Hoti: Karantinimi mund të kthehet, mosmbajtja e maskave vepër penale

Karantinimi në qytete me shumë raste me koronavirus mund të kthehet. Një mundësi të tillë e ka lënë të hapur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të hënën. Ai ka folur pas mbledhjes së Komitetit për Pandeminë.

“Jemi duke diskutuar për karantinimin ku ka më së shumti raste. Duhet të rregullojmë pak më mirë ceremonitë mortore. Policia do të merr të gjitha autorizimet e nevojshme. Të gjitha resurset i kemi vënë në funksion”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se në mbledhje është diskutuar për gjendjen e krijuar. Kryeministri Hoti ka theksuar se nuk mund të lejohet që gjendja të dal jashtë kontrollit.

“Kemi 49 raste me fatalitet, Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka më vende për njerëz. Janë duke u krijuar vende në klinika tjera. Masat janë të thjeshta, maskat, distanca dhe larja e duarve. Jemi të obliguar t’iu përmbahemi”, ka theksuar Hoti.

Kryeministri ka paralajmëruar veprime penale për personat që nuk iu përmbahen masave. Hoti ka treguar që aktualisht 113 persona janë të hospitalizuar, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë. 8 për qind e të prekurve nga COVID-19 janë mjekë.

“Situata është nën kontroll të brishtë dhe duhet të punojmë të gjithë për ta menaxhuar. Diskutuam për masat që do të marrim, duke filluar nga reduktimi i punësimit në institucione. Do të mbyllim të gjithë sektorët në departamentet ku ka raste. Duhet të kontrollohen, që personat e infektuar të mbesin të izoluar. Duhet të aktivizohen shtabet lokale nëpër komuna. Inspektorati sanitar do të marr masat ndëshkimore në rrugë, biznese e kudo. Inspektorët do të jenë 24 orë dhe nëse nuk mbani maskë do të dënoheni”, ka thënë kryeministri Hoti, që nuk e ka përjashtuar mundësinë e valës së dytë të infektimeve.

Sipas Hotit është vështirë që të lëvizet me hapjen e pishinave, lejimin e ahengjeve dhe bizneseve tjera.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se është angazhuar i gjithë potenciali për të menaxhuar situatën. Ai ka thënë se faza e tretë e hapjes graduale ekonomike ka rezultuar me rritje të rasteve. Zemaj ka thënë se rritja e rasteve është pasojë e mosrespektimit të masave nga bizneset.

“Jemi duke përgatitur edhe strategjinë e re të testimeve. Do të fillojmë testimet në masë. Ministria me të gjitha kapacitetet është duke bërë çmos që të kthehemi mbrapa me masa”, ka thënë Zemaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.