05.02.2019- Prej sot Qendra e Skijimit në Brezovicë, është e hapur për vizitorë dhe shfrytëzues të saj.
Vendimi për hapjen e qendrës erdhi pas Raportit të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, ku është vlerësuar se aktualisht nuk ka rrezik për paraqitjen e ortiqeve në zonën e skijimit në Brezovicë.
Në raport thuhet mes tjerash se “Aktualisht bora është ngjeshur dhe lagur në sasi të konsiderueshme dhe mundësia e lëshimit të saj për të krijuar ortek është e vogël”.
Megjithkëtë raporti vlerëson se në terrenet malore të Brezovicës ku kushtet klimatike janë vazhdimisht të ndryshueshme, nuk mundë përjashtohet mundësia e paraqitjes së sërishme të ortiqeve në të ardhmen.
Zona e Brezovicës ishte vlerësuar me rrezik të mesëm për krijimin e ortekut pas incidentit që ndodhi javën e kaluar. Për të larguar rrezikun nga paraqitja e ortiqeve të mundshme, njësitet e specializuara të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjatë kësaj jave kanë bërë shpërthimin dhe neutralizimin e dy ortiqeve të mundshme.
Me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme në zonën e Brezovicës në të ardhmen, AMMK ka kërkuar nga FSK që të vendos një njësit permanent të kërkim shpëtimit në qendër gjatë kohës së vizitorëve dhe funksionimit të ski-liftit.
AMMK, ka kërkuar po ashtu edhe që të bëhet edhe një vlerësim i gjendjes së ski-liftit për rrezikshmërinë qe mundë të paraqes ai gjatë shfrytëzimit.