Haradinaj, kryeministër

Haradinaj: Arrestimin e Gjuriqit e bëri Kushtetuta

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka qenë plotësisht në dijeni për planin për arrestimin e shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Mitrovicën e Veriut, të hënën.

Haradinaj ka thënë në “Rubikon” të KTV’së se nuk është kundër ardhjes së Gjuriqit në Kosovë, por se një gjë e tillë duhet të bëhet “në bazë të procedurave”.

Ai ka thënë se urdhrin për ndalimin e vizitës së tij në Kosovë e ka dhënë Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e ka zbatuar ndalesën.

Haradinaj ka bërë të ditur se ka qenë i informuar për gjithçka që nga mbrëmja e së dielës, raporton Gazeta Express.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se e ka ngarkuar me detyrë zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq që ta përcjellë porosinë në Beograd që Gjuriq të mos niset për në Kosovë “sa ekziston ndalesa”.

I pyetur nëse presidenti Hashim Thaçi ka qenë i përfshirë në vendimin për ndalimin e hyrjes së Gjuriqit në vend, dhe për arrestimin e tij në rast se ai shpërfill ndalesën, Haradinaj është përgjigjur: “Mund të ketë qenë i informuar”.

Sipas Haradinajt, për arrestimin e Gjuriqit “ka vendosur kushtetuta, kanë vendosur ligjet, askush tjetër”.

“Patëm dëshirë të mos vinte, që të mos ndodhte ajo që ndodhi. E kemi paralajmëruar në mënyrën më korrekte”, është shprehur ai.

Haradinaj ka thënë se Policia ka vepruar përkitazi me obligimet. “Do të isha ndier i fyer që Policia të dështonte”, ka deklaruar ai.

“Ta kuptojnë të gjithë, që Kosova ekziston. S’po e them për të treguar trimëri, por do t’i zbatojmë ligjet”, ka thënë Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.