mero baze

Hipokriza e politikanëve të Kosovës me qytetarët e tyre dhe Shqipërinë

Në korrik të këtij viti ka ndodhur një zhvillim interesant. Në Samitin e Jahorinës në Bosnjë, organizuar nga anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, Kosova refuzoi të marrë pjesë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e refuzoi ftesën si poshtëruese për Kosovën, nisur nga “trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnjes dhe Hercegovinës, të cilat  nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së”.

Në solidaritet me të, Qeveria e Shqipërisë, e kryeministrit Edi Rama, po ashtu e refuzoi pjesmarrjen e Shqipërisë zyrtare aty.

Fill pas kësaj, Ilir Meta thyen embargon e Shqipërisë dhe Kosovës, i hipën avionit dhe shkon në takim.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, është një manekin banal i presidentit Putin, dhe përfaqëson ende të vetmen vrimë të zezë të nacionalizmit etnik serb në Ballkan, që ushtron pushtet.

Në Kosovë nuk pati asnjë reaksion. Nuk hungëriu Ramush Haradinaj, që zakonisht rri roje për gjëra të tilla. Përkundrazi, javën tjetër e kishte mysafir Ilir Metën dhe Çim Pekën, duke marrë malet e Kosovës me këmbë.

Për ata që nuk e kujtojnë, ishte ai momenti kur Ilir Meta përkëdheli qenin Darko në Bosnjë, dhe na postoi videon ‘tronditëse’, për të na treguar se kur mungon Kosova në një Samit, ai mund të përkëdhelë një qen të zonës së serbëve të Bosnjës.

Nuk ndodhi asgjë as në shtypin e Kosovës. Asnjë irritim.  Disa gazetarë të Kosovës, që po udhëheqin fushatën e baltës dhe pështirosjes “patriotike”, dhe që bëjnë lajme dhe kur Ilir Meta bie një kg në peshë pas daljes nga tualeti, në këtë rast nuk u shqetësuan. Biles ishin gati të thoshin që postimi i videos me qenin serb të Bosnjës,  ishte e këndshme.

E risolla në kujtesë këtë zhvillim, për të treguar se sa politike dhe hipokrite është kjo fushatë baltosje ndaj Shqipërisë nga Kosova.

Shumë qytetarë të Kosovës, nuk kanë ndonjë arsye të dinë me hollësi, se çfarë është procesi i Berlinit dhe çfarë është vendosur në Samitin e Vjenës, Parisit e më pas të Triestes në vitin 2017, mbi bashkëpunimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Iniciativa e Berlinit, e krijuar nga kancelarja Merkel, synoi mbajtjen hapur të perspektivës europiane për të gjashtë vendet, Shqipëri, Serbi, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë dhe Mal i Zi, përmes një bashkëpunimi të fortë mes tyre, në katër kolona kryesore, në atë të lëvizjes së lirë, tregtisë, digitalizimit dhe investimeve.

Në Samitin e Triestes në vitin 2017, kryeministrat e gjashtë vendeve, përfshi Kosovën pra, ranë dakord ta zhvillojnë më tej këtë zhvillim në të katër kolonat kryesore.

Këshilli Ekonomik Rajonal, i miratuar në Samitin e Triestes, është në të vërtetë ajo çfarë kanë miratuar të gjashtë kryeministrat. Emri “Mini Shengen” në fakt është i huazuar nga periudha para procesit të Berlinit, kur këtë iniciativë me emrin “Mini Shengen”, e nisi vetë presidenti Sejdiu dhe më pas kur Berisha ishte kryeministër u hodhën hapat e pare të “Mini- Shengenit”.

Pra “nofka”  “Mini- Shengen”, është huazuar nga ata që ulërijnë për tradhti, ndërsa procesi është aktiv në kuadrin e Këshillit Ekonomik Rajonal (REA), dhe që është mbështetur dhe nga Kosova.

Mjafton t’iu kujtojmë se heqja e rooaming për telefonat në rajon, është pjesë e kësaj inciative, që e ka mbështetur dhe Kosova.

Isa Mustafa ka qenë në Samitin e Sarajevës dhe e ka mbështetur këtë projekt. E keni në foto me të gjashtë kryeministrat, përfshi Vuçiç.

Dhe për këtë ka pasur dhe iniciativa konkrete. Një prej tyre ka qenë përpjekja e CEFTA për heqjen  e vizave mes Bosonjës dhe Kosovës. Ka rënë dakord për këtë dhe  presidenti nacionalist i serbëve të Bosnjës, Dodik, por nuk e pranonte si vendim dypalësh, pra Kosovë- Bosnjë, meqë nuk e njeh Kosovën, por e donte si nismë rajonale, dhe u vendos që kjo të bëhej në Samitin e Sarajevës, që përmenda në fillim.

Por Kosova e dogji atë shans, duke mos shkuar në Samit, dhe qeveria shqiptare duke shkuar pas avazit të Kosovës, përjashto Ilir Metën.

Dhe ky hap dështoi, jo se nuk ishin gati boshnjakët, por se Kosova për llogari të brendshme, dhe Shqipëria për shkak të “betejës titanike Cakaj- Meta”, e injoruan këtë Samit.

Vetë Kosova po ashtu ka bërë edhe përpjekje informale për t’u afruar me fqinjët që nuk e njohin. Në shtator të këtij viti, Behxhet Pacolli, si ministër i Jashtëm i Kosovës, shtroi një mëngjes pune në OKB, dhe aty i shkoi dhe Serbia dhe Bosnja, biles dhe Greqia, që nuk e njohin.

Vazhdimi i këtij procesi me këtë që ne e quajmë tashmë “Mini- Shengen”, është përpjekja për të mos harxhuar energji me tekat e liderëve rajonalë, sipas interesave të tyre elektorale, por sheshimin e këtyre problemeve, për të mos e bllokuar procesin.

I rendita gjitha këto zhvillime, që kanë ndodhur para syve tanë, për të treguar se Kosova përmes liderve të saj, ka firmosur për këto parime, kanë qenë prezentë në një tavolinë me Vuçiç dhe të tjerë, kur janë firmosur këto parime, kanë ngrënë dreka e darka për këtë histori, ndarazi nga historia e bisedimeve direkte me Serbinë, që është çështje biletarele.

Tani kjo zallamahia hipokrite, sikur këto katër parimet e bashkëpunimit ballkanik, i ka shpikur Edi Rama me Vuçiç në ndonjë takim sekret, dhe atyre u kanë rënë si bombë, më shumë se sa hipokrizi, është një mungesë kurajoje për t’iu shpjeguar qytetarëve të tyre, çfarë bëjnë kur janë kryeministra dhe çfarë bëjnë në muajin që asnjë nuk është kryeministër.

Ky është problem real i politikanëve të Kosovës këtë muaj, që duke mos qenë asnjë kryeministër, dhe asnjë i sigurtë se kush do të jetë, kanë lëshuar përpara vulgun dhe tallavanë histerike të “patriotëve” me çifteli, për t’u dukur të tradhtuar nga vëllai i madh në Shqipëri.

Nuk di si do justifikohet për këtë, ai që pas disa ditësh, javësh apo muajsh, do të bëhet kryeministër. Do t’i duhet të shikojë gjithë firmat që kanë hedhur për këto katër parime, gjithë fotot që kanë dalë me Vuçiçin dhe pesë kryeministrat e tjerë, do të duhet të justifikojnë drekat dhe darkat për të cilat janë paguar për këto takime, dhe pastaj do të thonë, “s’kishim ça me ba vlla, na duhej Edi Rama tradhtar”.

Dakord e kuptojmë dhe këtë. Po s’di pse ju duket patriot ky Ilir Meta, që dhe kur Shqipëria bën budallallëkun të solidarizohet me ju, ky shkon takon Dodikun, nuk ua heq vizat me Bosnjën, dhe ju harroni që duhet të shtireni si patriotë.

Kjo shpjegon shumë, jo vetëm se kjo fushatë e neveritshme është politike, po sa hipokritë janë politikanët e Kosovës së pari me qytetarët e tyre, pastaj me Shqipërinë.

(Botuar në Gazetën Tema)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!