Ballina / BOTA / Hedhet poshtë plani i kryeministres britanike May
theresa may

Hedhet poshtë plani i kryeministres britanike May

Parlamenti britanik të martën mbrëma hodhi poshtë planin e Kryeministres Theresa May për shkëputjen nga Bashkimi Evropian.

Votimi me rezultatin 391 kundër dhe 242 pro, ka gjasa ta vonojë procesin Brexit ose ta çojë në dështim të plotë.

Votimi i së martës ishte një goditje e fortë për Zonjën May dhe kërcënon pozitën e saj si kryeministre.

Votimi e lë vendin pa ndonjë rrugë të qartë, vetëm 17 ditë përpara afatit përfundimtar për largimin nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti është thellësisht i ndarë për çështjen se si do të veprohet me procesin Brexit dhe nëse do të thirren zgjedhje të reja apo një referendum i dytë.

Përpjekje të dëshpëruara

Rezultati i votimit me siguri do të intensifikojë kërkesat që zonja May të japë dorëheqjen ose të thërrasë zgjedhje përgjithshme.

Shumë ligjvënës konservatorë do të dëshironin të zinin vendin e saj si udhëheqëse partiake dhe kryeministre, por deri tani nuk ka asnjë kandidat me peshë dhe rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme, nëse mbahen, është i paqartë.

Plani i zonjës May, i negociuar me kujdes me Bashkimin Evropian, do të kishte përcaktuar kushtet për daljen e planifikuar të Britanisë më 29 mars.

Nëse Parlamenti nuk ndërmerr ndonjë hap tjetër, Britania do të largohet nga blloku në atë datë pa një marrëveshje.

Mbështetësit e shkëputjes këmbëngulin se një marrëveshje do të ishte diçka e mirë, por shumica e ligjvënësve dhe ekonomistëve thonë se ajo do të ishte katastrofike.

Parlamenti pritet të votojë të mërkurën nëse do të refuzojë apo jo mundësinë e një shkëputjeje “pa marrëveshje”, ndërsa të enjten do të votohet nëse do të kërkohet një shtyrje e afatit të 29 marsit.

Zonja May i kërkoi me forcë Dhomës së Komuneve të miratonte versionin e saj të fundit të marrëveshjes për shkëputjen e Britanisë që ajo negocioi të hënën me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

Udhëheqësja britanike tha se zoti Juncker ra dakord për “ndryshime të sanksionuara me ligj”, për të siguruar që kufiri midis Irlandës – anëtare e BE-së – dhe Irlandës së Veriut – pjesë e Britanisë – të mbetet i hapur pas shkëputjes.

Por duket se ndryshimet nuk ishin të mjaftueshme për ligjvënësit, të cilët në janar votuan me shumicë dërrmues kundër planit të kryeministres.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se BE-ja ka bërë “propozime të qarta dhe të largpamëse” për të zbutur shqetësimet e Britanisë lidhur me marrëveshjen.

Por ajo iu shmang pyetjes nëse ishte e gatshme për të shtyrë daljen e Britanisë nga BE-ja nëse ligjvënësit britanikë nuk bien dot dakord për një plan.

@Fluidi

Provo po ashtu

gjermani hoteli dhe vrasjet me shigjeta

Gjermani: Çka janë këto vrasje me shigjeta

Policia gjermane, ka gjetur edhe dy trupa të pajetë në një banesë 650 km larg …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.