Hashimi dhe krimi !

Pritëm fillimin normal të dialogut Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë dhe, në vend të dialogut, ndodhi publikimi i aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës dhe dështoi takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Shkruan: Hysen Gecaj

Si dhe pse ndodhi kjo ka spekulime të ndryshme. Lë përshtypje që çështjet e drejtësisë janë futur në agjendën politike në mes të SHBA-ve, e cila rinisi e para dialogun pas një pauze të gjatë dhe BE-së, e cila do që të ndërmjetësojë në lehtësimin e dialogut duke marrë rol primarë krahasuar me SHBA-të.

Secila palë, qoftë SHBA, qoftë BE, kanë arsyet e veta dhe motivet për ta mbikëqyrur në rend të parë pastaj edhe lehtësuar dialogun, sepse, në këtë rast, nuk bëhet fjalë vetëm për interesat e Kosovës dhe Serbisë (me Rusinë), por edhe të SHBA-së dhe BE-së në rajonin e Ballkanit.

BE i frikësohet marrëveshjes e cila do të kishte për bazë lëvizjen e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse një çështje e tillë (sipas BE-së) do të shkaktonte kriza të tjera në truallin e Evropës, prandaj mbikëqyrja e dialogut dhe lehtësimi nga BE ka rëndësi për BE-në derisa një lëvizje e mundshme e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të paraqiste ndonjë problem për SHBA-të.

Thaçi u pa si person që mundë të rrezikonte interesat evropiane në diskutimet Kosovë – Serbi, prandaj si duket edhe u gjet një mënyrë për eliminimin e tij si faktor i rëndësishëm në dialog, por publikimi apo njoftimi për aktakuzën e pakonfirmuar nuk do të thotë se është bërë edhe pa lejen e SHBA-ve, por cili është interesi i SHBA-ve në këtë lojë mbetet të kuptohet në të ardhmen. Edhe këtu ka spekulime.

Tani Presidenti i Kosovës, Hashim Thaç dhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, akuzohen për krime lufte!
Por, se çka konsiderohet krim lufte , cilat janë kriteret që janë vendosur në Gjykatën Speciale për vlerësimin se cilat janë ato krime të supozuara, është çështje e gjykatës, por nëse kthehemi prapa në kohë dhe analizojmë kohën e luftës kur kanë ndodhur krimet e supozuara, gjërat dalin më shumë si akuza banale dhe pa gjasa për t’u argumentuar, sepse ato krime edhe mund të mos kanë ndodhur fare.

Ne që e mbajmë mend mirë kohën e luftës dhe dimë se si është zhvilluar ajo luftë e kemi të vështirë të besojmë se individë nga UÇK kanë bërë krime për dy arsye:
– njëra, sepse UÇK është krijuar si rezultat i shtypjes, dhunës vrasjeve dhe gjenocidit sistematik serbë në Kosovë, prandaj karakteri i saj ka qenë vetëm çlirimtar dhe
– e dyta, UÇK, për atë kohë aq të shkurtër, nuk ka arritur ta konsolidojë as veten në aspektin e funksional komandues e lëre më të zhvillojë logjistikë dhe kapacitete sa të vëjnë në kontakt me popullatën civile serbe, ose të tjerë në mënyrë që t-i vrasë ata dhe, kështu, të bëjë krime.

Për shkak të kohëzgjatjes së luftës në disa pjesë të Kosovës një vit e në disa mjedise, me disa muaj e javë, ka qenë e pamundur që UÇK të armatosej deri në atë masë sa të depërtonte në ato zona ku kishte serbë dhe përkrahës të Serbisë, për shkak të forcave të shumta serbe mirë të pajisura me armatim. Dihet se në Kosovë që të gjitha familjet serbe e malazeze, si dhe individë nga minoritete që i janë bashkangjitur forcave serbe, ishin të armatosura më mirë se UÇK, prandaj ka qenë e pamundur që UÇK t’i ketë rrezikuar apo edhe të ketë bërë krim mbi popullatën civile.

Nëse i referohemi rrethanave dhe terrenit dhe atyre të organizimit struktural të UÇK-së, si dhe regjioneve në të cilat ka lëvizur Hashim Thaçi e Kadri Veseli, duket e pamundur që këta të dy e kushdo tjetër nga UÇK të ketë bërë krime, sepse regjionet ku ata kanë vepruar nuk kishte civilë joshqiptarë, të cilët do të rrezikoheshin nga UÇK.

Drenica, malet e Berishës, por edhe territori në Kosovën Lindore, ai maqedonas dhe shqiptarë, ku kanë lëvizur Hashim Thaçi e Kadri Veseli, nuk ka qenë i populluar me civilë joshqiptarë, ku këta dy dhe të tjerë pjesëtarë të UÇK-së do të mundë të bënin krimet e pretenduara.

Me ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë ka filluar edhe tërheqja e forcave policore e ushtarake serbe. Bashkë me ta u tërhoqën edhe shumica e qytetarëve serbë nga frika se do të rrezikoheshin nga shqiptarët, duke e ditur se çfarë të zezash u kishin bërë shqiptarëve. Ata pak serbë që mbetën në Kosovë u përqëndruan në enklava të mbrojtura nga NATO, e cila mori përgjegjësinë për sigurinë në Kosovës.

Pra, shtrohet pyetja, si ia dolën Hashim Thaçi e Kadri Veseli me të tjerë të kryenin krime? Në këtë aspekt,pas hyrjes së forcave të NATO në Kosovë nuk mund të kërkohet llogari nga Thaçi e Veseli, as për nga aspekti i zinxhirit komandues, as politik, sepse tani NATO ishte ajo që kishte përgjegjësinë për sigurinë në Kosovë.

Kjo situatë e krijuar sjellë Kosovën në pozitë të pavolitshme përballë Serbisë në tavolinën e bisedimeve.
Si ka mundësi që Bashkësia Ndërkombëtare, sidomos Evropa të ”harrojë” krimet serbe në Kosovë për shkak të të cilave NATO intervenoi dhe tani të barazojë, në masë të madhe, kriminelin me viktimën?! Si u harruan ata mijëra civilë shqiptarë të paarmatosur, që u vranë nga forcat serbe, gratë, fëmijët, pleqtë, gratë e dhunuara, pasuritë e plaçkitura dhe shkatërruara?! Të gjitha këto të vërtetuara.

BE rinisi takimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, por dihet se deri më tani asnjë konflikt apo marrëveshje të rëndësishme nuk ka arritur ta përfundojë pa SHBA-të, sepse BE nuk ka mekanizma juridikë, në bazë të cilëve do t’i obligonte palët në marrëveshje e as në garantimin e ndonjë marrëveshjeje eventuale.

Nga kjo mund të përfundojmë se paralajmërimi për ngritje të aktakuzës dhe intervistimi i Thaçit nga Gjykata Speciale, në kohën kur duhej që të fillonte takimi në Shtëpinë e Bardhë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ishte mjet juridik në shërbim të politikës evropiane në garë kundër SHBA-ve, për të marrë rolin kryesor në mbikëqyrjen dhe lehtësimin e dialogut.

Hysen Gecaj është ekspert për çështje të sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!