Ballina / KOSOVA / Intervistë ekskluzive: Shqetësimet dhe gëzimet e gjeneralit Wesley Clark
interviste wesley clark dhe evliana berani
Gjenerali Wesley Clark drejtoi fushatën ajrore të NATO-së kundër Serbisë për t'i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë. (Intervistoi: Evliana Berani)

Intervistë ekskluzive: Shqetësimet dhe gëzimet e gjeneralit Wesley Clark

Gjatë intervistës së vetme për mediat e Kosovës gjatë qëndrimit një ditor në Prishtinë, gjenerali amerikan në pension Wesley Clark është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian. 

Intervistoi: Evliana Berani

Në intervistën për “55 minuta” në RTK 3, Clark ka folur për rininë e Kosovës, për ushtrinë, por edhe për ate se si ndihej ai në 20 vjetorin e përfundimit të bombardimeve kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Si dihet gjenerali Clark ka drejtuar fushatën ajrore të NATO-së kundër caqeve ushtarake të Serbisë, bombardime këto të cilat pushuan me 12 Qershor 1999 . 78 ditët e bombardimeve i siguruan Kosovës lirinën, të cilën shteti më i ri evropian e gëzon sot e kësaj dite.

Clark, i cili qëndroi në Prishtinë për ta kremtuar 20 vjetorin e lirisë së Kosovës, gjatë intervistës foli edhe për Millosheviqin por edhe për incidentin në aeroportin e Prishtinës mes forcave të KFOR-it dhe njësive ushtarake të Rusisë.

Berani: Z. Clark, si ndiheni 20 vjet pas përfundimit të bombardimit nga NATO të caqeve ushtarake të Serbisë?

Clark: Jam shumë i lumtur që jam në Kosovë dhe jam shumë krenar me popullin e Kosovës. Ju e keni bërë ndërhyrjen e NATO-s një sukses duke ndërtuar demokraci si pasojë e veprimeve tona. Kjo ishte shpresa jonë më e madhe në atë kohë. Kur e filluam aksionin tonë, ne donim t’i japim fund spastrimit etnik. Kjo ishte e tëra. Ishte një përpjekje për ta kthyer Millosheviqin në tavolinën e negocimit. Por, ai refuzoi të negocionte, në vend të kësaj ai e shtoi edhe më tepër spastrimin etnik duke vrarë njerëz dhe duke bërë kërdinë këtu, dhe kështu edhe ne i shtuam bombardimet dhe përfundimisht u bë e qartë se nuk mund të ketë më forca serbe Brenda Kosovës.

Berani: Gjenerata të reja po vinë tani. A ishin negociatat e vështira me Millosheviqin në vitin 1999?

Clark: Mendoj se fillimisht nuk kishte gatishmëri për të biseduar, por kur Millosheviqi e kuptoi se nuk mund t’i përballonte ndërhyrjet ushtarake të NATO-s, ai nuk pa alternativë tjetër përveç që të bisedonte dhe t’i tërhiqte forcat e tij.

Berani: Nuk dëshiroj t’i jap shumë hapësirë kësaj, por ia vlen të përmendet incidenti në aeroport. Ju e keni përmendur atë edhe në librin tuaj, gjithashtu. Si ndodhi, çfarë ndodhi?

Clark: Ai ishte një operacion special i Rusisë i përgatitur për ta bllokuar NATO-n, por përfundimisht ai dështoi.

Berani: A ekzistonte rreziku të fillonte një luftë tjetër?

Clark: Asnjëherë nuk kemi qenë pranë një lufte tjetër, por ishim gjithashtu afër një turpërimi të madh për NATO-n dhe ajo çfarë e ndali atë është se në fakt fqinjët e Kosovës, Rumania, Bullgaria dhe Hungaria refuzuan t’i japin leje rusëve që t’i zbarkojnë përforcimet në aeroportet e tyre. Pra, edhe pse një njësi e vogël e rusëve arriti në aeroport, ajo s’mund të bënte asgjë. Nuk kishte logjistikë dhe nuk kishte trupa të mjaftueshme për të bërë ndonjë gjë tjetër dhe ne e mbajtëm atë të kufizuar në aeroport dhe pastaj përmes diplomacisë e parandaluam përforcimin e trupave ruse këtu.

Berani: Z. Clark, cila ndjenjë ishte më e fuqishme, ndjenja kur i keni parë refugjatët shqiptarë duke u kthyer pas lirimit të Kosovës, apo kjo sot?

Clark: Ishte një gjë e mrekullueshme t’i shohësh njerëzit e Kosovës duke u kthyer.

Berani: E besonit se kjo gjë do të ndodhte?

Clark: E besoja por mendoj se askush nuk e kuptonte guximin, pasionin dhe vendosmërinë e jashtëzakonshme të popullit të Kosovës për t’u kthyer në tokën e tyre. Madje edhe kur pjesëtarët e OKB-së u thanë “Ju lutem, mos hyni. Mund të jetë e rrezikshme”, ata nuk dëgjuan dhe u kthyen.

Berani: Ata dëshironin të ktheheshin.

Clark: Donin të ktheheshin dhe të ktheheshin menjëherë.

Berani: Por, Z. Clark, sot kemi një dukuri tjetër – është varfëria e përhapur mjaft shumë dhe papunësia është a lartë. Kosova ka një ekonomi të përmasave të vogla. Fundja jemi shteti më i ri evropian. Shumë të rinjë po largohen nga vendi. Cila është porosia juaj për ta?

Clark: Mendoj se ju duhet të bëni më të mirën e mundshme për ta përmirësuar arsimin këtu, mendoj se duhet ta keni qeverinë më të mirë të mundshme dhe kjo do të thotë të angazhoheni që të keni një qeveri të ndershme, transparente dhe pa korrupsion. Gjithashtu, mendoj se duhet të investoni në mundësitë që ekzistojnë këtu. Akoma keni burime të mëdha minerale në këtë vend, keni bujqësi të mrekullueshme dhe gjendeni në një udhëkryq strategjik, kështu që tregtia që synohet qoftë në perëndim apo drejt lindjes, duhet të kalojë përmes Kosovës. Prandaj, është një mundësi e mirë por, ajo duhet të zhvillohet dhe të punohet në këtë drejtim.

Berani: Pra ju jeni optimist?

Clark: Po, jam.

Berani: Kosova, a është duke shkuar në drejtimin e duhur? Si e parashihni të ardhmen e saj, ku do të jetë ajo pas dhjetë viteve?

Clark: Mendoj se do të keni më shumë të rinj që kthehen në vendin e tyre sepse mendoj se janë patriotë dhe e duan vendin e tyre dhe mendoj se shumë njerëz tuaj që janë jashtë vendit, në Gjermani, në SHBA apo në Britaninë e Madhe, do të kthehen dhe do të sjellin shkathtësitë, përvojën, kontaktet dhe resurset e tyre.

Berani: Marrëdhëniet Kosovë – NATO, çfarë janë gjasat që një ditë Kosova të jetë anëtare e NATO-s?

Clark: Mendoj se ka gjasa të shkëlqyeshme që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Berani: Po e Bashkimit Evropian?

Clark: Mendoj se po, por kjo duhet të zgjidhet edhe në mes BE-së dhe Serbisë. Përderisa politikanët e Serbisë mund të garojnë në zgjedhje dhe të zgjidhen në bazë të kundërshtimit të tyre ndaj Kosovës, do të jetë e vështirë për Serbinë që të bëhet anëtare e BE-së poashtu.

Berani: Vetëm edhe disa pyetje tjera Z. Clark, ekzistojnë disa hezitime lidhur me Forcat e Sigurisë së Kosovës. Ato janë në ristrukturim e sipër për tu bërë ushtri e Kosovës brenda një periudhe të caktuar kohore në të ardhmen. Përse i duhet Kosovës një kohë kaq e gjatë që ta ketë ushtrinë e saj?

Clark: Para së gjithash dua të përshëndes guximin e forcave çlirimtare të Kosovës dhe posaçërisht kosovarët të cilët erdhën këtu nga jashtë vendit. Kam takuar shumë të tillë në SHBA në njëzet vitet e fundit. Ata më takojnë në aeroport dhe në darka të ndryshme dhe më thonë “Unë kam luftuar atje, kam shkuar atje” e kështu me radhë. Ka shumë njerëz të guximshëm dhe të përkushtuar. Kemi pasur Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe kjo e ka mbajtur grupin të bashkuar. Është krejt e natyrshme që një vend i pavarur të ketë forca të armatosura. Është krejt a natyrshme, kjo është çfarë bëjnë shtetet. Kjo nuk do të thotë që Kosova do ta sulmojë ndonjë vend, por nga aspekti i krenarisë dhe vetëmbrojtjes dhe patriotizmi normal, të cilin e kanë njerëzit, një numër i caktuar i tyre duhet të jetë në uniformë.

Berani: Si ekspert ushtarak i shkëlqyer, si e shihni Ballkanin, a është stabil? A ka rrezik për ndonjë luftë të re?

Clark: Mendoj se Ballkani momentalisht ndihmohet nga prania e KFOR-it në Kosovë. Mendoj se ky është një përkushtim i rëndësishëm i vazhduar që ka NATO. Por, aktualisht rusët kanë ndërtuar një bazë në Nish të Serbisë. Ata thonë se është për veprimtari humanitare, por ajo posedon komandën dhe kontrollin e nevojshëm për të bërë çdo gjë tjetër që mund të bëhet. Së voni presidenti Putin ishte në Serbi ku, si e dini, u prit si hero! Serbia blenë teknologji ushtarake ruse! Por, edhe pse është e rrethuar nga NATO, nuk ekziston ndonjë rrezik i mundshëm për Serbinë në këtë moment nga NATO. Dua të them, ne shpresojmë që Serbia të bëhet pjesë e Evropës bashkëkohore, e Bashkimit Evropian dhe ndoshta një ditë të bëhet pjesë e NATO-s së bashku me Kosovën. Prandaj, shtrohet pyetja, për çfarë është e tërë kjo, dhe e tërë kjo ka të bëjë me Z. Putin i cili ka një mundësi. Është sikurse një krizë në pritje. Është një moment, dhe kurdo që atij i nevojitet të ketë një krizë, ai e fillon krizën. Ndoshta këtu, ndoshta në Ukrainë, ndoshta në vendet Baltike.

Berani: Por, KFOR-i prai NATO mund ta ndalojë këtë, apo jo ?

Clark: NATO është këtu për të ofruar siguri se kriza e tillë nuk shpie askund.

Berani: A jeni të brengosur me ndryshimin e raporteve të forcave politike në kontekstin  spektrit të tyre global? Disa rryma elitare, të cilat vërtetë kanë luftuar për dekolonizimin, për lirinë e shumë shumë kombeve të vogla, shteteve të vogla, thjeshtë janë lënë anash disi, forca të reja po vijnë…

Clark: Më shqetëson rritja e nacionalizmit në mbarë botën dhe në Evropë, natyrisht. Populli i Kosovës është shumë krenar për vendin dhe kombësinë e tyre, por kjo është ndryshe, sepse kosovarët duan të jenë pjesë e botës por, shumë njerëz janë aq të frikësuar nga ajo se çfarë ka ndodhur në 20 vjetët e fundit: globalizmi, migrimi, ardhja e të huajve, e kështu me radhë. Kanë reaguar në mënyrë të gabuar. Në fakt i takon udhëheqësve politikë që të ofrojnë sigurinë të nevojshme për publikun. Vendet e punës, investimet, arsimi, përvojën e zgjerimit, e më së shumti sigurinë ekonomike në mbarë Evropën që ata mund të përballen me të ardhmen. Njerëzit vijnë në Evropë sepse Evropa është toka e premtuar. Evropa ka ligje, ka strukturë, arsim, shëndetësi, ajo ka çdo gjë të cilën njerëzit nga e mbarë bota e dëshirojnë. Por ajo duhet të jetë në gjendje të administrojë kufijtë e saj në atë mënyrë që personat të cilët vijnë aty të mund të përshtaten dhe ambientohen. Më e rëndësishmja është që ata duhet të vijnë aty, të marrin mësim dhe të kthehen në vendet e tyre dhe t’i ndihmojnë shtetet e tyre në arritjen e shkallës së njëjtë të sigurisë që e kanë evropianët.

Berani: Harta ekzistuese e Ballkanit, a është përfundimtare apo do të ketë sërish ndryshime kufijsh?

Clark: E po, kjo është çështje politike për të cilën vërtetë nuk jam në rrjedha për momentin. E di se po diskutohet por duhet të presim të shohim se si do të zgjidhet. Dëshiroj që ajo të zgjidhet në interesin më të mirë për popullin e Kosovës por kjo akoma mbetet për tu vendosur.

INTERVISTA FILLON NË MINUTIN 7


Berani: Z. Clark, ju faleminderit shumë.

Clark: Faleminderit juve.

@infoglobi

 

 

 

 

Provo po ashtu

kadri veseli

Veseli largon nga pozitat personat me aktakuza të konfirmuara

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.