Ballina / OP./INTERVISTA / Heshtja e të mallkuarve
Heather Conley

Heshtja e të mallkuarve

Nëse presidenti i Katalonjës, Puigdemont do të shpallte pavarësinë, Kryeministri Rahoy do të “zbatonte ligjin” dhe me siguri do të kërkonte zbatimin e Nenit 155 të Kushtetutës së Spanjës, duke pezulluar kështu autonominë për Katalonjën. Për ta bërë këtë, Rajoyt do i duhej të dërgonte një numër të madh nga Guardia Civil, gjë e cila do të shkaktonte akte dhune, si ato që bota i pa në 1 tetor. Ky akt do të ishte mallkimi i popujve të Katalonjës dhe Spanjës…

Autor: Heather Conley

Më 1 tetor, rreth 900 njerëz u plagosën nga policia evropiane në një qytet të madh evropian … dhe pati heshtje nga Bashkimi Evropian.

Më 2 tetor, presidenti katalanas, Carles Puigdemont, bëri thirrje për ndërmjetësim dhe dialog të jashtëm për të zbutur tensionet … përsëri pati heshtje nga Bashkimi Evropian.

Është e vështirë të kujtojmë një situatë ose krizë ndërkombëtare, në të cilën Bashkimi Evropian, në nivelet e veta më të larta, të mos ketë bërë thirrje për dialog të menjëhershëm dhe ulje të tensioneve, të jetë ofruar si ndërmjetës i mundshëm dhe të ketë dënuar përdorimin joproporcional të forcës, kundër civilëve. Natyrisht, Bashkimi Evropian është më i gatshëm të ndihmojë vendet jashtë kufijve të tij, dhe jo brenda tyre. Megjithatë, reagimi politik i heshtjes nga Brukseli, kur një nga anëtarët e vet po përjeton shkeljet më serioze kushtetuese, që kur ky vend u kthye në demokraci në vitin 1975, duket i papërshtatshëm, nga një institucion i krijuar për të lehtësuar paqen dhe pajtimin, si dhe për të parandaluar që konfliktet të ndodhin përsëri në Europë. Në heshtjen e tij, pamjet e policisë spanjolle që zvarriste votues të moshuar nga qendrat e votimit në rrugë, e çuan vëmendjen e të gjithëve, tek tensioni akut midis vetëvendosjes, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe paaftësisë së Bashkimit Europian për të formuar një reagim politik.

Eshtë e ditur që, Bashkimi Evropian, shtetet e tij anëtare dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar gjithashtu po përpiqen të adresojnë një prej sfidave më të mëdha politike dhe të sigurisë, të kohës sonë: frenimin e një vale në rritje fragmentimi shtetëror – brenda vetes apo përtej kufijve të tij, dhe sidomos për Evropën, ato sfida që burojnë nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme, në formën e imigrimit. Reagimi i ndarë i BE ndaj prurjeve të imigrantëve me kalimin e kohës mund të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme vetë Unionin (më shumë se 13 mijë refugjatë erdhën në Spanjë në tetë muajt e parë të vitit 2017).

1 tetori ishte një ditë tragjike për Katalonjën dhe për Spanjën. Siç e tha një zëdhënës qeveritar spanjoll, ”bashkëjetesa është prishur”. Megjithatë, kjo ditë nuk ishte aspak e paracaktuar dhe mund të ishte shmangur në vitin 2010, nëse të dyja palët do të kishin vendosur të përqëndroheshin në dialog, dhe jo në përplasje. Kjo është gjithashtu një histori, për pasojat politike të paqëllimshme të krizës financiare globale të vitit 2008, teksa Katalonja autonome, një rajon që transferon pasuri për shtetin (Katalonia përfaqëson 16 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të Spanjës dhe 20 përqind të eksporteve të saj), u irritua, kur qeveria qendrore i imponoi kursime buxhetore rajonit. Kjo gjë, e kombinuar me zgjedhjen në shumicë të Partisë Popullore të qendrës së djathtë, e cila ndoqi një vijë shumë të ashpër nacionaliste kundër parlamentit të Katalonjës, duke nxitur gjithnjë e më shumë një lëvizje drejt pavarësisë, nisi një zinxhir ngjarjesh që përfunduan në tragjedi për të dyja palët, më 1 tetor. Por statusi i Katalonjës si një qendër e fortë ekonomike brenda Spanjës, është i ndikueshëm prej paqëndrueshmërisë që rrethon përpjekjet për pavarësi: bankat me qendër në Barcelonë kanë ndërmarrë hapa për t’u zhvendosur nga Katalonja, dhe të tjerët mund t’i ndjekin. Ironikisht, ekonomia e Spanjës ka filluar të rimëkëmbet nga kriza (rritja ekonomike spanjolle në tremujorin e fundit ishte 3.1 përqind); por politikisht, hemoragjia vazhdon jo vetëm në Katalonjë, por pas dy zgjedhjeve kombëtare jo-bindëse, kryeministri Mariano Rajoy kryeson një qeveri të pakicës në koalicion me një parti katalanase dikur rajonale, e cila kundërshton me forcë pavarësinë e Katalonjës.

Ishte mungesa e kuptueshmërisë dhe kreativitetit e Rajoyt, për të krijuar një formë apo kanal dialogu me udhëheqësit katalanas dhe shoqërinë civile, brenda kornizës kushtetuese të Spanjës, që në fund mund të dëmtojë udhëheqjen e tij – të tashmen dhe të ardhmen. Ngjarjet rreth 1 tetorit dhe ngurtësia e tij e vazhdueshme politike, e kanë dëmtuar rëndë trashëgiminë e tij. Tani Kryeministri Rajoy mund të duhet të tërhiqet dhe të lejojë të tjerët të fillojnë një proces dialogu kombëtar.

Ndonëse jo të heshtur, udhëheqësit katalanas mund ta gjejnë veten gjithashtu të mallkuar. Ndërsa Madridi bllokoi çdo përpjekje katalanase për t’u shprehur në çështjen e pavarësisë ose të një autonomie më të madhe (kjo pengohet në kushtetutën spanjolle), por nuk u përpoq të lehtësojë një dialog me parlamentin e Katalonjës, politika brenda spektrit të larmishëm politik të Katalonjës u bë më e vështirë për t’u mbajtur e bashkuar. Zgjedhjet e përsëritura rajonale (2010, 2012 dhe 2015) u bënë si praktikë për referendumet e pavarësisë, që tani duket se e kanë bërë të vetën. Sondazhet e opinionit publik në Katalonjë kanë treguar vazhdimisht një shumicë kundër pavarësisë, por autoritetet katalanase e kanë ndjekur çështjen me mendjen e tyre. Zgjedhjet e fundit “arnuan” sëbashku parti me një shumicë të ngushtë, e cila u la të ndiqte e vetme shtegun, për të arritur qëllimin e vetëm politik të këtyre partive: pavarësinë katalanase. Por pretendimet e udhëheqjes katalanase pro pavarësisë, se kanë mbështetje popullore u tronditën më 8 tetor, kur qindra-mijëra demonstrues kundër pavarësisë dolën në rrugë. Eshtë e qartë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë kundërshton shkëputjen, duke krijuar përshtypjen e mosmarrëveshjeve jo vetëm mes Madridit dhe Barcelonës, por edhe brenda vetë Katalonjës.

Çfarë do të ndodhë?

Nëse presidenti i Katalonjës, Puigdemont do të shpallte pavarësinë, Kryeministri Rahoy do të “zbatonte ligjin” dhe me siguri do të kërkonte zbatimin e Nenit 155 të Kushtetutës së Spanjës, duke pezulluar kështu autonominë për Katalonjën. Për ta bërë këtë, Rajoyt do i duhej të dërgonte një numër të madh nga Guardia Civil, gjë e cila do të shkaktonte akte dhune, si ato që bota i pa në 1 tetor. Ky akt do të ishte mallkimi i popujve të Katalonjës dhe Spanjës. Më pas do të kishte një shpërthim mbarëkombëtar, duke bërë ndoshta që dy partitë e tjera kombëtare të Spanjës, Partia Socialiste e qendrës së majtë dhe partia Podemos e ekstremit të majtë, të kërkonin një votëbesim për kryeministrin dhe qeverinë e tij të pakicës. Një votëbesim që nëse ia del, do të afronte zgjedhje të përgjithshme. Kjo do e ndante më tej Spanjën.

Eshtë e qartë që të mallkuarit nuk mungojnë. Po a do të vazhdojmë të heshtim?

 

Check Also

Ibrahim Berisha

Intelektuali – prodhues i korrupsionit

Ligji? Po ligji është vetë zyrtari i pushtetshëm? Sa më i pushtetshëm të jetë zyrtari …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *