fbpx

Hoti e Grenell me qasje tjetër ndaj Marrëveshjes nga Osmani e Kurti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar bashkëpartiaken e tij Vjosa Osmani, dhe partinë opozitare Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me reagimet e fundit pas Marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

Për Osmanin, thotë se i duhen 2-3 vjet për ta kuptuar që është gabim ashtu siç e ka kuptuar për demarkacionin e zgjedhjen e kryetarit të LDK-së, ndërsa Vetëvendosja, thotë ka qenë gabim historikisht.

“Historikisht Vetëvendosje ka qenë gabim. Nëse kthehemi në të gjitha ngjarjet e mëdha historike. S’po them se kjo është sikur ajo e pavarësisë apo Rambujesë, por në të vërtetë është ngjarje e rëndësishme. VV-ja ka qenë historikisht gabim në raste të tilla, edhe këtë rast ka qenë. Edhe zonja Osmani siç ka qenë në të kaluarën, edhe kësaj radhe është gabim. I duhen edhe 2-3 vite deri të kuptojë që ka qenë gabim. Kështu i është dashtë edhe për demarkacionin, apo për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së në krye të qeverisë e tek pas tre vitesh e ka kuptuar se e ka pasur gabim”, tha Hoti për televizionin publik.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar delegacionin kosovar, duke thënë se qytetarëve nuk u sollën ato që u premtuan. Por, njohjen e Kosovës nga Izraeli, Osmani e ka vlerësuar si një prej më të rëndësishmeve.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë lë të hapur mundësinë që shkëmbimi i territoreve të përfshihet në ujdinë finale.

Çka ka deklaruar për Marrëveshjen Vjosa Osmani dhe si e komentoi reagimin e saj Grenell?

Emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka reaguar kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila për marrëveshjen e nënshkruar dje në Ëashington tha se Kosovës nuk i solli njohjen e premtuar nga Serbia dhe çështje të tjera.

Grenell në një postim në Twitter tha se ata që ankohen që nuk morën më shumë nga kjo marrëveshje, përfshirë edhe Osmanin, është dashur të jepnin ide.

“Marrëveshja ishte për njohjen ekonomike. Është një hap shumë i madh. Për ju që të ankoheni tani që nuk keni marrë më shumë është e çuditshme pasi nuk ngritët një shqetësim të vetëm ose nuk më dhatë një ide të vetme. Kemi nevojë për politikanë që bëjnë më shumë sesa thjesht ankohen. Kjo ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës, jo me simbolikën”, shkroi Grenell.

Po ashtu, Grenell reagoi edhe për ankesën e Osmanit se nuk u mbajt premtimi që të mos negociohen shfrytëzimi i resurseve, siç është Ujmani.

Ai iu përgjigj duke thënë se në këtë liqen do të bëhet studim fizibiliteti derisa e kritikoi që këtë çështje ta përdorë politikisht.

“Ju nuk mund të paguani qiranë tuaj ose të ushqeni familjen tuaj me simbolikë. Studimi i fizibilitetit për liqenin është të dihet saktësisht se si mund të përdoret, çfarë lloj punësh mund të krijohen. Të supozosh se emri hap diskutime të tjera është politikë e pakuptimtë. Ky është një studim për krijimin e vendeve të punës”.

Osmani me një postim në Facebook tha se njohja nga Izraeli është pozitive sikurse përkrahja e SHBA-së për Kosovës, megjithatë listoi disa pika ku sipas saj delegacioni kosovar dështoi.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës. Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë:

– Njohjen e ndërsjellë me Serbinë

– Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani)

– Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi)

– Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë)

– Rezultate konkrete për të pagjeturit

– Dëmshpërblim për reparacionet e luftës

– Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë

– Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës.

Kurti e cilëson marrëveshjen të turpshme dhe të rrezikshme

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se elegacioni i Kosovës i solli vendit dëm, turp e rrezik.

Postimi i plotë i Kurtit në Facebook: 

Fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon.

Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten.

Nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nëshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova. Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre.

Të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës.

Krimet e dëmet gjatë luftës, borxhi që na e ka Serbia, u shpërfill a harrua nga delegacioni i Kosovës.

Koncensionet në planin e Ahtisaarit për manastiret dhe kishat nuk kishin pse rëndoheshin edhe më shumë në Washington DC, thua se nuk ka marrë boll Serbia.

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre.

Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës kah Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja e hoqi. Pra, askund s’ka njohje reciproke të premtuar. Përkundrazi, Grenell e pranoi se ka pranuar ta heq atë.

Çfarë i solli Kosovës në raport me Serbinë ky delegacion? Dëm, turp e rrezik.

Ish presidenti amerikan Carter dikur ka thënë se asnjë marrëveshje nuk mund të jetë afatgjatë nëse nuk fitojnë të dy palët. Por, në rrafshin ndërkombëtar mes Serbisë e Kosovës, Serbia po fiton gjithçka që synoi, ndërsa Kosova asgjë. Në rrafshin ekonomik sërish Serbia fiton më shumë, duke ju pranuar pozita e hegjemonit në rajon, kalim e tregti të lirë në Kosovë, dalje në det etj.

Izraeli duhet falënderuar, por njohja mes Kosovës e Izraelit është diçka mes vendeve tona, me ndihmën e ShBA-ve. Serbia nuk ka pse përfshihet në marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin. Nuk po e blejmë njohjen nga Izraeli duke i lëshuar sovranitet Serbisë.

Ujmani, energjia, minishengeni, rrugët e Serbisë nëpër Kosovë, deri para pak ditësh kanë qenë të papranueshme si tema bisedimesh me Serbinë për partitë në Kosovë. Ky ndërrim i faqes, tregon sa të padenjë janë. Shkuan atje me premtimin për njohje, por kur Vuçiq ka thënë se nuk ka bisedime nëse nuk eleminohet njohja, këta nuk kanë guxuar të këmbëngulin. Kanë pranuar gjithë çfarë ka kërkuar ai.

Natyrisht, fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.