Ballina / KOSOVA / Haziri: Kurti e ngriti Vetëvendosjen në shkallën që e bën parti të parë
Lutfi-Haziri

Haziri: Kurti e ngriti Vetëvendosjen në shkallën që e bën parti të parë

Lutfi Haziri, ka thënë se LDK, partia ku ai është nënkryetar ende nuk ka analizuar detajisht pse nuk arriti që të fitojë zgjedhjet e 6 tetorit.

“Deri të dielën në drekë me sondazhe kemi qenë solid dhe të konsoliduar. Kemi pritur fitore. Na është përsëritur ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, që në 6 orët e fundit të zgjedhjeve ne të humbim”, ka thënë Haziri.

Në një emision në KohaVizion, Haziri poashtu ka thënë se “Kurti ka treguar afinitet për me ngrit partinë në atë shkallë që e bën parti të parë” kurse duke komentuar se LDK nuk ka fituar zgjedhjet që nga viti 2004, ai ka shpjeguar se “periudha e pas vdekjes së Rugovës ka qenë e vështirë”.

“Koha po tregon se ajo përçarje e orkestruar ka lënë pasoja të mëdha. Është bërë thyerja e madhe e LDK-së, thyerje e trenit të LDK-së”, ka thënë Haziri, duke shtuar se megjithatë Kurti arriti ta menaxhojë çarjen që i ndodhi në partinë e tij.

Megjithatë, Haziri ka thënë se LDK-ja po shkon drejt dyfishimit të votave.

“Në këto zgjedhje kemi 209 mijë vota, dhe pas certifikimit të rezultateve ne presim që të kemi vetëm një mandat më pak se kjo parti”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se pret që opozita e ardhshme të ketë fuqi në Kuvend, por ka shtuar se “ata moralisht janë jashtëzakonisht shumë të dëmtuar për atë që kanë lënë trashëgimi në qeverisje”.

Sipas tij, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për koalicionin VV-LDK mund të arrihet shumë shpejt, duke thënë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të përmbyllë më shpejtë procesin e hapur zgjedhor.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se rezultati zgjedhor është pranuar nga të gjithë, derisa ka shtuar se programet politike që janë kundërshtuar në fushatë, tashmë po harmonizohen. Ai ka larguar dyshimet se LDK-ja ka opsion tjetër për bashkëpunim, përveç Vetëvendosjes.

“Një tension zgjedhor ende po vazhdon prej frikës që nuk do të ndodhë ajo që presin votuesit. Duhet me largu dyshimin që LDK-ja ka opsion tjetër pos opsionit me VV-në. Ne kemi thënë edhe para zgjedhjeve që ne nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në dhe kemi përafrime me VV-në”, ka thënë Haziri.

Sipas Hazirit “në të kaluarën kur qeverisën bashkë,  PDK-ja marrëveshjen me LDK-në e kishin shfrytëzuar vetëm për aq sa ka pasur nevojë”.

“PDK-ja është rrënuese e çdo lloj bashkëpunimi që LDK-ja e ka pas deri në ditën e mocionit të mosbesimit. Ne nuk duartrokasim ndaj atyre që rrënojnë ura të bashkëpunimit. Ajo ka qenë një marrëveshje politike të cilën e kanë shfrytëzuar për aq sa kanë pasur nevojë. Ne nuk e kemi pas qëndrimin politik sikur e kemi pas tash. Politika jonë ka qenë më e qartë dhe më agresive se herëve të kaluara”, ka thënë ai.

Haziri mes tjerash ka mohuar ta ketë ofenduar Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurtin.

“Kurti paraqet një politikë të majtë në Kosovë. Nëse themi që është e kuqe, nuk është asnjë ofendim sepse lëvizjet e majta identifikohen si të tilla. Nuk ka të bëjë me komunizëm por e majtë. Nuk është asnjë ofendim që nëse bëjmë krahasime për dikë që nuk ka njollë të zezë në karrierën e tij. Unë besoj që Kurti do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm i partive”, ka deklaruar ai.

Duke folur për zërat për kandidimin e tij si kryetar i LDK-së nëse Mustafa bëhet president, ai ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë.

Ai tutje deklaratat e tilla i ka quajtur “teori të konspiracionit”.

Duke folur për rolin e Vjosa Osmanit në fazën e bisedimeve, Haziri ka thënë se ajo ende është e nominuar për kryeministre deri në shpalljen e rezultateve.  Ai ka thënë se ministrat e partisë do t’i caktojë Kryesia e LDK-së.

“Ne kemi shumë kuadro të cilët do të diskutohen për të marrë pjesë ne ekzekutiv”, ka thënë nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në KTV.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.