Hoti: Kosova ka obligim për t’i normalizuar raportet me vendet në rajon

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ai tha se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Me kërkesën e partisë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Hoti është thirrur të enjten në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Interpelanca ka të bëjë me vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë për marrëveshjen e arritur në Uashington, ndërmjet të dyja shteteve.

Hoti ka thënë se Kosova ka obligim për t’i normalizuar raportet me vendet në rajon, duke përfshirë dhe shtetin e Serbisë.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Hoti.

“Më 7 shtator është hapur tema e Asociacionit dhe e obligimeve financiare. Qëndrimi i qeverisë është se tema e Asociacionit nuk hapet në dialog, pasi që kjo marrëveshje është arritur më 2013”, është shprehur Hoti para deputetëve.

Hoti ka theksuar se në këtë fazë të dialogut, është duke u bërë draftimi i elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Draftimi ka filluar me dy tema, të cilat i kemi imponuar, personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike, pala serbe ka kërkuar që në diskutim të shtrohet edhe çështja e të zhvendosurve”, ka deklaruar Hoti.

Ai para deputetëve ka thënë se marrëveshja duhet të përmbajë elemente që shfuqizojnë rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Çfarë thotë opozita?
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se në Uashington nuk është negociuar asgjë. Sipas tij, marrëveshja është më shumë meritë e amerikanëve se e qeverisë së Kosovës. Hoxhaj ka shtuar se rikthimi i fuqishëm i SHBA me një përpjekje që ta përmbyll dialogun Kosovë-Serbi është zhvillim pozitivë.

“Ajo çka po ndodh këto ditë është hapja e pakos së Ahtisari. Dhe ky është shqetësimi jonë, dhe nuk ka të bëjë më atë se unë jam në opozitë por, po e them në mënyrën më të sinqertë. Paragrafi i marrëveshjes së Uashingtoni që fol për kishat është hapje e pakos së Ahtisarti. Sot në Bruksel kur Skënder Hyseni flet për aranzhimet për komuniteti jo shumicë është hapje e pakos së Ahtisarit”, tha Hoxhaj.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Të enjten të dyja delegacionet në nivel të ekspertëve diskutojnë në Bruksel për çështjet financiare.

Kryeministri e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti për dialogun.

Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump. Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guximin drejt përparimit të normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja e 4 shtatorit në SHBA, ka theksuar Hoti, është arritur pas një roli aktiv të Shteteve të Bashkuara.

“Kjo marrëveshje i ka 16 pika, prej të cilave janë edhe projektet e mëdha infrastrukturore. Vlerësoj që ky është momentum i ri i marrëdhënieve BE-SHBA sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se me marrëveshjen e arritur, Kosova do të kthehet në epiqendër të aktivitetit ekonomik infrastrukturor.

“Sjellja e gazit në Kosovë do të jetë infuzion. Kosova do të kthehet në epiqendër të aktivitetit ekonomik infrastrukturor”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.