lutfi haziri

Haziri : Kosova do të bëhet me qeveri të re dhe kuvend brenda dhjetorit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se marrëveshja me Vetëvendosjen do të arrihet, pa kushtëzime e me mirëbesim.

“Nuk do të ketë zgjedhje të reja…Marrëveshja do të arrihet…Kosova do bëhet me qeveri të re e me kuvend brenda dhjetorit”, ka deklaruar në emisionin Debat të RTK-së, Lutfi Haziri, nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partneri i vetëm i mundshëm për bashkëqeverisje është Vetëvendosje, ka thënë Haziri dhe ka shtuar se aktualisht ‘mes LDK-së dhe VV-së nuk ka ngërç politik”, transmeton infoglobi.

Janë spekulime e konspiracione dashakeqet idetë se mes partnerëve ka krizë, është shprehur ai.

“Nuk ka krizë. Politikat sektoriale janë harmonizuar, ndërkohë që liderët do të vazhdojnë bisedat politike për të finalizuar dhe firmosur marrëveshjen”, ka deklaruar ai.

Përmes një postimi në Facebook ai ka theksuar se marrëveshja e arritur do të jetë përtej një mandati.

“Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK’së dhe LVV’së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim. Kjo ka me qenë marrëveshje përtej një mandati. Nuk ka të bëj me emrat e përveçëm, por me qartësime të pozitave dhe ndarje të drejtë e me vullnet të mirë, në mënyrë që në qeverinë LDK-LVV të mos ketë ‘bomba të kurdisura’”, ka thënë  Haziri.

Ai ka shpjeguar se kur u diskutua për presidentin nuk u përmendën emrat e përvetshëm.

“Thjeshtë duam qartësi sepse nuk do të donim që në mes të mandatit të shfaqet kriza. Në mungesë të qartësisë së marrëveshjeve politike mes partnerëve, në të shkuarën kanë rë disa qeveri. Nuk duam të ndodhë kjo”, ka deklaruar mes tjerash Haziri. /infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.