Ballina / KOSOVA / Hoti: Kosova me dy projekte të reja me BERZH

Hoti: Kosova me dy projekte të reja me BERZH

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen që e kishte në takimin vjetor të BERZH-ut, ku ai është guvernator në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministri Hoti ka bërë të ditur se është arritur pajtueshmëri për dy projekte konkrete, ndërsa që ka edhe projekte tjera për të cilat është arritur pajtim në parim.

“Është projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore nga Hani i Elezit deri në kufi në veri me Serbinë. Unë besoj që në korrik finalizohet gjithçka dhe do të mund të nënshkruhet kontrata. Presidenti i BERZH-it do të jetë në Prishtinë për nënshkrimin e kësaj kontrate, dhe vizita e tij është shenjë e respektit dhe bashkëpunimit që ka BERZH me Kosovën. Projekti tjetër është i rrugës Kijevë – Zahaç, kontratë e cila do të nënshkruhet në shtator, eventualisht në tetor”, ka bërë të ditur ministri Hoti.

Poashtu, ministri ka pohuar se studimi i fizibilitetit është bërë për rrugët rajonale  Pejë- Gjakovë- Prizren, Mitrovicë-Pejë, Ferizaj-Gjilan dhe Ujëvarë, për të cilat do të mund të nisin negociatat në fund të vitit apo në fillim të vitit tjetër.

Qeveria poashtu është pajtuar që të lëshoj garanci për ndërmarrjen “Trafiku Urban” në Prishtinë, si dhe për bashkëpunimin me BERZH lidhur me modernizimin e PTK-së. Lidhur me këtë, një ekip nga BERZH-i do të vijë në Kosovë për të parë një plan konkret se si ata e shohin këtë bashkëpunim të tyre me Qeverinë dhe PTK-në.