Ballina / KRYESORE / Hallet dhe potencialet e turizmit kosovar nga perspektiva e ekspertit Albion Idrizi
Albion Idrizi, AltaVia
Albion Idrizi drejton prej vitesh Agjencinë Turistike AltaVia në Kosovë

Hallet dhe potencialet e turizmit kosovar nga perspektiva e ekspertit Albion Idrizi

Edhepse ofron mundësi të shumta, si në kontekstin e krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit, poashtu edhe në kontekstin e ofrimit të mundësive për kënaqësi dhe një jetë të shëndetshme, turizmi i Kosovës sikur është lënë në harresë.

Ekspertët e kësaj fushe janë të rrallë e, ekspertiza e tyre profesionale ka të bëj kryesisht me përvojën që ata e kanë fituar drejtpërdrejt në vendin e punës.

Albion Idrizi, drejtuesi i agjencisë turistike “AltaVia Travel” në Kosovë, është njëri nga ekspertët e tillë. Në intervistën dhënë infoGlobit, Idrizi flet për vështirësitë dhe mundësitë zhvillimore që ofron turizmi, për tregun e punës në këtë sektor dhe për kuadrot që i mungojnë Kosovës.

Se cili është profili i turistëve dhe i udhëtarëve kosovarë, sa ka ndryshuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit në sektorin e turizmit, sa janë të lidhura institucionet akademike me tregun e punës në fushën e turizmit, çka kanë bërë e çka jo institucionet për ta avancuar këtë sektor? Për të gjitha këto , përgjigjet nga pozicioni i ekspertit me shumë përvojë, i jep z. Albion Idrizi.

Turizmi i Kosovës para dhjetë vjetëve dhe sot

infoGlobi: Cila është perspektiva juaj për potencialet zhvillimore të turizmit në Kosovë?

Kosova ka potencial të turizmit kulturor dhe atij aktiv. Qasja ose aksesi dhe atraksionet natyrore e historike janë potenciali më i madh që ka Kosova si destinacion. Për momentin, po punohet shumë në krijimin e aktiviteteve turistike dhe kjo poashtu do të kontribuoj dukshëm në zhvillimin e turizmit në vend.

Infrastruktura turistike, në veçanti kapacitetet akomoduese dhe aktraksionet artificiale si dhe mbrotja e mjedisit mbeten dobësia më e madhe me të cilën ne përballemi sot si destinacion.

Për t’i zhvilluar këta sektorë nevojiten së pari investime kapitale por, edhe një ngritje e vetëdijësimit për ruajtjen e ambientit dhe pastërtisë.

infoGlobi: Çfarë thotë përvoja e juaj për profilin e udhëtarëve ?

Unë kam 22 vjet përvojë në fushën udhëtimeve dhe të turizmit në përgjithësi.

Kosova ka një raport të lartë të numrit të udhëtarëve për kokë të banorit. Shkak i kësaj është mërgata e madhe. Kjo e fundit përbën edhe segmentin më të madhë të udhëtarëve në Kosovë.

Diaspora jo vetëm që kontribuon në turizëm por edhe në tërë ekonominë. Çmimi i lartë i udhëtimit gjatë sezonit veror apo festave mbetet një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohemi.

Për këtë ka dy arsye. Së pari, kërkesa gjatë sezonit tejkalon ofertën dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm në treg për të ngopur ate dhe, së dyti, lëvizja e udhëtarëve edhe në një kahje, pra shumica dërmuese vjen në Kosovë kur fillojnë pushimet shkollore në vendet e tyre përkatëse , dhe kthehen nga Kosova pas përfundimit të pushimeve shkollore. Pra aeroplanët, autobusët dhe tragetet janë të mbushur në një drejtim por të zbrazët në tjetrin. Kjo dukuri rrit shumë koston e transportit dhe të biletës.

infoGlobi: Sa udhëtojnë shtetasit e Kosovës për qëllime turistike dhe cilat janë destinacionet e tyre të preferuara ?

Kosova mban statistikat për turistët që vijnë në vend, por jo edhe për ata që dalin nga vendi për qëllime turizmi.

Megjithatë, statistikat e ndryshme tregojnë që numri i turistëve nga Kosova është në rritje e sipër. Destinacionet më të frekuentuara të kosovarëve edhe më tutje mbesin Shqipëria, Mali i Zi dhe Turqia.

Turizmi varet shumë nga fuqia blerëse e popullatës ose përmasa e të hyrave që ajo posedon. Pra, industria e turizmit varet nga gjendja ekonomike e përgjithshme.

Cilat janë problemet në fushën e turizmit

infoGlobi: Çka ka ndryshuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit në sektorin e agjencive? Sa është i rregulluar ky sektor dhe cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen agjencitë e Kosovës sot?

Sektori i agjencive të udhëtimit siç njihet ndryshe si sektori i tregtisë të udhëtimeve ka ndryshuar shumë kohëve të fundit për arsye të ndryshimit të pritshmërisë së klientit dhe zhvillimit të teknologjisë.

Sot agjencitë vendore konkurrojnë edhe me kompani multi-miliardshe që shesin produktet dhe shërbime online, dhe shpesh herë kanë çmime më të lira se ata.

Poashtu, klienti sot kërkon më shumë shërbime, por me çmime më të lira. Me avansimin e teknologjisë dhe rritjen e numrit të produkteve dhe shërbimeve në treg, proceset e punës po bëhen gjithnjë e më komplekse. Kjo dukuri ka rritur edhe nevojën për kuadro të kualifikuara, të cilat i mungojnë shumë tregut të punës.

infoGlobi: Çfarë politika duhet të ndërmarrin institucionet shtetërore që të përmirësohet gjendja në këtë fushë?

Kosova duhet ta bëj turizmin prioritet dhe të ofrojë kushte të mira për investitorët që duan të zhvillojnë këtë sektor, qoftë përmes garancive, subvencioneve, legjislacionit, etj.

infoGlobi: Jeni një sektor i rëndësishëm i punësimit, sidomos i të rinjëve e të rejave që njohin teknologjinë dhe gjuhët e huaja. Sa ka kuadro të specializuara në fushën tuaj?

Siç e ceka me lartë, kuadro të kualifikuar mirë, e të përgaditura për nevojat e industrisë nuk ka mjaftueshëm.

Unë mendoj që institucionet arsimore duhet të lidhen me industrinë që të kuptojnë specifikat e punës dhe pastaj programet e tyre mësimore të ia përshtatin nevojës së biznesit.

Kjo do të ndihmonte në punësimin e kuadrove të reja.

infoGlobi: Raporte të panumërta kanë shpaluar se shkollat e mesme dhe institucionet e larta akademike nuk po prodhojnë kuadro për të cilat ka nevojë tregu i punës. Cilat janë njohuritë dhe shkathtësitë që i nevojiten një të riu për ta fituar vendin e punës në agjenci apo në fushën e turizmit në përgjithësi ? 

Unë mendoj që më e rëndësishmja është praktika në punë.

Thjesht ka shumë procese dhe programe që duhet të përvetësohen.

Pse dallojnë çmimet e biletave?

infoGlobi: Qytetarët ankohen në çmime të larta. Ka të tillë që pohojnë se më lirë shkojnë nga Parisi në Bangkok, sesa nga Hamburgu në Kosovë? Pse ekzistojnë dallime kaq të mëdha në çmime ?

Unë mendoj që këto krahasime janë relative. P.sh. ka pasur raste që në korrik nga Prishtina në Dusseldorf një biletë një-drejtimshe të kushtojë 30 EUR kurse për Bangkok 3000 EUR.

Avio kompanitë dhe tour – operatorët përdorin sisteme për menaxhimin e të hyrave ku çmimin e përcakton më shumë vlera se sa kostoja apo tregu.

Pra, një biletë për Dusseldorf mund të kushtojë nga 30-500 EUR vartësisht nga relacioni kërkesë /ofertë. Menaxhimi i të hyrave ndihmon në rritjen e efikasitetit por, edhe krijon shumë konfuzion tek udhëtarët.

Pastaj, lëkundjet e ashpra të kërkesës si dhe fakti që në shumicën e rasteve mjetet e transportit mbushen me udhëtarë vetëm në një drejtim, ndërkohë që kthehen boshë në drejtimin tjetër, si dhe planifikimi i vonshëm i udhëtimeve , janë shkaktarët kryesor për çmim të lartë në sezon.

 infoGlobi: Ku qëndron turizmi i Kosovës në krahasim me vendet e tjera të rajonit ?

Shumë dobët. Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë strategji të turizmit, program stimulues dhe infrastrukturë shumë më të zhvilluar se ne.

infoGlobi: Sa është i promovuar ai në vend dhe jashtë tij ?

Shumë pak. Vetëm në disa panaire ndërkombëtare.

infoGlobi: Për fund, ju lutem shpalone ofertën e kompanisë që drejtoni? Cilat janë risitë që sjellë ajo? A ka ndonjë befasi? 

E gjithë veprimtaria jonë është e publikuar në ueb faqen tonë http://lcc-altavia.com/sq?mount=leisure

infoGlobi: Ju faleminderit

 

 

Provo po ashtu

aeroporti, adem jashari, greva, kosova

Fluturimet pas grevës

Sipas njoftimit për media nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në prishtinë sot janë realizaur të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.