Itali: 62 persona të prekur nga koronavirusi , dy nga ta kanë vdekur

Të prekurit nga koronavirusi në Itali kanë pësuar një rritje gjatë kësaj të shtune. Siç raportojnë  mediat italiane deri më tani numri i të prekurve nga virusi vdekjeprurës ka shkuar në 62, kurse i të vdekurve 2.

Të prekurit janë kryesisht në Lombardi dhe në rajonin e Venetos. Aktivitetet publike janë pezulluar në 10 fshatëra të Milanit.

Deri më tani në shtetin fqinj janë shënuar dy viktima një në Veneto ndërsa viktima tjetër vdiq këtë mëngjes në Lombardi.

Ndërkohë Italia ka marrë masa të rrepta për sa u përket kontrolleve në të gjitha pikat kufitare dhe doganore për të parandaluar përhapjen në masë të këtij virusi.

Konsullja shqiptare në Milano, Anila Pojani foli mbi gjendjen në Itali. Ajo tha se shifrat e të prekurve ndryshojnë vazhdimisht, por konfirmoi se fatmirësisht asnjë prej shtetasve shqiptarë atje nuk është prekur.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritet lokale. Na kanë konfirmuar se deri më tani nuk ka qytetarë shqiptarë të prekur”, ka thënë ajo.

Numri i viktimave të shënuar në të gjithë botën përllogaritet në 2360, ndërsa të infektuar janë 77.662 të tjerë.

Ndërkohë Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom, shkroi në Twitter se në 80% të rasteve infeksioni me Coronavirus është i butë, në 20% kritik; ndërsa në 2% të rasteve të raportuara, “virusi është fatal”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.