Ramush Haradinaj

Haradinaj e cilëson mashtrim vendimin për ulje pagash

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të pakuptimtë vendimin që sot mori Qeveria Kurti për uljen e pagave në kabinetin qeveritar.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se ulja e pagave është veprim politik i pakuptimtë “kur dihet tashmë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin”.

Sipas tij, me këto vendime të Qeverisë Kurti po vendoset standard i rrezikshëm dhe jodemokratik në Kosovë.

“Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv. I tillë është edhe vendimi për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin”, ka shkruar Haradinaj.

“Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit. Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Qeveria normale do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave që e kishte marrë Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në dhjetor të 2017-s. Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Kryeministrit Haradinaj nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.