Hyseni kërkon anëtarsimin e Kosovës në INTERPOL

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës z. Skender Hyseni, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, dje dhe sot ka vazhduar me një sërë takimesh me përfaqësues të përhershëm të vendeve të akredituara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me qëllim të sigurimit të mbështetjes sa më të gjerë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Ministri Hyseni ka biseduar me përfaqësuesit e përhershëm për nevojën e intensifikimit të rolit të Kosovës në bashkëpunimin policor ndërkombëtar duke theksuar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të qenë partner i barabartë në luftimin e krimit të organizuar sidomos nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve me vendet anëtare të INTERPOL-it.

Me gjithë respektin për rolin e UNMIK-ut deri më tash Ministri ka theksuar se është esenciale që Kosova të ketë qasje  direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion nga ana e saj rreth çështjeve që bien nën juridiksionin e INTERPOL-it.

Ai ka kërkuar përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL-it. Nga takimet shumta, si theksohet në komunikatën e MPB-së, Hyseni është ndarë me bindjen “se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm sidomos në aspektin policor viteve të fundit dhe për këtë ka përkrahjen e vendeve që të bëhet pjesë e INTERPOL-it”.