Ballina / OP./INTERVISTA / Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut
teknologjia

Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut

Inteligjenca artificiale përkufizohet gjerësisht si teknologjia që u mundëson makinerive të kryejnë funksione që vetëm njerëzit i kanë bërë në të kaluarën. Megjithatë, ndërsa kjo teknologji vazhdon të avancojë, Zëri i Amerikës shqyrton zhvillimin në rritje të debatit për t’u siguruar që vendimet që do marrin makinat, të jenë vendime etike.

Që nga drejtimi i makinës, luftimi i sëmundjeve, apo organizimi i të dhënave që njerëzit shohin në internet, vendimet po i merr gjithnjë e më shumë inteligjenca artificiale në vend të njerëzve.

Ekspertët e mbledhur në një konferencë të Universitetit të Stanford-it thonë se ndërsa inteligjenca artificiale po bëhet më e zgjuar, programuesit duhet të sigurohen se po i mësojnë kësaj inteligjence të respektojë vlerat njerëzore.

Disa mendojnë se një zgjidhje do të ishte përfshirja e Deklaratës Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në gjuhën e programimit të inteligjencës artificiale.

“Kemi një kuadër parimesh të cilit duhet t’i referohemi – kuadrin aktual ndërkombëtar të të drejtave të njeriut”, thotë Eileen Donahoe, ish-Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948, parashtron një sërë nenesh bazë ku mbështetet ndër të tjera e drejta për jetën, lirinë, si dhe ku denoncohet skllavëria dhe tortura.

“Aty sanksionohen detyrimet ligjore të qeverive dhe përgjegjësitë e sektorit privat për t’i mbrojtur dhe respektuar (të drejtat e njeriut), si dhe për të ndrequr dhunimin e të drejtave të njeriut”, thotë zonja Donahoe.

Por, kundërshtarët thonë se teknologjia e inteligjencës artificiale do të jetë po aq e mirë dhe po aq e keqe sa njerëzit që do ta programojnë atë. Ata thonë se më shumë rregulla për programimin e inteligjencës artificiale, vetëm do ta mbysnin novacionin.

Të tjerë nuk janë dakort.

“Ky lloj pozicionimi nënkupton se novacioni është më i rëndësishëm se demokracia apo shteti ligjor – themelet e cilësisë sonë të jetesës. Mendoj se realisht disa prej sfidave më serioze për shoqërinë tonë të hapur, por edhe për internetin e hapur të ditëve të sotme, nuk vijnë prej teprisë së rregullave, por prej mungesës së rregullave për teknologjinë”, thotë Marietje Schaake, ish-anëtare e Parlamentit Evropian.

Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale nga kompani si Google, Facebook, Baidu dhe Tencent i ka tejkaluar rregullat, duke ekspozuar sfida si lajmet e rreme, shkeljet e privatësisë, vendime të njëanshme të inteligjencës artificiale, si dhe rrezikun e armëve të automatizuara.

Ekspertët thonë se është i domosdoshëm një kuadër rregullator global që do të sigurojë praktikat etike të inteligjencës artificiale.

“Gjendemi këtu pasi dëshirojmë një debat të hapur. Duam të sigurohemi se sistemi që po ndërtojmë do të bazohet tek vlerat tona njerëzore”, thotë Eric Schmidt, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale.

Por, kush i përcakton vlerat njerëzore? Ekspertët thonë se përfshirja në inteligjencën artificiale të përkufizimit të OKB-së të të drejtave të njeriut do të ishte një hap i madh drejt një të ardhmeje të sigurtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!