Irani pranon se ka rrëzuar gabimisht avionin e Ukrainës

Teherani zyrtar ka pranuar të shtunën se ka rrëzuar aksidentalisht avionin ukrainas pak minuta pas nisjes nga Teherani, duke lënë të vdekur 176 pasagjerë.

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy tha se pret pranim të plotë të fajësisë dhe kompensim nga Irani.

Zelenskiy tha se “Irani ka pranuar fajësinë për rrëzimin e avionit, por ne insistojmë në pranimin e plotë të fajësisë”.

‘Ne presim që Irani të garantojë gatishmërinë për hetime të plota, për të vënë para drejtësisë fajtorët, të kthejë trupat e pajetë dhe të paguaj dëmshpërblimin, si dhe kërkimfalje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, shtoi ai.

Kjo deklaratë e presidentit ukrainas të shtunën, vjen pak kohë pasi Irani zyrtar deklaroi se aksidentalisht ka rrëzuar aeroplanin ukrainas më 8 janar.

Avioni i tipit Boeing 737-800 i përkiste kompanisë ukrainase Ukraine International Airlines (UIA). Ai ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khmoeini në Teheran.
Sipas njoftimit të Iranit, thuhet se ushtria ka ngatërruar aeroplanin duke e konsideruar si kërcënim pasi kishte kaluar pranë qendrës ushtarake të Gardës Revolucionare.

Po ashtu, thuhet në njoftim, ushtria ka qenë në gatishmëri të plotë të veprimit pas ngritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Irani ka premtuar se do të vë para drejtësisë ata që kanë kryer sulmin.

Presidenti Iranian Hassan Rohani, e quajti incidentin “tragjedi të madhe dhe gabim të pafalshëm”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha përmes një postimi në Twitter se ky ishte një “gabim njerëzor i shkaktuar nga aventurat e Shteteve të Bashkuara që çuan në tragjedi”.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka reaguar pas njoftimit të Iranit se avioni ukrainas është rrëzuar gabmimisht nga një sulm ajror, duke kërkuar hetim të plotë dhe bashkëpunim nga autoritetet iraniane.

Në bord ishin 63 kanadezë, 82 iranianë, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë, tre britanikë, 11 ukrainas, përfshirë nëntë anëtarë të ekuipazhit.

Në një komunikatë nga zyra e kryeministrit, Trudeau thotë se Irani ka pranuar që avioni është rrëzuar nga forcat e armatosura të vendit.

“Fokusi ynë mbetet te llogaridhënia, transparenca dhe drejtësia për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Kjo është një tragjedi kombëtare”, thuhet në komunikatë.

Zyrtarët amerikanë, kanadezë dhe britanikë më herët kanë thënë se është “shumë e mundshme” që aeroplani të jetë goditur – me siguri gabim – nga një raketë iraniane.

Rrëzimi i aeroplanit ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti 23 raketa në bazat irakiane që strehojnë trupat e SHBA-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!