Interi shënoi fitore ndaj Kievos

Interi fitoi jo pa vuajtje ndaj Kievos këtë të shtunë. Zikaltërit siguruan tre pikët falë fitores 3-1 të arritur me shumë mundim ndaj miqve.

Synimet e skuadrës së Piolit për tre pikë u panë qartasi që në minutat e para të takimit, por volumi i madh i lojës që krijohej në mesfushë e mbrojtje, nuk finalizohej me aksione të qarta dhe të rrezikshme në portën e Kievos.

E kundërta ndodhi për kundërshtarët, që gjetën rrugën e rrjetës në daljen e tretë të tyre në portën e zikaltërve.

Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 34-t të takimit, kur Pellisier u harrua brenda zonës së vogël të zikaltërve dhe i pashqetësuar dërgon në rrjetë topin e marrë nga një goditje këndi. Ky gol vulos rezultatin e pjesës së parë.

Sinjalet që Interi nuk do të pajtohej me këtë rezultat u dhanë që në minutat e para të pjesës së dytë, por goli i barazimit do të mbërrinte vetëm në minutën e 69, kur Icardi dërgon në rrjetë një top të marrë nga Candreva.

Edhe me barazimin zikaltërit ishin të pakënaqur, por përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të gjetur rrjetën u ndalën nga portieri Sorrentino, deri në minutën e 86-të, kur Perisiç shënon golin e avantazhit, ndërsa në minutën e tretë shtesë, kishte kohë edhe për Eder që të vuloste ndeshjen në 3 me 1.

Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për Interin, që e sheh veten tashmë në vendin e gjashtë me 36 pikë. Ndeshja tjetër e kësaj të shtune, ajo mes Krotones dhe Bolonjas u mbyll me fitoren 1-0 të miqve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.