Ballina / Kulturë / Historianët dhe ditari i arkivave gjermane që ndezi polemikat
histori

Historianët dhe ditari i arkivave gjermane që ndezi polemikat

Megjithëse të përdorura keqazi për konsum politik, data e çlirimit dhe pyetja nëse LANÇ ishte edhe luftë civile në Shqipëri, janë dy tema që kanë përfshirë këto vite edhe historianët.

Nëntorin e dy viteve më parë historiani amerikan, Bernd Fischer deklaroi se gjatë luftës çlirimtare, ka pasur edhe luftë civile nga partizanët, gjë që shkaktoi debate, për të cilat Fischer shprehu habi

Di që kjo është një çështje me rëndësi në Shqipëri, sinqerisht nuk e di pse duhet të jetë e tillë. Sigurisht që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve. Këtë ne mund ta quajmë luftë civile ose mund ta quajmë thjesht një përleshje a betejë, por fakti është që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve.  E di se ka njerëz që sugjerojnë që është e vështirë të ketë një luftë civile në kontekstin e pushtimit, madje kuptoj gjithashtu edhe se ka çështje politike të përfshira në këtë pyetje, por ky është mendimi im”, – thotë Fischer.

Fischer, i cili është një prej anëtarëve të komisionit shtetëror për rishkrimin e historisë së Shqipërisë dhe është caktuar përgjegjës për periudhën që përfshin Luftën e Dytë Botërore ka deklaruar në një intervistë në DITA tetorin e 2014-s që për të shmangur debatet, data e Çlirimit të vendit duhet të jetë data 4 dhjetor, e dokumentuar sipas tij nga arkivat gjermane.

“Data ime vjen nga dokumentet gjermane që kam lexuar. Një prej këtyre që e kam publikuar, e ka shkruar një oficer gjerman, është një dokument 100 faqesh që përshkruan gjithë aktivitetin e tyre duke përfshirë edhe datën se kur u larguan gjermanët.  Gjermanët i mbeten idesë që u tërhoqën në 4 dhjetor, pra as në 28 as në 29 nëntor. Besoj se dokumentet gjermane duhet të respektohen” – thotë Fischer.

Por krejt ndryshe nga Fischer mendon historiani ushtarak Marenglen Kasmi. Dokumentat e zbuluara prej tij u publikuan për herë parë në DITA gjatë një interviste me z.Kasmi në 30 nëntor 2013.

Kasmi ka shtënë në dorë edhe Ditarin Luftarak të Komandës së Lartë të Wehrmacht-it gjerman në arkivin e Freiburg-ut.

Ditari është një nga dokumentet e shumta që ruhen në Arkivin Ushtarak të Freiburg-ut në Gjermani, të cilat hedhin dritë mbi periudhën 14-mujore të pushtimit gjerman në Shqipëri në vitet 1943-1944.

 

Duke pasur parasysh që, Wehrmacht-i gjerman ishte një nga ushtritë më të mirorganizuara të kohës, edhe në fazat më të vështira që ai kaloi, duke përfshirë edhe dy vitet e fundit të luftës, gjatë tërheqjes nga të gjitha frontet e luftës, raportimet ditore në Komandën e Lartë të Wehrmacht-it kryheshin me shumë rigorozitet” – thotë Kasmi.

Në aspektin shkencor historik, studimi i këtij Ditari Luftarak i jep fund njëherë e mirë dilemës së datës së çlirimit të Shqipërisë.

“Nëse shikojmë raportimet ditore të trupave gjermane të grumbulluara në Shkodër në fundnëntorin 1944, e sidomos raportimet e datës 28, 29 dhe 30 nëntor, por edhe raportimet e tjera të forcave gjermane në Jugosllavi, lexohet qartë që gjermanët u larguan nga Shkodra në datën 29 nëntor 1944.

Pas tërheqjes së gjermanëve më 17 nëntor 1944 nga Tirana, më 22 nëntor, trupat e mbetura të Korparmatës XXI arritën në qytetin e Shkodrës. Ato duhej të tërhiqeshin në drejtimin Podgoricë/Ura e Bioçes – Vjetarnik – Kolashin – Prijepolje (Serbi), për t’u bashkuar me forcat e tjera gjermane që tërhiqeshin nga Maqedonia” – citon historiani Kasmi ditarin gjerman.

Nga ky ditar mësohet se fati i tërheqjes dhe shpëtimi i trupave të Korparmatës XXI, në të cilën bënin pjesë edhe trupat gjermane të vendosura në Shqipëri, përcaktohej nga ura e Bioçes, pranë Podgoricës, e cila u kap prej trupave gjermane, ndonëse në gjendje të shkatërruar, së pari në datën 28 nëntor 1944.

“Me t’u siguruar rrugëkalimi, në mbrëmjen e datës 28 nëntor, u dha urdhri për fillimin e tërheqjes nga Shkodra dhe trupat gjermane filluan të lëshojnë me luftim pozicionet mbrojtëse në jug të Shkodrës. Duke filluar nga mbrëmja e datës 28 nëntor, e duke u gdhirë 29 nëntori, trupat gjermane lëshuan qytetin e fundit më të madh verior të Shqipërisë, Shkodrën. Pra, largimi i tyre në datën 29 nëntor ishte diktuar nga zhvillimet luftarake jashtë kufijve të Shqipërisë. Sigurisht që nata krijonte kushtet më të favorshme për tërheqje” – shpjegon Kasmi për DITA.

Ai mendon se “problemi i 29 Nëntorit” nuk qëndron te historianët, por te politizimi i kësaj çështje.

“Me të drejtë historiani gjerman Michael Schmidt-Neke flet për një fenomen të  revizionimit të historisë në Shqipëri, ku mallkohet çdo gjë që kanë përkrahur komunistët dhe fetishizohet gjithçka tjetër që është luftuar nga komunistët. Për të mos rënë pre e këtij fenomeni, tashmë ka ardhur  koha që historia të rivlerësohet duke ballafaquar burime arkivore vendase e të huaja” – thotë historiani në intervistën që mund të lexohet e plotë në arkivën e DITA.

Paskal Milo

Tezën e Fischer për “luftë civile” e kundërshton kategorikisht edhe historiani Paskal Milo. Ai e ka cilësuar këtë si një atentat që duan t’i bëjnë luftës nacionalçlirimtare.

Është një tezë që përgjithësisht ngrihet nga njerëz që duan ti bëjnë atentat Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, ose më mirë do thosha kontributeve të çmuara të patjetërsueshme të të gjithë shqiptarëve antifashistë, në një ngjarje kaq madhore siç është Lufta e Dytë Botërore.

Milo është dakord me Kasmin se politizimi e ka dëmtuar debatin mbi Luftën.

“Ka ardhur koha që tema e luftës të mos bëhet objekt debatesh politike, dhe as interpretime mbi baza politike. Është thënë shumë herë dhe unë dua ta përsëris edhe një herë tjetër, unë jam vetë historian, por, kjo çështje duhet tu lihet historianëve sepse ata kanë përgatitjen, kulturën, materialet dhe metodologjinë për të bërë një debat të shëndetshëm shkencor edhe rreth kësaj çështje”, mendon Milo, cituar nga DITA.

*****

Në përgatitjen e këtij materiali janë përdorur citime dhe materiale nga arkiva e Ditës.

Editoi: b.m. / dita

Check Also

Ky është qyteti i humbur i Aleksandrit

“Qyteti i humbur” i Aleksandrit të Madh ishte përshkruar si një vend magjik, ku njerëzit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *