Histeria pas Zhizhekut

Zhizhek është i majtë, por të jesh i majtë nuk është si të jesh heretik në kohën e inkuizicionit! E majta ekziston kahmos në botë edhe sot e kësaj dite!

Shkruan: Dush Gashi

A po e shihni se të gjitha partitë i kanë “muxhahedinët” e tyre dhe po ua ngacmove idhullin e tyre (apo edhe më keq nëse ua lavdon kundërshtarin e tij!) dhe politikat partiake – vërsulen si anzat! Foli diçka për Kosovën, le të themi po deshët edhe jo aq të qëlluar dhe – filloi histeria kundër filozofit slloven Sllavoj Zhizhek!

Njerëz, të cilët nuk marrin mundin të lexojnë së paku artikullin për të në Wikipedia, e të mos themi se nuk janë të zotët ta lexojnë si duhet asnjë artikull të tij, të cilët me lehtësi mund të gjenden gati në të gjitha gazetat e rëndësishme të botës, e quajnë “llom”, “mbrapshtan” e kushedi si tjetër!

Zhizheku (Slavoj Žižek) nuk është Handke! Zhizhek është i majtë, por të jesh i majtë nuk është si të jesh heretik në kohën e inkuizicionit! E majta ekziston kahmos në botë edhe sot e kësaj dite! Në ShBA, për shembull, demokratët konsiderohen të majtë. Bill Sanders, i cili, ndonëse për fat të keq edhe atje po “luftohet” me etiketa, ndaj e quajnë “socialist” – nuk është kundër demokracisë liberale! Të jesh i majtë nuk do të thotë të jesh stalinist, nuk do të thotë të jesh për diktaturë, e – siç aludohet shpesh te ne – as të jesh përkrahës i Serbisë a i Rusisë! Të jesh i majtë nuk do të thotë të jesh enverist! Majtizmi i “diktaturës së proletariatit”, pos në Korenë veriore, ka përfunduar në plehrat e historisë!

Se sa i çmuar është ai në botë ndoshta është tregues i mjaftueshëm se “Foreign Policy” në vitin 1912 e ka vënë Zhizhekun në listën e 100 mendimtarëve kulmorë të botës (Top 100 Global Thinkers), sepse “i ka dhënë zë epokës së absurditetit”. (Wikipedia).

Sigurisht, nuk e kam fare hallin e Zhizhekut për etiketimet tona, jehona e të cilave nuk arrinë më larg se në Keçekollë, po te (pa)kultura politike të cilën e kultivojnë partitë tona!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.