fbpx

Inspektorati policor propozon suspendimin e një zyrtari të AUV–it

Sipas burimeve të InfoGlobit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Hetuesit e IPK-së i kishin pranuar informacionet e para lidhur me këtë rast nga Policia e Kosovës  (për rastin e vjedhjes në objektin e AUV-it), ku sipas marrëveshjes  së përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrtarët policorë në punë sekondare bëjnë sigurimin e objektit në fjalë.

 Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

 Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

“Gjatë natës së mbrëmshme ka ndodhur një hyrje e paautorizuar. Me rastin besoj se janë duke vazhduar procedurat e policisë, çdo informatë më tutje mund të ndërhyjmë në procesin e policisë. Derisa Policia të jep informata, nuk mund të japim më tepër. Nuk mundem për shkak se Policia ka marrë të gjitha konfirmimet. Hyrja nuk e dimë sakt nga kanë hyrë, thuhet se kanë hyrë nga ana e prapme”, kishte deklaruar dje për media Naser Krasniqi, ushtruesi i detyrës se kryeshefit të AUV-it.

Ndërkaq sot Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje shtesë për vjedhjen e kasafortës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Siç shkruhet në raport, në këtë ngjarje dyshohet se kanë qenë të përfshirë disa persona.

Policia thotë se ata kanë depërtuar me forcë në objekte, me ç’rast kanë kryer vjedhjen.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore relevante. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit.

Në AUV besohet se u vodhën para e dokumente të ndjeshme

“Rr. “Nënë Tereza”, Fushë Kosovë 22.10.2020 – 03:00. Raportohet se persona të dyshuar kanë depërtuar me forcë në objekte, me  ç’rast kanë kryer vjedhjen. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore relevante. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, thuhet në raportin e Policisë.

Në AUV raportohet ndërkaq se është vjedhur një kasafortë, brenda së cilës ka pasur dokumente dhe para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.