ramush haradinaj 211

Haradinaj sot shkarkon Ministrin Sefaj dhe shefin e AKI-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se të premten do të ekzekutojë shkarkime në qeverinë e tij pas operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Kështu ka raportuar Klan Kosova, ku sipas të këtij mediumi “të premten do të shkarkohen Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe Kryeshefi i AKI-së, Driton Gashi”.

Për një gjë të tillë ka raportuar edhe KosovaPress, duke u thirrur në burime të saj, çka ky vendim është marrë sonte në takimin e mbajtur mes presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrave Behgjet Pacolli e Fatmir Limaj.

Të enjten gjatë ditës u arrestuan dhe deportuan gjashtë shtetas turq që punonin në kolegjin turk “Mehmet Akif” – shkollë që bën pjesë në rrjetin e shkollave të klerikut turk Fetullah Gulen, i cili nga Turqia konsiderohet si terrorist.

Për ekstradimet nuk ka marrë përgjegjësinë asnjëri nga krerët e shtetit. Fajësia po i drejtohet AKI -së dhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

Lidhur me deportimin e shtetasve turq ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ngjarjet e ditës së sotme.

“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin “Mehmet Akif” të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas arrestimeve kishte deklaruar se nuk ka qenë i informuar nga asnjë institucion vendor lidhur me këtë rast.

“Sot, përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës dërguar medieve.

Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me, siç ka thënë, dështimin e mbrojtjes së parimeve thememore “të të drejtave njerëzore për shtetasit e huaj, që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë”.

“Unë jam i informuar nga organet kompetente pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi. Dua të siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, se Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese, të cilat mbi gjithçka tjetër, i sigurojnë çdo individi që të shpreh pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë”.

Sipas shefit të diplomacisë së Kosovës Behxhet Pacolli urdhëresën pë arrestim e kishte bërë AKI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.