një mëndje apo jo mbi vendimet e veçanta.

Mund të urohen ndryshime në drejtimet bazë të politikës së konkurrencës, siç u bë për shembull me një sërë reformash në vitet e para 2000. Por është një politikë në të cilën merren vendime në kohët e parashikuara. Vendimet zbatohen. Ata respektohen edhe nga ndërmarrje jo evropiane, përfshirë edhe shumëkombëshet më të mëdha amerikane.

Si është e mundur që e gjithë kjo funksionon edhe kur preken interesa ekonomikë e politikë të stërmëdhenj? Thjesht, sepse, që nga Traktati i Romës i 1957, Shtetet anëtare i kanë dhënë Komisionit të drejtën dhe detyrën të bëjë që të respektohet konkurrenca, por edhe pushtetin ligjor për ta bërë. Një tjetër fushë në të cilën ka të tillë pushtet federal e që në fakt funksionon, është ajo e politikës monetare. Margrethe Vestager dhe Mario Draghi janë jashtëzakonisht të aftë, por as ata nuk do të kishin qenë në gjendje të kryenin në mënyrë të vlefshme detyrat e tyre, nëse nuk do të kishin këtë fuqi federale. Kolegët e tyre që merren p.sh., me mërgimet, me politikën e jashtme apo harmonizimin e taksave, me gjasë lodhen më shumë, por nuk mund të bëjnë të shkojë mirë BE në fushat e tyre. Në to Shtetet kanë dashur të mbajnë një fuqi të vetos. Shpesh e padisin Europën se është e munguar. Do të duhej të padisnin vetveten që kanë dashur të mbajnë shtrënguar fuqitë e tyre, të cilat ia bëjnë të pamundura BE të kalojë mbi qëndresat e Shteteve, duke filluar nga ata më sovranistët.

Pushtete të forta, ligji i më të fuqishmit. Gjermania dhe Franca, edhe se me qeveri pak të mjegulluara, quhen si dy Vendet më të forta të Europës. Dyfish më të fortë do të ishin në rastet kur bashkojnë fuqitë e tyre, akoma më shumë në një fazë kur kanë vendosur të fuqizojnë bashkërendimin e tyre me Traktatin e fundit të Aquisgranës. A mund të përfytyrohet ndonjëri në Europë që të jetë i aftë të derdhë mbi “burokratët e Brukselit”, për më tepër në fund të mandatit, një breshëri zjarri si ajo e një kombinati politik-industrial Berlin-Paris-Siemens-Alstom? Nuk besoj. E megjithatë komisarja Vestager dhe Komisioni kanë thënë “jo”. Mos të vijnë e të na tregojnë në Itali se Brukseli është sistematikisht në shërbim të interesave gjermanë dhe francezë. Dje në Gjermani e në Francë qeveritë dhe mjediset industriale kanë sulmuar ashpërsisht komisaren Vestager. Kanë kërcënuar të pakësojnë fuqitë e Komisionit në kontrollin e shkrirjeve e të politikës së konkurrencës në përgjithësi. Nuk është e para herë që ndodh kjo, nuk do të jetë e fundit.

Nga Italia, Vend i madh e i rëndësishëm, por jo me të vërtetë “i fortë” për sa i përket sistemit ekonomik dhe aparatit administrativ, një Komision i qëndrueshëm dhe i respektuar duhej të ishte parë si një aleat i mundshëm në shumicën e rasteve. Duhet të kuptojmë se si duhet t’i paraqesim më mirë në atë seli interesat e ligjshëm italianë. Flas për interesat e vendit. Nëse më parë janë jo italianët, por ata që, në këtë çast qeverisin italianët, atëherë ndoshta leverdis të mbulojmë me sharje Komisionin dhe Europën, sepse kjo kënaq inatin e italianëve dhe zhvendos vëmendjen nga përgjegjësitë tona. Iu takon qytetarëve të mos bien në atë grackë, të mos duartrokasin ata që duan të dobësojnë një Europë, për të cilën kanë më shumë nevojë qytetarët e jo politikanët.

/Corriere della Sera; Mapo.al

Provo po ashtu

kuvendi bosh

REL: Kalkulimet e hershme për koalicione

Nga momenti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, disa nga partitë politike …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.