Industria e Golit!

Artan Fuga

Futbolli është projekti i dëshirës për ta mundur tjetrin në jetën reale, jetë e zbutur dhe e kontrolluar fatmirësisht nga agjenci të ndryshme shtetrore, edukative, etj. Por, sot një ndeshje e mirë, që tërheq interes, nuk bëhet fare për tifozët e gjorë që janë në shkallët e stadiumit. Ata bëjnë qejf me qejfin e tyre, por nuk e dinë se me qejfin e tyre bëjnë qejf të tjerët. Tifozët në shkallët e stadiumit kujtojnë se janë spektatorë, kurse në fakt ata janë pjesë e spektaklit global që në kushtet e mediave panglobale bëjnë që ndeshja të shihet nga miliona spektatorë. Një ndeshje e mirë bëhet kur ka gola. Gola dhe fitore. Nuk ka rëndësi që ndeshja të jetë miqësore apo zyrtare, ajo duhet të jetë ndeshje për fitore, agresive, burrërore, e shpejtë, jo pse këtu qendron bukuria, por sepse nëpërmjet bukurisë, tërhiqen miliarda euro dhe dollarë fitime.

Goli në vetëvete bëhet brenda asaj që quhet industri e sportit dhe e mediave të ndërthurrura bashkë. Kush nuk bën gol ose nuk mbron portën nga goli është i destinuar të falimentojë financiarisht, ekonomikisht. Pra, të gjithë ata lojtarë që nuk plotësojnë këto dy parime dalin në pension, ikin, i heqin, i shesin, i hedhin si limon i shtrydhur. Klubet kanë shitur të drejtat e transmetimit të ndeshjeve stacioneve gjigande televizive. Mirëpo këto nuk i përkasin vetes të tyre, pas tyre janë aksionerët që luajnë interesat. Ku mund të kuptohet ta zemë futbolli anglez pa interesat si aksionere te BskyB i Century 21? Ku mund të kuptohet futbolli francez dhe transmetimi televiziv i tij larg interesave të firmave të Katarit në stacione të ndryshme televizive? Kështu edhe me futbollin amerikano-jugor etj.

Mirëpo pas interesave të aksionerëve të stacioneve televizive qendrojnë edhe reklamuesit. Ata financojnë transmetimin televiziv. Matja e suksesit të një reklame të transmetuar bëhet me numrin e shikuesve të saj. Për këtë duhet që ndeshja në televizion të ndiqet nga sa më shumë telespektatorë. Cfarë rëndësie kanë tifozët në stadium, rëndësi kanë telespektatorët që shohin edhe tifozët në shkallare edhe lojtarët në fushë !

Nuk është Goli që shënohet dhe kamera rregjistron, është kamera që me rrotullimin dhe fuqinë e vet të padukshme shënon Gol, e merr nga njera portë dhe e çon topin direkt te tjetra. Fuqia e kamerës gjuan edhe penalltitë, kornet, goditjet e dënimit, kamera driblon, sprinton. Por, pastaj mbi këto industri që bashkojnë sportin, me mediat dhe me financat, ngrihen shoqëritë e lotove. Miliona tifozë të lotove, një industri e tërë që edhe ajo bën gola, pa fund gola.

E pastaj merkatoja e gladiatorëve, më falni, e prestidigjatorëve, ndjesë, e aktorëve, jo, jo, e futbollistëve ku lëvizin miliarda, në të zezë e në të bardhë. Ja pra, pse sporti pa industrinë sportit nuk mund të zhvillohet sot, ndeshja e futbollit është bërë një industri e reklamës, e medias, e interesit bankar tê aksionerëve të sipërmarrjeve, e prodhuesit të mallrave, industri e lotos, e merkatos futbollistike, është bërë llogari financiare dhe fitimi. Nuk luhet për fitore, luhet për fitim.

Çfarë mbetet sot nga goli i pastër i dikurshëm? Asgjë. Goli telekomandohet me dron, nga përqindja e interesit të fitimit, nga rentabiliteti financiar i marketingut, nga lëkundjet e bursës, nga vlerave e aksioneve në këtë apo atë biznes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.