Ballina / KOSOVA / Hipokrizia e mburrjes së politikanëve me kombëtaren

Hipokrizia e mburrjes së politikanëve me kombëtaren

Në vend se politikanët e Kosovës të lavdohen me ekipin kombëtar të futbollit, do të duhej të turpërohen, sepse ai paraqet të kundërtën e tërë asaj që përfaqësojnë ata. – Tifozët e Kosovës mund të jenë më miqësorë me ekipet e huaja. – Mediat tona i ushqyen tabloidët e Vuqiçit

Dush Gashi

1.

Nuk ka gjë që politikanët e Kosovës i nxjerr më shumë në dritë si njerëz të cilët nuk e jetojnë realitetin objektiv, që perceptimi i tyre për botën është aq i shtrembëruar sa thua se jetojnë në një univers paralel, sa atëherë kur lavdohen me sukseset e kombëtares së futbollit të Kosovës. Kulmin e hipokrizisë ata e shfaqin në rast se nga çfarëdo interaksioni me kombëtaren përpiqen të ngrenë imazhin politik e njerëzor të tyre. Po të kishin vetëm një grimë ndjeshmërie për botën jashtë gëzhojës së narcisoizmit të tyre, do të duhej të jetë mu e kundërta – do të duhej të turpëroheshin thellë sa herë luan kombëtarja. Sepse çdo gjë që paraqet ajo, është në kundërshtim me botëkuptimet, me angazhimet dhe veprimet e tyre.

E vërteta është se, kryesisht shkaku i udhëheqësve tanë Kosova sot nuk prezantohet me lajme të mira në mediet e botës. As mediet e vendeve më dashamirëse nuk mund ta heshtin se jemi vend i korruptuar, ndërsa ata të cilët po i fton gjykata e Hagës nuk cilësohen me eufemizma, siç i quajmë ne, në mos i quajshim edhe heronj, po të akuzuar për krime lufte. Është thuaja se vetëm sporti, dhe atë ekipi kombëtar i futbollit dhe sportet individuale, të cilat prodhojnë lajme të mira nga ky vend. Dhe ia ngrenë imazhin e tij në botë, për aq sa shumë ambasadorë të tij ia rrënojnë.

Për sukseset e kombëtares jo se kanë ndonjë meritë udhëheqësit tanë, por është madje çështje edhe sa është ajo kombëtare e Kosovës. Të mos harrojmë, të gjithë ata djem, të cilët po i bëjnë krenarë qytetarët e këtij vendi, kryesisht janë ata të cilët i kanë ruajtur kujtimet e prindërve të tyre për një vend të martirizuar, siç e tregoi me sinqeritet Florent Hadërgjonaj, e të cilat kujtime nuk i janë nënshtruar transformimit në interes të arritjes së pushtetit e pasurisë, siç ka ndodhur në vendin e tyre amë. Dashuria e tyre për vendin e origjinës është e sinqertë, por në aspektin profesional e edhe njerëzor ata janë ngritur në vende tjera. Në fakt, është për turp se si asnjë lojtar nga ekipet kosovare të ligës së parë nuk është në kombëtare, gjë që e tregon nivelin e ulët në të cilin edhe sot e kësaj dite gjendet futbolli kosovar.

Dhe, e fundit, në krye të kombëtares është zvicrani Bernard Challandes, i paarritshëm për politikanët tanë për të ndikuar te ai me nepotizëm, me korrupsion, frikësim a shantazhim. Përndryshe, ekipi kombëtar nuk do të ishte më shumë se një version i ekipit të sotshëm të Prishtinës, i cili është larg cilësisë të cilën e kishte në vitet tashmë të largëta të tetëdhjeta.

Politikanët e Kosovës, prandaj, do të duhej të turpëroheshin nga të arriturat e kombëtares dhe fotografitë apo spotet me lojtarët e saj do të duhej të arrinin efektin krejtësisht të kundërt te votuesit ndaj atij që e presin ata. Çdo sukses në sport duhet t’i bëjë ta shohin veten se janë uzurpatorë të këtij vendi dhe se suksese mund të arrihen vetëm atje ku s’arrijnë duart e tyre!

2.

Megjithatë, ka diçka që udhëheqësit tanë sadopak do të mund të bënin për ta ndihmuar kombëtaren tonë të futbollit: të ndikojnë në ngritjen e kulturës së tifozëve. Për shembull, t’i mësojnë se duhet të ngrihen në këmbë kur ekzekutohet hymni i shtetit të ekipit kundërshtar, gjë që nuk ndodhi në masë të plotë në ndeshjen e së shtunës me Çekinë. Se kjo nuk është fare e parëndësishme ka një shembull të freskët për të mësuar: një Emmanuel Macron i kërkoi falje Edi Ramës për shkak të ngatërrimit të hymnit të Shqipërisë në ndeshjen me Francën.

Ka edhe leksione tjera nga kultura e tifozërisë. Kur tifozët ekipit mysafir të fillojnë nja valë brohoritjesh apo këngësh për ekipin e tyre, është gjest mirësjellje në stadiume që të mos pengohen nga vendësit, duke i mbytur zërat e tyre me fishkëllima. Edhe kjo ndodhi të shtunën ndaj çekëve, nga të cilët kishte një grusht, të ngjeshur në këndin e majtë të tribunës jugore.

Përndryshe, me Çekinë kishim arsye të shtesë të tregohemi shumë miqësorë. Përkundër paragjykimeve të ndonjë të riu të painformuar, siç u pa nga reagimet në rrjetet shoqërore, dhe një incidenti të parandaluar me dron (nuk mund të jetë pa domethënie fakti se njëri nga çekët e arrestuar jetonte në Serbi), po edhe një vale popullizimi, i cili e ka prekur edhe këtë vend – Çekinë e kemi shtet mik. Václav Havel, intelektuali, disidenti e shtetari i shquar i këtij vendi, siç ka deklaruar vetë, ka qenë në lidhje miqësie me dr. Ibrahim Rugovën dhe e ka vizituar Kosovën dhe e ka ngritur zërin për gjendjen e saj në të nëntëdhjetat. Havel është burrështetasi i parë i huaj, i cili është nderuar, atëherë nga presidenti Sejdiu, me Medaljen e artë për paqe, demokraci dhe humanizëm – dr. Ibrahim Rugova. Po ashtu, Çekia e ka ndihmuar rindërtimin dhe tranzicionin e Kosovës që nga ditët e para të pasluftës dhe e ndihmon edhe sot e kësaj dite.

3.

Ndeshja me Çekinë, për fat të keq, tregoi edhe njëherë gjendjen e mjeruar të mediave tona, joprofesionalizmin dhe sensacionalizimin e tyre.

Një video, e shfaqur së pari në faqen në Facebook të grupit të tifozëve “Plisat”, në të cilën shihej një i ri i shtrirë për tokë duke u goditur me grushte nga një i ri tjetër, pastaj edhe nga një tjetër në kalim, u publikua në shumë portale të Kosovës, me përshkrimin se tifozët e Kosovës rrahin një tifoz çek. Videoja më pastaj u hoq nga faqja e “Plisave”, nga të cilët u dha shpjegimi se ata nuk janë autorë të saj dhe se ajo është vënë aty në mënyrë të paautorizuar. Po ashtu, askush nuk e vërtetoi se a ishte fjala vërtet për një sulm ndaj një tifozi çek.

Por, ndonëse nuk kishin asnjë konfirmim zyrtar si incidenti ka ndodhur, mediet e botuan këtë video, duke i ushqyer kështu pothuaj se të gjitha mediet elektronike në Serbi. Për “tabloidët e Vuqiçit”, siç i quajnë mediet propaganduese serbe, ky lajm ishte i mirëseardhur për ta lënë në plan të dytë ndeshjen dhe suksesin e Kosovës. Më e çuditshmja është se asnjëri ndër politikanët e Kosovës nuk kërkoi me ngulm që të vërtetohet saktësia e videos dhe rrethanat e shfaqjes së saj, përkundër implikimeve të saj ndërkombëtare!

Video përkrahëse për Kombëtaren e Kosovës

Puna ekipore është çelësi i suksesit dhe dëshmia më e mirë për këtë është Kombëtarja e Kosovës.Këtë video e bëra për ta konfirmuar përkrahjen e plotë për djemtë tanë dhe ju ftoj edhe juve ta bëni nga një, duke i sfiduar gjithmonë nga pesë persona. Suksesi vjen kur ne jemi të bashkuar.Të parët që i sfidoj janë: Agim Ademi, Driton Kuka, Besim Hasani, Geta Beqa dhe Kujtim Gashi.Përkrahe Kosovën! #PërkraheKosovën

Posted by Kadri Veseli on Friday, September 6, 2019

Provo po ashtu

Haradinaj thotë se Italia duhet ta mbështes Kosovën drejt liberalizimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, ka takuar ambasadorin e Italisë në Kosovë Piero …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.