fbpx

Hoti: S’ka marrëveshje për vizitat e zyrtarëve nga Serbia

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti i ka cilësuar si “të pavërteta” lajmet për arritjen e një marrëveshjeje mirëkuptimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për vizitat e zyrtarëve të lartë nga Serbia.

“Qeveria respekton Marrëveshjen për lëvizjen e lirë. Por, secila kërkesë për vizitë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”, thuhet në një njoftim për media nga Zyra e Hotit.

Më 26 nëntor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka konfirmuar se javën e kaluar është arritur një pajtim i mirëbesimit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me vizitat e ndërsjella.

Marrëveshja e mirëkuptimit, siç thanë burimet nga Brukseli, ka për qëllim të që të pezullohen vizitat e ndërsjella, për aq kohë sa do të zgjasin gërmimet në varrezat e dyshuara masive, ku dyshohet se janë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

REL ka mësuar se marrëveshja u arrit përmes përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai parashikoi që palët të përmbahen nga kërkesa për vizita në Serbi ose Kosovë.

Më 21 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ka refuzuar kërkesat për vizitë në Kosovë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Petar Petkoviq. Këto kërkesa erdhën në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore “të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas”.

Një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se “ministrja e Kosovës (Meliza Haradinaj-Stublla) e shkeli konfidencialitetin e kësaj marrëveshjeje brenda pak orësh, dhe kjo është arsyeja pse BE doli në publik, dhe konfirmoi ekzistencën e një marrëveshjeje për të cilën nuk duhej të flitej në publik”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Haradinaj-Stublla më 25 nëntor deklaroi se Vuçiqit do t’i refuzohen kërkesat për vizitë në Kosovë, derisa nuk do të “kërkojë falje për gjenocidin ndaj popullit tonë, dhe derisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e këtij gjenocidi”.

Lidhur me anulimin e vizitave nga Prishtina zyrtare, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak i ka shkruar edhe një letër kryeministrit Hoti, ku i ka kërkuar që të respektojë Marrëveshjen për lëvizje të lirë, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut teknik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.