Ballina / Kulturë / Hapet “Onufri”, transporti i veprave nga artistët me buxhet personal

Hapet “Onufri”, transporti i veprave nga artistët me buxhet personal

Në edicionin e 22-të të ekspozitës konkurs prezantojnë punët e tyre 43 artistë shqiptarë dhe të huaj.

Konkursi ndërkombëtar “Onufri” u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në edicionin e 22-të të ekspozitës konkurs prezantojnë punët e tyre 43 artistë shqiptarë dhe të huaj. Ky edicion i çmimit ndërkombëtar “Onufri” vjen me titull “Stranger than Kindness- Mitrush Kuteli”, kuruar nga artisti Fani Zguro. Në ekspozitën që u çel në ambientet e GKA, pjesë janë edhe dy projektet speciale “Kinema” dhe “Taxi” (kjo e fundit e merr zanafillën nga projekti zanor i Anri Salës “No Formula One, No Cry- Taxi”). E frymëzuar nga hiti i Nick Cave and the Bad Seeds “Stranger than Kindness”, ky edicion i kushtohet shkrimtarit Mitrush Kuteli.

Një nga ekspozitat më të rëndësishme, që çelen në GKA, por që sipas artistëve vëmendja nga Ministria e Kulturës duhet të jetë dhe më e madhe. Tashmë ndër vite problemet e kanë shoqëruar “Onufrin”, por dhe pse këtë vit duket se ka një tjetër vëmendje ku me buxhetin e dhënë nga ministria është botuar dhe katalogu, sërish për disa artistë pjesëmarrës organizimi i tij duhej të ishte menduar më me kujdes.

Artisti Klodian Pasku, që jeton në Milano ku zhvillon dhe aktivitetin artistik, në këtë edicion është prezantuar me disa punime portrete. Pjesëmarrës për herë të parë te “Onufri”, ndërsa e vlerëson, ai flet dhe për disa nga problemet që hasin artistët. Një pjesë e artistëve që vijnë nga jashtë, transportin e veprave e kanë bërë me buxhetet e tyre. Kjo sipas piktorit Klodian Pasku duhet të ndryshojë. “Nëse do të bëhet një organizim serioz nga ana e shtetit, sepse qëndron Ministria e Kulturës për zhvillimin e tij, që e mbështet dhe financiarisht duhet të ketë më shumë vëmendje. Aq më tepër që tani kemi të bëjmë me një konkurs ndërkombëtar. Duke qenë i tillë është dhe çështje imazhi, sepse vetë arti në vetvete është edhe imazh, dhe i shërben dhe imazhit të punës që bën ministria ndaj përkujdesjes që ka për artistët. Pra nëse bëhet përzgjedhja e artistëve, duhet të ketë dhe një mbështetje për artistët për transportin e veprave që sjellin. Veprat kanë delikatesën e tyre duan kujdes. Nuk mund ti transportosh në mënyrë amatoriale”, pohon piktori Pasku, veprat e të cilit publiku mund t’i gjejë në këtë edicion të “Onufrit” në GKA, shkruan Sot News.

Me të njëjtin shqetësim është dhe artisti Arjan Shehaj. I diplomuar në Milano, ku dhe jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij këtë herë në GKA prezantohet me disa vizatime në edicionin e 22 të konkursit “Onufri”. Ndërsa vlerëson punën që është bërë nga GKA, botimin e katalogut apo dhe pjesëmarrjen e artistëve, ai shton se buxheti duhej të ishte menduar dhe për transportin e veprave. “Nëse Fani arriti që të sjellë një numër kaq të madh artistësh dhe jo vetëm emra që ai tha më pak të njohur, por dhe emra të rëndësishëm, kjo është shumë e mirë. Më shumë për këtë konkurs duhet vizibilitet jo vetëm në Shqipëri, por dhe të publikojmë sa më shumë informacione, të hapet sa më shumë dhe në Evropë, SHBA, etj. Çdo projekt ka probleme, por në këtë rast kemi katalogun, kemi më shumë se 40 artistë pjesëmarrës, kjo është e rëndësishme. Ajo që shikoj si problem është se duhet të ketë një sponsorizim dhe për veprat e artistëve, që konsiston me transport. Ne i sjellim vetë veprat në konkurs. Mendoj se ky është një problem që duhet të zgjidhet, duke qenë brenda buxhetit të konkursit “Onufri””, pohon artisti Arjan Shehaj.

Artistët pjesëmarrës në këtë edicion të 22 të konkursit ndërkombëtar “Onufri” janë: Hamra Abbas, Klodiana Alia, Luca Bolognesi, Guri Bulovari, Erik Bunger, Kajsa Dahlberg, Nico Dockx, Jakup Ferri, Ulrika Ferm, Regina Jose Galindo, Ra di Martino, Dora Garcia, Manuela Garcia, Yllka Gjollesha, Khaled Hafez, Pablo Helguera, Dejan Kaludjerovic, Ilir Lluka, Edson Luli, Christopher Milne, Haroon Mirza, Museo Aero Solar, Bruno Muzzolini, Ferhat Ozgur, Klodian Pasku, Steve Piccolo, Leonard Qylafi, Pipilotti Rist, Damien Roach, Karl Ingar Roys, Anri Sala, Tomas Saraceno, Mariette Schiltz and Bert Theis, Arjan Shehaj, Bert Theis, Josephine Turalba, Esme Valk, Daniwlle Van Ark, Desmond Xhixha, Helidon Xhixha, Shingo Yoshida, Ergin Zaloshnja.

Ekspozita në GKA do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 1 shkurt të vitit që vjen.

Provo po ashtu

anibar, festivali, animacionet

Frika dhe Shpresa e Anibar-it

Festivali Anibar Animation sivjet mban edicionin jubilar me temën  “Frika dhe Shpresa” Sipas organizatorvëve të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.