fbpx
Nga arkivi

Hoti: Në Bruksel nuk diskutohet për Asociacionin

Nesër në takimin në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe nuk do të diskutohet për Asociacionin, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti, gjatë diskutimit në platformën e organizuar nga organizatat e shoqërisë civile.

Delegacionet e dy vendeve do të takohen nesër në Bruksel në nivel të ekspertëve.

“Nesër në Bruksel diskutohet për çështjen e obligimeve financiare. Të gjitha obligimet financiare në mes të dy shteteve, përfshirë reparacionet e luftës, pensionet. Nesër nuk diskutohet në Bruksel për Asociacionin, nesër nuk është një ditë e rrezikshme për Kosovën. Nuk jemi duke e hapur këtë marrëveshje, respektojmë një obligim kushtetues që e ka Kosova”, ka thënë Hoti, duke iu kundërpërgjigjur presidentit Hashim Thaçi, që tha se do të jetë me rrezik takimi i radhës në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Serbia është pajtuar të hyjë në një proces të dialogut që do të çojë te njohja reciproke mes dy vendeve.

Ai ka thënë gjatë fjalimit në platformën e organizuar nga shoqëria civile.

“Serbia është pajtuar të hyjë në një proces të dialogut që çon tek njohja reciproke”, ka thënë Hoti.

Hoti ka refuzuar të flasë për deklaratat e presidentit Hashim Thaçi në lidhje me marrëveshjen për Asociacionin.

“Deklarimet që i bëjnë zyrtarët e ndryshëm nuk i komentoj”, ka thënë Hoti.

Thaçi dje tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të miratohet një plan lidhur me zbatimin e marrëveshjes së arritur në SHBA.

Ai ka shtuar se tek çështja e Ujmanit po bëhet zhurmë pa nevojë dhe po shfrytëzohet politikisht.

“Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të miratojmë një plan lidhur me zbatimin e marrëveshjes së arritur në SHBA. Tek çështja e Ujmanit po bëhet zhurmë pa nevojë dhe po shfrytëzohet politikisht. Si mendoni që në Shtëpinë e Bardhë nënshkruhet një marrëveshje që cenon sovranitetin e vendit”, ka thënë Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se udhërrëfyes për procesin e dialogut që nga koha kur e ka marrë detyrën është Kushtetuta e Kosovës.

“Është një qasje për zgjidhje sistematike të problemit dhe jo zgjidhje kreative. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Kjo nuk është shtruar në asnjë tryezë diskutimi ku unë kam marr pjesë qe tre muaj”, tha Hoti, raporton KOHA.

Hoti, gjithashtu shtoi se “Nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive”.

“Për këto dy çështje kemi përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke. Marrëveshja dhe procesi duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, që i bie me njohje reciproke. Marrëveshja duhet të përfundoj me një zgjidhje të përhershme të problemit”, tha tutje Hoti në platoformën e organizuar nga shoqëria civile për dialogun.

Hoti gjithashtu përmendi edhe çështjen e të pagjeturve.

“Ajo që bëjmë në këtë fazë është draftim i elementeve të marrëveshjes përfundimtare, një prej këtyre elementeve është çështja e të pagjeturve. Po cilësohet dialog teknik, nuk ka dialog teknik, nuk jemi duke arritur marrëveshje parciale. Për vite janë arritur marrëveshje që nuk janë zbatuar, dhe kjo ka ndodhur se nuk është adresuar njohja reciproke”, tha Hoti, raporton Hoti, duke shtuar se “Bashkëpunimi në mes të BE-së dhe SHBA-së në procesin e dialogut nuk është i ngushtë por është i plotë”.

“Nga marrëveshja e arritur në SHBA e cila ka kryesisht elemente ekonomike Kosova do të përfitojë rreth 1 miliard dollarë amerikan investime në projekte të ndryshme”, shtoi tutje.

Ai ka ftuar partitë politike që të bëhen bashkë dhe të flasin me një zë për procesin e dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!